1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Socialdemokratët gjermanë përpiqen të përmirësojnë imazhin

Kongresi i Partisë Socialdemokrate Gjermane (SPD) kishte për synim të sillte sinjale pozitive në fushatën parazgjedhore. Shumë delegatë dhe simpatizantë të kësaj partie mendojnë se kongresi ishte i suksesshëm.

Menjëherë pas fjalisë së parë të kandidatit të socialdemokratëve për kancelar, Peer Steinbrück, të gjithë u ngritën në këmbë. Pasoi një duartrokitje prej dy minutash, ndonëse ai tha vetëm se "do të bëhet kancelar". Kjo nuk është asgjë e re, por vetë mënyra se si ai e tha këtë fjali bëri që njerëzit të ngrihen në këmbë.

As Dieter dhe Renate Mathes nuk e kanë pritur një paraqitje të tillë të Steinbrück-ut. „Ai na ka mobilizuar me të vërtetë për fushatë zgjedhore“, thonë të dy pensionistët. Ata janë ngritur shumë herët sot dhe kanë ardhur këtu për të parë se cili është disponimi në radhët e socialdemokratëve. Sipas sondazheve më të reja, 63 % e zgjedhësve do të votonin sot për kancelaren e tanishme Angela Merkel, që do të thotë se kandidatja e CDU-së ka një mbështetje shumë më të madhe se socialdemokrati Peer Steinbrück. Situtata e ngjashme është edhe me mbështetjen e partive politike. Bashkimi CDU/CSU ka aktualisht mbështetjen e 42 % të zgjedhësve, ndërsa SPD vetëm 27 %. Por problemi i partive unioniste është që partneri i tanishëm në koalicion, FDP po lufton për të arritur kufirin e futjes në parlament, prej 5%.

Nëse FDP nuk e kalon pragun, do të hapej mundësia që socialdemokratët së bashku me ekologjistët megjithatë të fitojnë zgjedhjet e 22 shtatorit të këtij viti. Ndaj ishte edhe krejt logjike që në kongresin e socialdemokratëve të fliste edhe bashkëkryetarja e ekologjistëve, Claudia Roth.

Peer Steinbrück kërkon të bëhet kancelar

Peer Steinbrück kërkon të bëhet kancelar

"Qeveria e tanishme është qeveria më e keqe e të gjitha kohërave", tha Roth, e cilia kancelaren Angela Merkel e kritikoi për "ftohtësi sociale". Roth mendon se Gjermania nuk ka nevojë vetëm për një ndryshim të qeverisë, por edhe të sistemit qeverisës. Ndërsa Peer Steinbrück më pas e plotësoi fjalimin e saj duke thënë se "kapitalizmi i urryer nuk ka kurfarë të ardhmeje". Motoja e tij është: Më shumë "ne" sesa "unë".

Kundër pasurisë vetëm të një shtrese të vogël

Peer Steinbrück do që në Gjermani të ketë një shpërndarje më të drejtë të parave të taksapaguesve. Në kongres është miratuar edhe programi partiak, i cili parashikon më shumë tatime për super të pasurit. Por kjo paketë duhet të plotësohet edhe me elemente të tjera, sepse në Gjermani sipas të dhënave të autoriteteve statistikore vetëm 8% e njerëzve fitojnë më shumë se 100.000 euro në vit. E gjitha bota financiare duhet të futet nën kontroll, e disa aktivitete të bankave duhet madje edhe të ndalohen. Steinbrück-u i ka shpallur luftë spekulantëve me financa. Në anën tjetër, kërkon më shumë investime në arsim dhe familje. Ai mendon se shtresat e mesme dhe të ulëta në Gjermani janë në pozitë të pavolitshme sociale. Ndaj kërkon që me masa të shtetit të mundësohet që qiratë dhe çmimet e energjisë të mund të paguhen prej të gjithëve.

Delegatë në kongresin e SPD

Delegatë në kongresin e SPD

Shumë pika të programit janë propozuar nga vet qytetarët dhe jo nga delegatët. Partia socialdemokrate, me një traditë prej 150 vitesh, synon që në këtë mënyrë të afrohet edhe më shumë me popullin. Shumë vizitorë të këtij kongresi mendojnë se ky është vetëm një shou. Por Maren dhe Sven mendojnë se qëndrimet e tilla janë të mira. Edhe ata janë të kënaqur me qëndrimet e kandidatit të tyre për kancelar. Ndonëse nuk e kanë të qartë se si do të financohet i gjithë ky program i SPD-së. Në mediat gjermane programi quhet si një "paketë dëshirash për mirëqenje". Frank-Walter Steinmeier shpjegon në një intervistë për Deutschen Wellen: „Ne i kemi bërë llogaritë e duhura financiare, ndaj programi ynë mund të realizohet.“

Më shumë diplomaci në politikën e jashtme gjermane

Frank-Walter Steinmeier, udhëheqës i grupit parlamentar të SPD në Bundestag dhe kandidat për kancelar në zgjedhjet e vitit 2009, pohon se një vëmendje më e madhe duhet t'i kushtohet "politikës së re të jashtme". Ai mendon se Gjermania nën qeverinë e tanishme e ka humbur influencën në diplomaci. SPD-ja është e mendimit se Gjermania në Lindjen e Mesme edhe më tej duhet të angazhohet për zgjidhjen e problemeve përmes krijimit të "dy shteteve".

Në programin e SPD-së thuhet se duhet vazhduar me mbështetjen e lëvizjeve për ndryshime në vendet arabe. Ajo i premton mbështetje Turqisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ndërkohë që për të ardhurit e huaj në Gjermani parashikohet edhe mundësia e dyshtetësisë, që do të thotë se ata që marrin pasaportën gjermane mund të mbajnë edhe pasaportën e vendit të tyre. Peer Steinbrück thotë se në të kaluarën janë bërë gabime në këtë drejtim, ndaj "ne duhet të ndihmojmë në veçanti imigrantët e rinj.“

Sa i përket politikës ndaj Evropës, kërkohet që ajo të investojë të paktën 0,7 të prodhimit bruto. Misionet e jashtme të Bundeswehrit duhet të rishikohen. „Por këtë e kemi bërë edhe kur kemi qenë në koalicionin qeveritar", pohon Steinmeier. Ndërsa eksporti i armëve, në rast të fitores së socialdemokratëve, do të kontrollohet shumë rreptësisht.

Shumë qytetarë të ftuar në këtë kongres janë dakord me programin e SPD-së, por nuk janë të sigurt nëse ai mund të zbatohet në tërësi. Por ata janë të bindur me fjalët e kadidatit për kancelar. "Fjalët e tij janë autentike", mendojnë ata. Në këtë kongres nuk u dëgjua asnjë fjalë për gabimet e tij të ditëve dhe muajve të kaluar. Tani ka ardhur koha që të përhapet atmosferë pozitiv nga fushatën elektorale.