1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sorrat pushtojnë Berlinin

Fabian Schmidt/ Esat Ahmeti5 Tetor 2012

Ka 20 vjet që sorrat kanë ngritur foletë e tyre në Berlin. Aktualisht mendohet të jenë pesë deri në gjashtë mijë çifte. Ato reflektojnë ndryshimin e raporteve në mes të qytetit dhe rrethinave urbane.

https://p.dw.com/p/16KqI
Sorrat pushtojnë BerlininFotografi: picture-alliance/dpa

Gjatë ditës ato shihen të vetme apo në çift duke shetitur shesheve dhe livadheve të Berlinit: sorrat e zeza kërkojnë në kovat e plehrave, tërheqin qeset e plastikës, çukisin në mbeturinat e ushqimit të shpejtë Fast-Food. Në mbrëmje ato fluturojnë tufa-tufa mbi kryeqytet. "Sorrat sulmojnë banorët e kryeqytetit", mund të lexosh po kërkove në internet me fjalët "sorrë" dhe "Berlin". Në youtube janë futur video në të cilat artikujt e gazetave për "pllakosjen e Berlinit nga sorrat" janë kombinuar me pjesë të filmit thriller të Hitchcock-ut, "Zogjtë".

E shtunë, mbrëmje në sheshin Aleksanderplatz në Berlin. Lartë mbi turmën e kalimtarëve dhe turistëve një tufë e sorrave sillet në qiellin gri të vjeshtës për tu larguar pastaj ngdalaë në drejtim të perëndimit.

Sorrat
SorratFotografi: GABRIEL BOUYS/AFP/Getty Images

"Në sheshin e Aleksandrit por edhe rreth lagjes qeveritare... Zyrës së Kancelarit, ... ju mund të shihni tufa të mëdha të sorrvae që fluturojnë zakonisht në mbrëmje - me mijëra sorra". / "Në Prenzlauer Berg tash vonë është sulmuar një njeri... Bile aty nuk kanë vendosur as shenja paralajmërimi." / "Një koleg i imi më ka treguar para pak kohësh se gruaja e tij e cila po kalonte përmes parkut është sulmuar nga një sorrë. Ndoshta ajo ka ngritur atje folenë e saj."

...Ndoshta. Dhe ndoshta kjo histori ka ndodhur para gjashtë muaj. Sepse njoftime për sulme të sorrave zakonisht mund të dëgjosh në fillim të verës, thotë ornitologu Jens Scharon nga Federata për Mbrojtjen e Natyrës. Kur të vegjëlit e sorrave mësojnë të fluturojnë, gjatë përpjekjeve të para për të fluturuar nganjëherë bien nga foletë e tyre. Disa banorë me zemër të madhe por me pak njohuri për natyrën mendojnë se duhet të ndihmojnë dhe të shpëtojnë kafshët e vogla që bien nga foletë e tyre por kështu nuk mendojnë edhe prindërit e sorrave të vogla, të cilat duan pastaj të mbrojnë të vegjëlit e tyre.

"Fenomeni i sorrave luftarake ekziston që prej dhjetë vjetësh. Ne për çdo vit regjistrojmë pesë deri në dhjetë raste dhe gjithashtu bëhet fjalë vetëm për disa çifte sorrash që tregojnë një sjellje të tillë që shkon deri te kontakti fizik midis kafshëve dhe njerëzve. Por kjo nuk është diçka që ndodh rregullisht".

Sorrat
SorratFotografi: JACQUES DEMARTHON/AFP/Getty Images

Ka 20 vjet që sorrat kanë ngritur foletë e tyre në Berlin. Aktualisht mendohet të jenë pesë deri në gjashtë mijë çifte. Sipas Jens Scharon sjellje agresive tregojnë para së gjithash ato kafshë që janë mësuar ndërkohë me njerëzit si për shembull një çift sorre që ka folën e tij për vite të tëra përgjatë shëtitores së Liqenit të Tegelit.

"Aty kishte pastaj për çdo vit lajme të tilla. Bëhej fjalë për një çift që nuk kishte më fare frikë nga njerëzit. Sidomos në promenadën Greenwich njerëzit i ushqejnë shumë kafshët. Por si mund ta kuptojnë sorrat: njëri më ushqen dhe gëzohet shumë kur unë i kërcejë në dorë për të marrë ushqimin ndërsa një tjetër e sheh këtë si kërcënim."

Sorrat e kryeqytetit nuk janë dyndje, thotë Guntram Meier, biolog dhe ekspert për për speciet invazive të kafshëve. Përkundrazi, ato reflektojnë ndryshimin e raporteve në mes të qytetit dhe rrethinave urbane. Nga njëra anë me gjithë këto dyqane të ushqimit të shpejtë dhe kovat e hapura të plehërave Berlini është një parajsë e vërtetë për shpendët si sorrat. Nga ana tjetër ka gjithnjë e më pak fusha dhe djerrina në rrethinën e Berlinit pra gjithnjë e më pak alternativa për sorrat në kërkim të ushqimit në qytet. Kjo vlen edhe për soorat që çdo vjeshtë me mijra vijnë nga Evropa Lindore.