1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Socialistët serbë mendojnë t'u kërkojnë falje qytetarëve

Kryetari i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS) Ivica Daçiq vlerëson se partia që drejton ai mund t'u kërkojë falje qytetarëve të Serbisë për problemet që ata kanë pasur në vitet 90.

Ivica Dacic, ministër i Brendshëm i Serbisë

Ivica Dacic, ministër i Brendshëm i Serbisë

Kryetari i socialistëve, zëvendëskryeministri serb dhe ministri i Brendshëm serb Ivica Daçiq tha se partia e tij "mund t'iu kërkojë falje qytetarëve të Serbisë për shkak të problemeve në vitet e 90-ta", për shkak se ajo është pjesërisht përgjegjëse për to. Daçiq tha se për problemet që atëherë kanë ekzistuar pjesërisht janë fajtorë socialistët dhe pjesërisht situata e përgjithshme në të cilën ka kaluar vendi.

Në kontekstin e zgjedhjeve

Është interesante që kryetari i një partie e cila ka një të kaluar të tillë si SPS-i, dëshiron t'u kërkojë falje qytetarëve të Serbisë dhe njëkohësisht shtrohet pyetja për motivet e marrjes së një hapi të tillë, thotë për Deutsche Wellen Milan Antonijeviq, drejtor i Komitetit të Juristëve për të Drejtat e Njeriut (YUCOM) Një fjali me të cilën ti do t'u kërkosh falje qytetarëve të Serbisë nuk është fjali si e Willy Brandt-it, por diçka që është pjesë e fushatës parazgjedhore, vlerëson Antonijeviq:

"Këtu do të duhej të shihej a do të ketë hapa shtesë. A do të vërehet dëshira e vërtetë për t'u ballafaquar me këtë periudhë, se a do të flasin me sinqeritet për ato që solli politika e Sllobodan Millosheviqit, por dhe politika që vazhdoi pas vitit 2000. Ju as atëherë nuk jeni distancuar qartë por keni mbështetur të gjitha ato gjëra që na çuan në luftëra. Ne në 11 vitet e fundit jetojmë në harresë, pa kërkim falje, pa veprime konkrete dhe distancime të atyre që kanë marrë pjesë në këto ngjarje dhe prej të cilave edhe jetojmë kështu sot."

Vetëm kërkimi i faljes nuk mjafton

Miljenko Dereta, drejtor i Iniciativës Qytetare, deklaratën e Daçiqit e sheh poashtu në kontekstin e zgjedhjeve. Duket qartë se Daçiqi ka vlerësuar se votat e të ashtuquajturëve "besnikë" të SPS-it nuk janë të mjaftueshme dhe ato dëshiron t'i zgjerojë me ata të cilët kanë qenë të prekur drejtpërdrejt në vitet e 90-ta dhe të cilët kanë raporte shumë të veçanta me të kaluarën e SPS-it. Dereta vlerëson se vetëm kërkimi i faljes nuk është i mjaftueshëm:

"Përveç kërkimit të faljes shumë më e rëndësishme është që në politikën e kuadrove të SPS-it mos të jenë më të pranishëm njerëz, të cilët në këtë apo në një mënyrë tjetër përfaqësojnë vazhdimësinë e politikës së Millosheviqit. Poashtu do të duhej që në deklararat që jepë vetë Daçiqi të mos ketë ngjashmëri të pakëndshme me ato deklaratat që kemi dëgjuar në kohën e Millosheviqit."

Në qoftë se vjen deri tek një kërkim falje e tillë, qytetarët e Serbisë fitojnë një pikënisje pas së cilës mund të thuhet se edhe ata që morën pjesë në këtë politikë nuk e mbështesin më një politikë të tillë, thekson Antonijeviq. Ndërkaq Dereta vlerëson se qytetarët e Serbisë nuk fitojnë shumë, sepse e kaluara nuk mund të ndryshohet, por është e mundur që pas kësaj partia SPS të shihet më ndryshe, si një parti e cila hoqi dorë nga e kaluara e saj.


Kërkim falje edhe për rajonin?

Duke pasur parasysh problemet që ka shkaktuar politika e Sllobodan Millosheviqit në hapësirat e ish-Jugosllavisë, shtrohet pyetja se përveç qytetarëve të Serbisë a do të duhej t'iu kërkohej falje edhe qytetarëve të rajonit. Miljenko Dereta mendon se do të duhej të ndodhte një gjë e tillë:

"Po. Edhe pse mendoj që qytetarët e vendeve fqinje në rajon këtë nuk e lidhin me një parti, por me shtetin dhe popullin që ka mbështetur me gjithë shpirt atë politikë, pa marrë parasysh se pjesë të shtetit dhe të kombit, atëherë dhe sot janë distancuar nga kjo politikë dhe presidenti ynë ka kërkuar falje në disa raste, thotë Dereta. Kërkimet e faljes në këtë kuptim janë një ritual që në fakt nuk ndryshon shumë gjëra", konsideron Dereta.

Megjithatë qytetarët e Serbisë e meritojnë një kërkim falje të tillë nga SPS-i, por një kërkim falje të tillë patjetër që e meritojnë edhe shtetet në rajon, të cilat ende kanë gjurmë të rënda nga konfliktet e viteve të 90-ta, vlerëson Antonijeviq.

Autorë: Ivica Petroviq / Esat Ahmeti

Redaktoi: Auron Dodi