1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sondazhi i DW në Moskë: "Misioni në Krime hapi i duhur"

Karsten Kaminski8 Mars 2014

Raportimet e medias perëndimore për Krimenë nuk janë të vërteta, thonë shumë moskovitë për DW. Pak rusë janë kritikë ndaj politikës për Krimenë. Sipas politologëve të afërt me Kremlinin sanksionet nuk do të kenë efekt.

https://p.dw.com/p/1BLzV
Sheshi Manezhë
Fotografi: DW/K. Kaminsk

Në Europë dhe në SHBA ekzsiton frika nga një luftë e re e ftohtë. Por një shumicë e konsiderueshme e rusëve, të intervistuar nga DW, e miratojnë ndërhyjen ushtarake në Krime: "Ne mendojmë, se Rusia i mbron mirë qytetarët e saj. Në parim nuk ka pasur sulm ndaj Ukrainës", thotë një i ri në sheshin Manezhë në qendër të Moskës. Ai mendon, se argumentimi i Kremlinit është logjik: qeveria në Ukrainë përfaqësohet prej ekstremistëve, ndaj Rusia duhet t'i mbrojë qytetarët e saj.

"Në Krime jetojnë shumë rusë, ndaj atje është territori ynë", mendon një studente. "Që atje nuk lejohet më ligjërisht të mësosh rusishten, kjo është e tmerrshme", thotë ajo. Të tjerë madje shkojnë edhe më tej: "E gjithë historia e sheshit 'Maidan', është e menduar prej Perëndimit, për t'iu afruar Rusisë dhe për ta vënë atë nën presion."

Studente ruse
Studente në sheshin Manezhe në MoskëFotografi: DW/K. Kaminski

Zërat kritikë janë të rrallë

Vetëm një nga të intervistuarit në moshë mesatare beson, se Putini ka marrë një vendim të gabuar politik: "Ukraina është ende një vend miqësor. Lufta në përgjithësi nuk është zgjidhje. Por duhet të negociohet mirë, sepse kështu arrin shumë më tepër." Megjithatë qëndrimi i shumicës së të anketuarve shkon në drejtim tjetër: Nëse ukrainasit ndahen dhe do të orientohet nga BE-ja, atëherë Rusia duhet të veprojë me mjete më të ashpra.

Dmitrij Oreshkin, është një studiues i shkencave politike kritik ndaj Kremlinit. Në intervistë për DW ai deklaron, se: "Rusët e brohorasin Putinin, sepse ai ka mbështetur shpirtin e fortë rus. Ai i ka treguar kufirin Perëndimit. Të tilla deklarata dhe të tjera fjalë lëvduese transmetohen vazhdimisht në televizionin shtetëror.“

Por një ndërhyrje në Krime e hedhin poshtë në mënyrë kategorike edhe politologët e afërt me Kremlinin. Sergei Markov, studiues i shkencave politike dhe këshilltar i Kremlinit, të enjten (06.03.2014) shkruante në "Moscow Times", se Rusia nuk do ta sulmojë Ukrainën. Moska përpiqet të zgjidhë krizën. Dhe për këtë Ukraina duhet të pozicionohet ndryshe politikisht. "Qeveria aktuale përbëhet nga shumë ekstremistë. Ky vend ka nevojë për një demokraci, e cila të lejojë gjuhën ruse dhe parimin e federalizmit.“

Ndërtesa e Parlamentit në Moskë
Fotografi: picture-alliance/ZB

Krahasime me nazistët nga të gjitha palët

Ndaj, sipas tij, mundësisht zgjedhjet duhet të zhvillohen shpejt, përpara se ekstremistët të fitojnë edhe më shumë pushtet. Nëse kjo nuk ndodh shpejt, atëherë Markov, nuk sheh rrugë tjetër veçse një luftë mes Ukrainës dhe Rusisë. Gjendjen aktuale në Ukrainë me qeverinë e re në Kiev ai e krahason me marrjen e pushtetit prej nacionalsocialistëve në vitet 1930 në Gjermani. Ndërsa të mërkurën ish-ministrja e Jashtme e SHBA-së Hillary Clinton e krahasoi Putinin me Hitlerin. Ajo paralajmëroi nga rreziku i një ri-sovjetizimi.

Ndërkohë Perëndimi ka vendosur sanksione kundër Rusisë. Aleksej Muhin, një politolog i afërt me Kremlinin, nuk është i shqetësuar për këtë: “Një izolim i Rusisë nuk është i mundur, sepse Rusia është një faktor i rëndësishëm në politikën botërore, e ç'është më kryesorja pa të ekonomia botërore nuk mund të dalë nga kriza. Ngado që ta shohësh, ne duhet të bashkëpunojmë." Kritiku i Kremlinit Oreshkin mendon, se qeveria ruse thjesht nuk do t'i përfillë sanksionet, ngjashëm si dhe kritikën gjatë luftës në Gjeorgji në vitin 2008.