1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Socialdemokratët në Evropë

Christoph Hasselbach9 Dhjetor 2015

Partia Socialdemokrate Gjermane, SPD nis kongresin e Partisë. Mbështetja në sondazhe për këtë parti ka kohë që nuk është e fortë. Parti të tjera socialiste e socialdemokrate në Evropë kanë probleme të ngjashme.

https://p.dw.com/p/1HJOG
SPD flamuj
Fotografi: picture-alliance/dpa

Gjermania

Së bashku me organizatat pararendëse, Partia Socialdemokrate Gjermane, SPD është partia më e vjetër e Gjermanisë: 150 vjeçare. Koha më e lavdishme për socialdemokratët në Gjermaninë e pasluftës ishte periudha prej fundit të viteve 1960 deri në fillim të viteve 1980, me kancelarët socialdemokratë Willy Brand dhe Helmut Schmidt. Pas një periudhe të gjatë në opozitë, në vitet 1998 deri 2005 me Gerhard Schröderin, Gjermaninë tashmë të ribashkuar e drejtoi sërish një kancelar socialdemokrat. Schröderi kreu reforma të rëndësishme socialpolitike, prej të cilave Gjermania përfiton edhe sot, por që në fund i kushtuan pushtetin SPD. Që atëherë, socialdemokratët janë për herë të dytë partner i vogël në një koalicion të madh me CDU/CSU, por rezultatet e mëparshme në zgjedhje, SPD nuk i ka arritur më. Ajo prej vitesh merr vetëm 25 përqind të votave.

Austria

Socialdemokratët në Austri kanë një traditë të gjatë si parti në pushtet. E themeluar në vitin 1889 dhe nëpër vite me emra të ndryshëm, që prej vitit 1991 partia e socialdemokratëve quhet Partia Socialdemokrate e Austrisë, SPÖ. Që prej vitit 1945, nga 28 qeveri që ka pasur Austria, 15 i ka drejtuar me kancelar të sajin kjo parti. Gati dy të tretat e periudhës pas Luftës së Dytë Botërore, në Vjenë ka qenë në pushtet një koalicion i madh partiak i SPÖ me partinë konservatore, ÖVP; SPÖ herë ka qenë partnerja e madhe, herë partnerja e vogël. Koalicioni i madh partiak, me politikën e tij të bazuar në konsens konsiderohet gati si sinonim për republikën e dytë austriake. Por pikërisht ky konstelacion e ka nxitur forcimin e Partisë së Lirisë në Austri, partia me tendencë radikale të djathtë. Para së gjithash për shkak të krizës së refugjatëve, Partia e Lirisë ka shënuar rritje të madhe në mbështetjen në popull. Një çështje e rëndësishme aktualisht është nëse SPÖ do të jetë e gatshme që t'u hyjë aleancave zgjedhore me të djathtët. Në nivel rajonal, kryetarët e SPÖ-së e kanë thyer tabunë e deritashme.

Franca

Në Francë, partia e thërret veten me krenari ende "socialiste" dhe jo socialdemokrate, siç do të tingëllonte në mënyrë më të moderuar. Dhe me të vërtetë, Partia Socialiste (PS) është më radikale, "më e majtë" se p.sh. SPD-ja gjermane. Kjo ka të bëjë edhe me traditën e saj. Ajo u krijua në vitin 1969 prej shumë partive të majta dhe grupimeve dhe për një periudhë kohe formoi aleanca me komunistët. PS ka nxjerrë dy presidentë në sistemin presidencial të Republikës së Pestë, François Mitterrand, në pushtet prej vitit 1981 deri 1995 dhe Presidentin aktual, François Hollande, i cili është në pushtet prej vitit 2012. Prej vitit 2012, PS ka shumicën absolute edhe në Asamblenë Nacionale. Të dyja periudhat me presidentë socialistë janë karakterizuar nga probleme ekonomike dhe papunësi e lartë. Hollande i duhet të pranojë edhe që thuajse gjatë gjithë periudhës në post ka qenë Presidenti më pak i preferuar i pasluftës në Francë. Vështirësi politike në rritje paraqet për Francën edhe Fronte Nationale, parti ekstremiste e djathtë. Në disa zgjedhje kjo parti ia ka kaluar PS.

Britania e Madhe

Partia Laburiste britanike ka një histori të gjatë dhe të lavdishme në luftë për të drejtat e punëtorëve dhe për ndërtimin e shtetit social. Pas një periudhe të gjatë larg ardhjes në pushtet, kur në pushtet qenë konservatorët e Thatcherit dhe të Majorit dhe kur laburistët ndoqën një vijë shprehimisht të majtë, në vitin 1997 me Toni Blair-in erdhi rikthimi spektakular në pushtet. Blair besonte në një "rrugë të tretë" të socialdemokracisë, midis kapitalizmit të Thatcher-it dhe socializmit të majtë të shtetëzimeve. Kjo politikë ishte për shumë vjet shumë e suksesshme dhe e preferuar. Pjesëmarrja britanike në luftën e Irakut, nën premisën false se Iraku zotëronte armë të shkatërrimit në masë dhe bashkëpunimi i ngushtë i Blair-it me Presidentin e SHBA, George W. Bush i solli shumë kritika Blair-it dhe humbje të besimit. Prej vitesh, laburistët tani janë sërish në opozitë. Që kur partinë e drejton Jeremy Corbyn, që vjen nga të majtët e vjetër, janë rigjallëruar sërish disa nga recetat e vjetra si shtetëzimet, tatime më të larta për më të pasurit si dhe dalja nga NATO. Blair beson se me këtë linjë, Laburistët do ta përjashtojnë veten për shumë vite nga pushteti.

Italia

Rrugët e sistemit të copëzuar partiak italian të pasluftës janë të pazbërthyeshme, sasia e themelimit të partive, shkëputjeve të grupeve, rithemelimeve e fuzionimeve është e vështirë të paraqitet. Në Itali ka sot një Parti Socialiste-Demokratike të Italisë, shumë e sukseshme për një kohë, dhe që pas një pushimi u rithemelua më 2004, por sot ajo nuk luan më rol. Sot në Itali nuk janë parti të veçanta që e përcaktojnë tonin, por aleanca partiake. Edhe Partia Demokratike në pushtet nën Matteo Renzin në fakt nuk është parti, por një bashkim me nuancë socialdemokrate. Ky bashkim është edhe reagim i kohës së gjatë në opozitë, kur në Romë qeveriste Silvio Berluskoni. Ndërkohë, aleanca e majtë Partito Democratico është stabilizuar dhe siguron rezultate të mira në zgjedhje, megjithë kursin e kujdesshëm reformator që ndjek në ekonomi, jo gjithmonë të preferuar.

Suedia

Këtu gjejmë vendin model të socialdemokracisë. Gati në asnjë vend tjetër nuk kanë pasur suksese të tilla socialdemokratët. Në të gjitha zgjedhjet për Reichstagun që prej vitit 1917, ata kanë dalë forca politike më e fuqishme, por jo gjithmonë kanë marrë pjesë në pushtet me një kryeministër. Periudhat e gjata në pushtet ata i kanë shfrytëzuar për të ndërtuar, para së gjithash në dekadat pas Luftës së Dytë Botërore, një sistem të gjerë të mirëqenies sociale. Por ky sistem me kalimin e kohës u bë shumë i shtrenjtë, kështu që edhe kryeministrat socialdemokratë, që prej viteve 1990 qenë të detyruar të ndërmarrin kursime. Si pasojë, partia humbi shumë vota dhe kaloi disa vjet në opozitë. Kryeministri aktual, Stefan Löfven, në krye të një qeverie minoriteti kuq-e gjelbër është sërish një socialdemokrat. Partia e tij ka megjithatë vetëm 30 përqind të votave, për raportet suedeze kjo është e barabartë gati me një katastrofë.

Greqia

Lëvizja Socialiste Panhelenike, shkurt PASOK është një shembull i trishtë për një parti dikur krenare socialdemokrate, e cila e humbi tokën nën këmbë për shkak të krizës së Euros dhe që sot është vetëm një hije e vetes. Atë e themeloi më 1974, pas fundit të diktaturës ushtarake Andreas Papandreu. Për dekada të tëra PASOK dhe konservatorja Nea Dimokratia ndërronin pushtetin me njëra-tjetrën. I biri i Papandreut, Jorgos, dha dorëheqjen si kryeministër në vitin 2011, në kuadër të krizës shtetërore të borxheve. PASOK-u u angazhua për kursime dhe reforma dhe humbi në zgjedhjet pasuese në vitin 2012 jo më pak se 70 përqind të zgjedhësve të saj. Nga zgjedhjet në fillim të këtij viti, fitimtare doli Syriza e majtë, PASOK-u mori më pak se pesë përqind të votave. Me anë të bashkëpunimit me një parti tjetër të moderuar të majtë, DIMAR, PASOK-u së fundi i ka forcuar pozitat. Por ajo është sot është larg së qeni një parti popullore.