1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Spanja dhe Irlanda i thonë lamtumirë ombrellës së shpëtimit

Dritë në fund të tunelit: vendet e euro-krizës, Irlanda dhe Spanja mund të largohen nga ombrella e shpëtimit. Eurogrupi dha për këtë dritën jeshile. Por ka ende mjaft vende që kanë nevojë për të.

Më në fund një lajm i mirë për euro-zonën. Pas vetëm disa javësh, Irlanda dhe Spanja mund të dalin nga ombrella e shpëtimit dhe të jenë vendet e para të përfshira në euro-krizë që do të qëndrojnë sërish financiarisht në këmbët e veta. Grupi i Euro-s miratoi daljen e tyre nga ombrella. "Kjo është një ditë e mirë për Irlandën dhe Spanjën, kjo është një ditë e mirë për Evropën", tha komisioneri i Çështjeve Monetare të BE-së Olli Rehn në Bruksel, pas konsultimeve me ministrat e Financave të vendeve anëtare të eurozonës. Finlandezi megjithatë theksoi se problemet ende nuk janë eliminuar tërësisht për të dy vendet me borxhe të larta.

Programi për Irlandën përfundon në dhjetor, programi spanjoll për bankat në lëngatë në janar të vitit 2014. Kryeministri irlandez Enda Kenny ka paralajmëruar në Dublin se nga data 15 Dhjetor vendi i tij do të heqë dorë nga ndihmat e donatorëve ndërkombëtar. Ministri i Financave Michael Noonan theksoi se: "Kjo rikthen lirinë ekonomike dhe politike të Irlandës." Vendi i tij dëshiron të kthehet në tregjet financiare në fund të janarit ose në fillim të shkurtit 2014.

Në foto, Olli Rehn

Në foto, Olli Rehn

Konfirmim i kursit të stabilizimit

"Ndihma e përkohshme me kredi ka dëshmuar të jetë e suksesshme në të dy vendet", konkludoi shefi i eurogrupit Jeroen Dijsselbloem. Eurogrupi ka besim të plotë në paralajmërimet e këtyre dy vendeve se do të ndjekin rrugën e reformave. Edhe ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble tha se këto zhvillime tregojnë se "politika e stabilizimit të monedhës evropiane është e suksesshme dhe e drejtë".

Irlanda ishte në vitin 2010 vendi i parë në zonën e euros, kryesisht për shkak të bankave të kalamendura të saj, që u desh të futet nën ombrellën e shpëtimit. Partnerët evropianë dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar i dhanë asaj një ndihmë prej rreth 85 miliardë euro.