1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Spanja: Arsyet e vërteta të krizës

Në Spanjë 17 rajone autonome dhe qytete përballen tashmë me falimentimin. Kjo është arsyeja pse spanjollët i bëjnë gjithnjë e më shumë thirrje qeverisë për të luftuar korrupsionin dhe ekonominë joformale.

Ndërsa popullsia spanjolle duhet ta shtërngojë më shumë rripin për shkak të kufizimeve financiare, gjermanët janë gjithnjë e më të pakënaqur nga lajmet, që vijnë nga Spanja. Nga frika se destinacioni aq i preferuar i pushimit për gjermanët do të bëhet një i sëmurë kronik për Evropën dhe një ngarkesë e vazhdueshme për tatimpaguesit gjermanë.

Spanjollëve u ka ardhur në majë të hundës jo vetëm me kryeministrin e tyre jo mjaft bindës Mariano Rajoy, por edhe nga kursi i rreptë të kursimit të kancelares Angela Merkel. Ata besojnë se Gjermania po përfiton nga kriza spanjolle. Ndërkohë dhuna në protesta rritet në të njëjtën masë, siç rritet pakënaqësia popullore. "Ky është më shumë se frustrim nga politika, ky është dëshpërim", thotë muzikanti Manuel Villalta, i cili nga banesa e tij në zemër të Madridit i përjeton nga afër protestat. 55 vjeçari mund ta kuptojë zemërimin e bashkëatdhetarëve të tij. "Gjithçka bie në kurriz të njerëzve të vegjël." Nuk ka taksë për të pasurit, asnjë veprim të përbashkët të sipërmarrësve spanjollë si themeluesit të Zarës Amanacio Ortega për shpëtimin e vendit. "Ka vetëm largim të parasë jashtë vendit", kritikon Villalta.

Madrid Finanzviertel

Kuartieri i financave në Madrid

Problemet nuk përmenden me emër

Për shumë spanjollë, si për drejtorin e agjencisë së reklamave Lime XL Joaquin Gomez, që punon edhe në Gjermani edhe në Spanjë, është e pakuptueshme, që problemet reale të vendit nuk janë trajtohen nga qeveria gjermane dhe BE. "Ekonomia informale, praktika e pamoralshme e pageses dhe korrupsioni, shkatërrojnë vendin dhe talentin e tij të madh", thotë Gómez. Ai beson se reformat kanë humbur shansin për të zgjidhur këto probleme. "Me kursim në nuk ndryshojmë asgjë në periudhë afatgjatë dhe varfëria do të vazhdojë të rritet, por strukturat jo efikase dhe që deformojnë konkurrencën mbeten dhe gllabërojnë paratë nga Brukseli."

Gomez nuk është i vetmi spanjoll, që beson se qeveria e Mariano Rajoy në këto rrethana, nuk duhej të merrte asnjë qindarkë më shumë nga arkat e BE-së. Këtë mendim ka edhe Roberto Centeno, profesor i ekonomisë në Universitetin  politeknik të Madridit. Ai është i kënaqur, që Gjermania e sheh Spanjën jashtë ombrellës së shpëtimit. "Ne duhet të dalim vetë nga kriza dhe ta rimendojmë të gjithë organizimin tonë shtetëror." Partitë kryesore të demokracisë së re do ta kishin ndarë vendin. "Gjatë 30 viteve të fundit, është zhvilluar një korrupsion sistematik, që e gjen shprehjen e vet në administratat e stërzmadhuara të 17 rajoneve autonome dhe qyteteve."

Edhe familja mbretërore kritikohet

Profesori i ekonomisë Centeno thekson se një shtet juridik jofunksional pengon perparimin: "Janë themeluar fondacione publike, sipërmarrje dhe agjenci shtetërore, janë ndërtuar aeroporte dhe autostrada, që i kanë sjellë diçka vetëm politikanëve vendas, por që kanë shkatërruar buxhetin e shtetit me shpenzimet e tyre absurde", thotë Centeno. Një arsye se përse Spanja me rreth 46 milionë banorë, ka më shumë aeroporte se Gjermania me dyfishin e popullsinë dhe me një dëndësi më të madhe."

Pakënaqësia e shumë spanjollëve drejtohet edhe kundër monarkisë, e cila, siç thonë shumë, nuk prodhon asgjë tjetër përveç kostove dhe skandaleve: "Në vend që të forcojmë imazhin tonë, mbreti na dëmton me sjelljen e tij", thotë Alicia Rodriguez. Gruaja e re punon në një kompani sigurimesh dhe në kohën e saj të lirë është aktive për një organizatë kritike ndaj monarkisë. "Lëvizja jonë Destino Republicano po bëhet gjithnjë e më e fortë." Rodriguez dhe kolegët e saj duan një sistem federal si në Gjermani: "Ne besojmë se është më demokratike dhe më e drejtë. Monarkia është krejtësisht e vjetëruar."

Transparencë në vendime

Si "Destino Republicano" janë krijuar dhjetëra lëvizje të reja, platforma dhe fondacione, të cilat janë aktivizuar në politikë. Nëpërmjet internetit, me konferenca shtypi dhe demonstrata në rrugë, ata protestojnë kundër rritjes së TVSH-së, shkallës së papunësisë prej 25 për qind, gati 500 dëbimeve nga shtëpitë në ditë dhe kundër shkurtimeve të shumta të ndihmave sociale. Ata të gjithë kërkojnë një demokraci më transparente.

Ne jemi të shqetësuar se nuk zhvillohet asnjë diskutim publik mbi të ardhmen e Spanjës, se proceset vendimmarrëse të qeverisë nuk janë transparente.Vendi humbet edhe për këtë arsye kredibilitetin ", thotë Alicia Costas e organizatës Access Info Europe në Spanjë. Ajo bëri thirrje kohët e fundit për një debat për më shumë transparencë dhe për pjesëmarrje më të madhe të qytetarëve në vendimmarrje, në të cilën morën pjesë të gjitha partitë, me përjashtim të partisë në pushtet PP.

Të rishikohet krejtësisht politika

"Demokracia jonë po shkatërrohet. Qeveria aktuale shkel të drejtat e shtypit dhe refuzon të flasë me lëvizjet sociale", thotë skulptori Rafael Lapuente, i cili e konsideron situatën shumë dramatike dhe e tematizon atë në veprat e tij. "Eshtë e tmerrshme, kur sheh, se sa të irrituar janë njerëzit."

Santiago Abascal, vetë anëtar i PP qeverisëse dhe udhëheqës ekzektiv i Fondacionit Denaes, përpiqet ta ndryshojë Spanjën, për të gjetur një terren të ri të përbashkët, që ta çojë përpara vendin. Në partinë e tij ai nuk gjen ndonjë përkrahje. Abascal thotë se i injorojnë planet e tij. "Ne duhet të rishikojmë krejtësisht mënyrën, se si bëjmë politikë në këtë vend dhe duhet të reformojmë plotësisht organizimin e shtetit." Debati i ndarjes së Katalonjës nga pjesa tjetër e Spanjës e përkeqëson imazhin e vendit në krizë dhe tregon se sistemi aktual nuk funksionon.

Konsumi zëvendëson vlerat

Për ish menaxherin drejtues të IBM-së dhe drejtuesin aktual të fondacionit të themeluesit të Zarës Amancia Ortega, Felipe Pallete-Rivas, janë vlerat e rreme, që kanë çuar në krizë: "Ne kemi konsumuar pa fre." Synimi për t'u pasuruar, ka zëvendësuar të gjitha vlerat e tjera. Në përgjigje të kësaj Pallete-Rivas ka krijuar fondacionin Calidad y Cultura Democráticas, që kujdeset për edukimin politik. "Natyrisht politikanët dhe varësia e tyre nga sipërmarrjet, bankat dhe ndikimi i tyre mbi gjyqësorin kanë një faj të madh për situatën e tanishme, por edhe shoqëria nuk është e pafajshme. Spanjollët nuk kanë mbërritur akoma me të vërtetë në demokraci."

Ai dëshiron të ndihmojë në shkolla dhe media sociale, si dhe me kurse falas, për ta bërë Spanjën më demokratike. Skulptori Lapuente e përshëndet një angazhim të tillë. Ai vetë thotë: "Unë kam luftuar kundër Frankos dhe e kam mirëpritur me gëzim demokracinë. Tani unë luftoj kundër politikanëve të korruptuar, që kanë sjellë këtë sistem, që është i varur nga drejtësia dhe ekonomia. "