1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Spanjë: Bum turizmi dhe kushte të mjerueshme pune në hotele

Viti i kaluar ishte rekord për turizmin në Spanjë, të ardhurat për 2016 do ta thyejnë këtë rekord. Por dega e shërbimeve ka edhe një bilanc të zymtë: shumë shumë punë për pak para.

Rritja e rrezikut nga terrori dhe kohët e trazuara politike në destinacionet klasike turistike si Turqia, Greqia dhe Egjipti, kanë nxitur gjithnjë e më shumë turistë drejt Spanjës. Ky vend ka garanci si për diellin edhe për sigurinë. Por jo të gjitha degët e turizmit kanë arsye për të qenë entuziaste. Sepse ato hasin edhe në kritika lidhur me kushtet e punës në sektorin e shërbimeve. Në këtë drejtim bilanci është i zymtë: shumë shumë punë për pak para. Më të prekurat janë gratë që punojnë në shërbim në hoteleri. Rrjeti i hoteleve për t'i bërë ballë fluksit të turistëve nuk kursen asnjë mjet duke shfrytëzuar të punësuarit.

Një ish-punëtore shërbimi në një hotel, Maria, (nuk dëshiron të identifikohet) sot është e sëmurë dhe e pushuar nga puna, por sëmundja e saj iu shkaktua prej punës së rëndë në një hotel në Barcelonë. Para një viti asaj iu konstatua infeksion ligamentesh në krahun e djathtë. "Unë s'jam më në gjendje të ngre gjë kur rregulloj krevatin, pastroj apo laj enët. Ul e ngre, vjen një moment, kur krahu nuk funksionon më."

Gjithnjë e më shumë ankesa

Ashtu si Maria ankohen gjithnjë e më shumë punonjëse shërbimi në hotele për kushtet gjithnjë e më të vështira të punës. E kjo në Spanjë, ku turizmi është në bum. 93 milionë klientë kanë paguar këtu çmime të majme vitin e kaluar. Sivjet dega e hotelerisë llogarit rekordin e ri. Maria përshkruan kushtet e punës: "Ne na jepnin shtatë deri në dhjetë minuta për dhomë. Nuk na lejohej të bënim pushim. Në drekë nuk mund të hanim. Në vend që të mbaronim punën pas tetë orëshit na duhej të bënim edhe punë të tjera, që nuk i njihnim. Orët shtesë nuk na paguheshin."

Maria kishte rënë dakord për një pagë të qartë para se të merrte vendin e punës, por në radhët e menaxhuesve të hotelerisë ka gjithmonë e më shumë nga ata që abuzojnë me normat e punës. "Më thanë, se do të fitoj 1200 Euro në muaj dhe se kushtet e punës janë të mira. Por asgjë nuk doli e vërtetë. Kushtet ishin të këqia dhe paga e ulët." Marian madje e pushuan nga puna, sepse shpesh ishte e sëmurë. Ndërkohë që ajo edhe pse ishte e sëmurë ka punuar gjatë gjithë vitit.

Tani Maria është e papunë, ashtu si një në pesë gra në Spanjë. Hoteli i referohet ligjit. Me reformën para katër vjetësh në tregun e punës ligjii i mbrojtjes së punëmarrësit nga mbyllja e kontratës është ndryshuar në favor të sipërmarrësit, madje edhe në rast sëmundjeje. Presioni i konkurrencës në këtë degë është mjaft i madh, pranon drejtori i hotelit, Ricardo Campo Grau: "Një firmë nuk është organizatë ndihme. Një firmë ka pjesëmarrësit në kapital, të cilët rrezikojnë paranë e tyre dhe duan të nxjerrin fitime. Në rast të kundërt ata nuk do të investonin. Pra duhet që të marrësh vendime, ndonjëherë edhe të pakëndshme e mjaft të dhimbshme."

Zhgënjim nga sindikata dhe vetëmobilizim

Reforma në tregun e punës - është shkaku i kësaj gjendjeje të mjerueshme, sipas sindikatave. Në krizën ekonomike qeveria me shumicën e vet absolute e miratoi këtë reformë, kundër votës së përfaqësuesve të punëtorëve. Paco Galván Fernández, nga sindikata CCOO: "Para reformës në tregun e punës një gjë e tillë ishte ilegale: tani ne kemi të bëjmë me punëmarrës, që mund të pushohen nga puna brenda ditës, në mënyrë që më pas të punojnë për gjysmë page në firmat subkontraktuese, që japin kontrata afatshkurtra, e jo direkt në hotel." Punonjëset e shërbimit në hoteleri janë të zhgënjyera edhe prej sindikatës, sepse ato nuk arritën ta bllokojnë reformën në tregun e punës.

Ndaj ato kanë krijuar shoqatën "Las Kellys". Ato tani vet ushtrojnë presion kundër hoteleve dhe firmave subkontraktuese. Ato duan madje, që sëmundje të caktuara të njihen si sëmundje profesionale. Në një rast të tillë edhe Rosmery nga Bolivia do të kishte një shans për të marrë ndihmë. "Kur u largova nga vendi im, as që e kisha menduar, se do të gjendesha ndonjëherë në këtë situatë. Më vjen keq, që nuk mund t'u jap fëmijëvë të mi atë që meritojnë."

Rreth 100.000 punonjëset e shërbimit në hoteleri në Spanjë nuk kanë lobi. Ka shumë të papuna, me të cilat hotelet i zëvendësojnë shpejt vendet vakante, kur punonjëset e pakënaqura dalin në barrikada.