1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

221108 F Sozialisten

Claudia Deeg22 Nëntor 2008

Në zgjedhjet e balotazhit për postin e kryetarit të Partisë Socialiste franceze, ish ministrja e punës Aubry arriti të fitojë me 42 vota më shumë. Por kundërshtarja e saj Ségolène Royal do ta kundërshtojë rezultatin.

https://p.dw.com/p/G021
Ish ministrja franceze e punës, socialistja Martine Aubry.Fotografi: AP

Më keq nuk kishin si të shkonin punët për partinë socialistë franceze. Rezultati shumë i ngushtë i zgjedhjeve pasqyron përçarjen e thellë të partisë më të madhe opozitare në Francë. Socialistët ndodhen përpara shpëthimit, thonë komentatorët. Kryetari i deritanishëm i socialistëve François Hollande, kërkoi nga anëtarët e partisë që njëherë për njëherë të ruajnë qetësinë. Ajo është shumë e nevojshme pas natës së trazuar të zgjedhjeve. Në mes të javës së ardhshme do të mblidhet në një takim krize këshilli i partisë. Detyra e instancës më të lartë të partisë është të konfirmojë rezultatin e zgjedhjeve dhe ta shpallë atë të vlefshëm. Me 50,02 për qind fitoi zgjedhjet ish ministrja e punës Martine Aubry. Në vlerë absolute kjo do të thotë një avantazh prej vetëm 42 votash ndaj konkurrentes Ségolène Royal. Ajo nuk e pranon rezultatin. A është Royal një humbëse e keqe apo ka prova të forta për manipulim të zgjedhjeve? Avokati i saj Jean-Pierre Mignard njoftoi natën e zgjedhjeve (21.11.):


"Ne kemi marrë disa protesta për ecurinë e zgjedhjeve. Kontrolli i këtyre parregullsive është i vështirë e ndoshta i pamundur. Për këtë arsye nuk mund të pranojmë këtë rezultat të kontestuar zgjedhjesh. Ségolène Royal dhe ekipi i saj kërkojnë një raund të ri zgjedhjesh."


Aubry e refuzoi menjëherë idenë për përsëritje të zgjedhjeve. Lufta për pushtet vazhdon me të gjitha forcat, pasi nuk bëhet fjalë vetëm për kryesinë e partisë por edhe për përcaktimin e pozicionit të socialistëve për zgjedhjet presidenciale 2012. Përkrahësit e Aubry-së thonë se i zgjedhuri është i zgjedhur, s'ka rëndësi sa i ngushtë ka qenë rezultati. 58-vjeçarja Martine Aubry është kryetare e re e partisë socialiste. Françoi Lamy u shpreh:


"Ne kishim rregulla loje dhe ato parashikonin një zgjedhje me dy raunde. Në zgjedhjet demokratike fiton ai që merr më shumë vota. Ne nuk mund t'i ndryshojmë rregullat gjatë lojës dhe këtë herë në lojë është shumë: e ardhmja e socialistëve."


Kryetarja e bashkisë së qytetit Lille dhe vajza e ish presidentit të Komisionit të BE-së Jacques Delors, ka një punë vështirë. Edhe pse ka fituar, gjysma e bazës është kundër saj. Aubry synon ta ankorojë partinë socialiste sërisht majtas. Gjatë muajve të shkuar ajo në mënyrë të përsëritur ka ngritur lart vlerat tradicionale të të majtëve. Ndërsa 55-vjeçarja Royal thekson rëndësinë e një ndryshimi brezash dhe synon ta pozicionojë partinë drejt qendrës. Nga zënkat që vazhdojnë prej muajsh në rradhët e socialistëve, të cilat arritën kulmin në natën e zgjedhjeve, orët e vonëta të së premtes, përfiton para së gjithash presidenti francez Nicolas Sarkozy dhe partia e tij koservatore në pushtet MPU. Për kryetarin e shtetit francez aktualish nuk ka asnjë opozitë serioze.