Soccer Friday - Afrika jugore bëhet e verdhë dhe e gjelbërt | 1914 - Lufta e I Botërore | DW | 17.04.2010
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

1914 - Lufta e I Botërore

Soccer Friday - Afrika jugore bëhet e verdhë dhe e gjelbërt

Të premteve qytetet afrikanojugore bëhen gjithnjë e më të verdha e të gjelbra. Afrikanojugorët përgatiten për kampionatin botëror, veshin fanella të kombëtares Bafana Bafana dhe tregojnë mbështetje për djemtë e tyre.

Në Pretoria ndihet që tani atmosfera e kampionatit botëror.

Në Pretoria ndihet që tani atmosfera e kampionatit botëror.

Dimakatso Mashigo mezi pret sa të bjerë vërshëllima e parë e kampionatit botëror. Por, deri atëherë janë dhe disa javë. Për të kaluar kohën të premteve të futbollit biznesmenja afër Pretories vesh fanellën e ekipit kombëtar: "E gjithë familja ime e vesh fanellën çdo të premte dhe unë i inkurajoj. Ua bleva dhe ju thashë: Të premteve të mbështesim Bafana Bafanën dhe t'ju tregojmë e kanë pas Afrikën e Jugut. Megjithëse njerëzit thonë se ata nuk do t'ia dalin, kjo nuk ka rëndësi për ne. E rëndësishme është që Bafana Bafana përfaqëson Afrikën e Jugut."

Nuk ka rëndësi nëse fanella është e gjelbër apo e verdhë

Qoftë me ngjyrë të gjelbër, qoftë me të verdhë, kjo nuk ka rëndësi. Në fund të fundit të dyja ngjyrat janë të ekipit, thotë Thami Banda. Ai është zëdhënës i programit të kampionatit botëror të qytetit të Pretories."Kur ekipi ynë kombëtar ka ndeshje në fushën e vet, ai vesh fanella të verdha, ndërsa kur luan jashtë, vesh të gjelbra. Prandaj është vendim personal nëse ble një fanellë të verdhë apo të gjelbër."

Fanella e ekipit kombëtar afrikanojugor.

Fanella e ekipit kombëtar afrikanojugor.

Por shumë shokë të Dimakatso Mashigos nuk arritën të përqafojnë as ngjyrën e verdhë, as atë të gjelbër. Asaj i vjen keq për këtë: "Më dhemb më së shumti kur shoh shokë të mi që parapëlqejnë ekipe dhe lojtarë të tjerë nga ata të Afrikës së Jugut."

Afrikanojugorët brohorasin rrallë për ekipe të tjera

Në vend të kësaj zemra e tyre rreh shpesh për Premier League-ën angleze. Për këtë arsye të premteve ata veshin ende shpesh fanella të Chelsea-t, Arsenalit ose Mançesterit. Dhe pikërisht kjo ishte edhe ideja pas të premtes së futbollit: të veshësh fanellën e ekipit të zemrës dhe të tregosh entuziazëm për topin prej lëkure. Thami Banda: „Duke qenë se po afrohet turneu, ne thamë se duhet të fillojmë të mbështesim Bafana Bafanën. Dhe do të shihni njerëz të veshur me fanella të verdha. Për këtë sapo folëm edhe tani, dhe thamë se duhet ta rifillojmë aksionin, në mënyrë që njerëzit të mbështesin vërtet Bafana Bafanën.”

Për policinë e Pretories kjo nuk është më e nevojshme. Policët nuk lejohen të patrullojnë të veshur me ngjyrë të gjelbër dhe të verdhë, por stacioni i policisë në qendër të qytetit ishte ndër institucionet e para që e mbështetën të premten e futbollit dhe i lejoi personelit të administratës që të premteve të vinte me fanellë në punë. Për këtë arsye në zyrën e Lilian Matthares, ndihet që tani atmosfera e kampionatit botëror. „Jemi krenarë që presidenti dhe administratori ynë i policisë na lejojnë që çdo të premte të veshim fanellat për të mbështetur Bafana Bafanën. Gëzohemi aq shumë. Djema, na bëni krenarë!“

Në policinë e Pretories.

Në policinë e Pretories.

Ndihet që tani atmosfera e kampionatit botëror

Megjithatë, soccer friday është i lidhur me një problem. Shumë afrikanojugorë ankohen për çmimin e fanellave. Ato kushtojnë 200 rand, rreth 20 euro. Por, Thami Randa e hedh poshtë kritikën:

„Ne e dimë se sa kushtojnë fanellat, por afrikanojugorët po fillojnë të kuptojnë se krenaria kombëtare nuk ka çmim. Nuk mund të thuash: flamuri i vendit tim vlen 20 rand. Ai s'llogaritet me para.“

Autor: Katrin Gänsler/ Elert Ajazaj

Redaktoi: Aida Cama