1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sondazh i DW: Gjermanët të ndarë për kufizimin e imigracionit

Beate Hinrichs14 Shkurt 2014

Zviceranët vendosën me një shumicë votash: jo të gjithë do të lejohen të hyjnë në vendin e tyre. Gjermanët janë më të hapur ndaj imigrantëve - pak më të hapur, siç e tregon një anketim i DW.

https://p.dw.com/p/1B8HJ
Zvicrra votoi për kufizimin e numrit të të huajve.
Zvicrra votoi për kufizimin e numrit të të huajve.Fotografi: imago/Geisser

48 përqind e gjermanëve do ta mbështesnin një kufizim të imigrimit. Kjo rezultoi në një sondazh të institutit të studimit të opinionit, Infratest Dimap, i porositur nga Deutsche Welle. 46 përqind iu përgjigjën me jo pyetjes "Ta zëmë se do të votonit në një referendum për kufizimin e imigrimit në Gjermani, a do të votonit për një kufizim të migrimit apo do të votonit kundër kufizimit të migrimit?"

Përgjigjet dallohen shumë varësisht nëse ato vijnë nga Lindja apo nga Perëndimi i Gjermanisë. Në landet perëndimore të Gjermanisë, kultura e mikpritjes është më e madhe se në Lindje të Gjermanisë. 45 përqind e të pyeturve në landet e vjetra të Gjermanisë u shprehën pro kufizimit të imigrimit, në Lindje ishin 56 përqind.

Zvicrra votoi për kufizimin e numrit të të huajve - po si so të votonin gjermanët?
Zvicrra votoi për kufizimin e numrit të të huajve - po si so të votonin gjermanët?Fotografi: picture-alliance/dpa

Edhe shkalla e arsimit luan një rol të madh në përgjigjet që u jepen pyetjeve. Kështu, midis të pyeturve që kishin mbaruar shkollën e lartë, 58 përqind u shprehën pro një kufizimi imigrimit dhe 38 përqind u shprehën kundër një kufizimi. Tek qytetarët që kishin mbaruar maturën ose shkollën e mesme profesionale, vetëm 33 përqind ishin pro një kufizimi të imigrimit. 59 përqind u shprehën kundër një kufizimi.

Në Zvicër, të dielën që shkoi (09.02.2014) qytetarët votuan në një referendum për të ardhmen e imigrimit në vendin e tyre. Me një rezultat të ngushtë: 50,3 përqind e popullatës votuan për një kufizim të imigrimit. Kjo shkaktoi tronditje në BE, sepse deri tani për qytetarët e BE në Zvicër ka liri lëvizje. Rreth 290.000 gjermanë jetojnë dhe punojnë në Zvicër.

Referendumi u organizua nga partia konservatore e djathtë anti BE, Partia Popullore Zvicerane (SVP), qeveria zvicerane ka tani tri vjet kohë që këtë vendim ta derdhë në një ligj dhe ta vërë atë në jetë. Ministria e Drejtësisë në Bernë do të paraqesë deri në fund të qershorit një projekt të parë. Deri në fund të vitit do të paraqitet një projektligj.