1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Solidaritet me të prekurit nga përmbytjet

Me familjet e përmbytura në Shkodër, po solidarizohen edhe mjaft rrethe të tjera të vendit, duke dhënë ndihmën e tyre logjistike e financiare. Ndihma financiare kanë ardhur edhe nga Kosova.

Bahçallëk buzë Drinit.

Bahçallëk buzë Drinit.

Harta e zonave të përmbytura në Qarkun e Shkodrës, gjatë këtyre orëve të fundit, është zgjeruar. Situata është rënduar pasi janë shtuar sipërfaqet e përmbytura nga shkarkimet e detyrueshme të hiodrocentraleve, jo vetëm në fshatrat e Nën-Shkodrës, por edhe në disa lagje të qytetit. Uji ka bllokur edhe rrugën nacionale që lidh qytetin e Shkodrës me pjesën tjetër të Shqipërisë. Vetëm në vëndin e quajtur Harku i Bërdicës, në afërsi të lagjes Bahçallëk, uji ka arritur në 60 cm, duke bërë kështu të pakalueshme rrugën, ndërkohë qarkullimi i automjeteve, po bëhet nëpërmjet segmentit tjetër rrugor, atij të Vaut të Denjësit.

Evakuimi i banorëve përmes ndërgjegjësimit

Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, deklaroi se po merren të gjitha masat e duhura, për evakuimin e banorëve, në periferi të qytetit: "Për momentin evakuimi po kryhet pa forma presioni, por nëpërmjet një presioni ndërgjegjësues nga forcat e policisë dhe pushteti lokal, për të ndërgjegjësuar ata banorë që akoma kanë mbetur në shtëpitë e tyre, dhe për domosdoshmërinë e evakuimit, si një masë paraprake dhe për t'i paraprirë çdo situate që mund të përshkallëzohet gjatë ditëve në vazhdim".

Ndërkohë forcat e policisë, nëpërmjet mjeteve detare lundruese dhe ato ajrore të ushtrisë, po ndihmojnë familjet e përmbytura, duke i nxjerrë, jashtë rrezikut për jetën. Sipas banorëve, deri tani janë rreth 150 banesa të përmbytura në rreth 7 komuna të rrethit Shkodër, por edhe në lagjet periferike të qytetit: "Uji i Drinit është në rritëm të ngadaltë. Për Bahçallekun është një gjendje normale, pasi ne jemi mësuar me këtë gjendje, për të vetmen arsye se kjo lagje është në breg të Drinit. Pushteti lokal i ka marrë të gjitha masat e duhura për evakuimin e popullësisë, pavarësisht se nuk ka qënë i domosdoshëm, se në të tilla raste, ne strehohemi në katet e dyta. Deri në këto momente janë mbi 40 familje që u ka hyrë uji nëpër oborre dhe nuk shohim ndonjë shqetësim"- shpjegon Kryeplaku i Bahçallëkut, Hamdi Mustafa.

Banorët marrin masa - gomone dhe strehim tek të afërmit

Pamje nga shëtitorja Ura e Bunës

Gomone për të lëvizur në qytet.

"Kena marrë gomonen për raste emergjente, pasi nuk e dimë se si do të jetë situata më vonë kur mendohet se mund të shtohet uji më shumë. Prandaj kështu jena të sigurtë dhe nuk kemi rrugë tjetër se si të veprojmë”, tregon një banor. Të tjerë ankohen: "Askush nuk ka ardhur me pyet për ne, pavarësisht se pushtetarët kanë ardhë në Shkodër. Njerëzit e shtëpisë i kemi larguar, por kemi lënë nga një person të vetëm në shtëpi, për të ruajtur objektet tona deri sa ne ta shohim të arsyeshme me ndej këtu “.

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, gjatë një inspektimi në zonat e përmbytura, ka bërë përsëri thirrje, drejtuar banorëve për evakuim. Ndërkohë. Berisha u ka premtuar familjeve, kompensimin e dëmeve dhe pasojave nga përmbytjet: "Të gjithë banorët të evakuohen, se do të jenë nën kujdesje të plotë dhe do të kenë kompensim të plotë, për dëmet shkaktuara nga kjo përmbytje".

Solidaritet me të përmbyturit nga i gjithë vendi dhe nga Kosova

Situata e krijuar, ka sensibilizuar mjaft rrethe të vëndit, të cilat po japin ndihmën e tyre financiare e logjistike për familjet e përmbytura. Kryetari i Bashkisë së Kukësit, Hasan Halili, për të ndihmuar të rrezikuarit, ka dhuruar, mbi 4 milion lekë për zonat e përmbytura: "Bashkia e Kukësit, jeton me shqetësimin dhe ngjarjet e fundit në zonën e Shkodrës dhe të Lezhës. Solidarizohet dhe mbështet fuqishëm përpjekjet e qeverisë shqiptare dhe të gjithë pushtetit lokal, për të kaluar këtë situatë mjaft të rëndë. Në këtë kuadër, Bashkia e Kukësit, ofron 3 mijë euro për zonat e përmbytura”.

Ndërkohë që Bashkia e Kamëz, ka dhënë mbi 5 mijë euro, ndërsa Komuna e Gjakovës, rreth 10 mijë euro ndihmë financiare, për familjet e Komunave të përmbytura në Qarkun e Shkodrës.

Autor: Lekë Plani

Redaktoi: Eliana Xhani


DW.COM

  • Data 09.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LPVe
  • Data 09.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LPVe