1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Soçi: Lëvdata dhe kritikë për mospranimin e Gauck

Presidenti gjerman Joachim Gauck nuk do të shkojë në Rusi për lojërat dimërore të Soçit. Reagimet ndaj vendimit të tij janë të ndryshme.

default

Presidenti Joachim Gauck

Zyra e Presidentit gjerman i ka bërë të ditur qeverisë ruse se Presidenti Joachim Gauck nuk do të marrë pjesë në lojërat dimërore, të cilat zhvillohen nga 7 deri 23 shkurt në Soçi. Një zëdhënëse e Presidentit gjerman konfirmoi një informacion përkatës të revistës "Der Spiegel". Por kjo nuk duhet kuptuar si bojkot. Nuk ka asnjë rregull të paracaktuar që presidentët gjermanë duhet të marrin pjesë në lojërat dimërore. Në 2010 ish Presidenti Horst Köhler pati hequr dorë nga pjesëmarrja në lojërat dimërore në Vankuver të Kanadasë.

Njoftimi i Presidentit gjerman i ndez sërish diskutimet për lojërat në brigjet e Detit të Zi dy muaj para fillimit të tyre. Politikanët e vlerësuan vendimin si ragim ndaj qendrimit të ngurtë të Moskës me të drejtat e njeriut. Gauck në mënyrë të përsëritur ka kërkuar më shumë shtet ligjor dhe liri për mediat në rusi. Rusia është ndër të tjera në qendër të kritikës ndërkombëtare për shkak të ligjit të saj kundër homoseksualëve.

Bach i beson premtimit të Putinit

Sotschi - Olympische Sportstätten

Soçi- qyteti i lojërave olimpike

Presidenti i Komitetit Ndërkombëtar Olimpik (IOC) Thomas Bach, u shpreh i bindur se në Soçi nuk do të ketë diskriminim të homoseksualëve. "Përgjegjësia dhe pretendimi i IOC-së është që të gjejë zbatim Karta Olimpike", tha Bach. Për këtë Presidenti rus Vladimir Putin i ka dhënë fjalën. Në të njëjën kohë Bach theksoi se IOC nuk është "qeveri botërore, e cila mund t'i diktojë një shteti sovran se si t'i hartojë ligjet e tij".

Hapi i Gauck nuk ka të bëjë aspak me bojkot, tha drejtori i përgjithshëm i Lidhjes Sportive Gjermane Olimpike (DOSB), Michael Vesper. "Kush nuk shkon nuk bojkoton patjetër. Me siguri që ky vendim nuk drejtohet kundër ekipit gjerman", theksoi ai. Një pjesëmarrje e Gauck në lojërat e Soçit nuk ka qenë i planifikuar.

Ndërsa i ngarkuari i qeverisë gjermane për të drejtat e njeriut Markus Löning, e vlerësoi vendimin e Presidentit Gauck "si një gjest të mrekullueshëm mbështetjeje për gjithë qytetarët rusë që angazhohen për liri mendimi, demokraci dhe të drejta qytetare". "Lojërat dimërore në Soçi ishin planifikuar si festival i carëve." Por kjo llogari nuk do të funksionojë.

"Sinjal inkurajues"

Zv/presidentja e Bundestagut Claudia Roth e cilësoi heqjen dorë nga pjesëmarrja si "sinjal inkurajues". Një politikë e cila e kthen homofobinë në ligj dhe shtyp opozitën nuk mund të shihet duarkryq, tha politikania ekologjiste.

Politikanë nga Unioni CDU/CSU dhe nga SPD reaguan me skepticizëm ndaj vendimit të Gauck. Deputeti kristiandemokrat dhe eksperti për Rusinë Andreas Schockenhoff tha se bojkoti është në përputhje me qendrimin konsekuent të Presidentit në çështjet e të drejtave të njeriut. Megjithatë ai e konsideron të gabuar një thirrje të përgjithshme për bojkot: "Duhet bërë pyetja nëse me këtë dëmtohen edhe njerëzit në vend."

Olympische Winterspiele 2014 Baustelle der Sportstätten in Sotschi

Pamje nga Soçi

Edhe deputeti socialdemokrat në Bundestag Lars Klingbeil, zv/kryetar i grupit parlamentar gjermano-rus, e sheh me skepticizëm bojkotin: pjesëmarrja në lojërat olimpike "do të kishte ofruar edhe një mundësi të mirë për të zhvilluar biseda me forcat reformatore në Rusi dhe për t'i dhënë më shumë vëmendje kauzës së tyre në debatin politik."

Pakënaqësi në Moskë

Vendimi i Presidentit gjerman Joachim Gauck u prit me pakënaqësi. "Presidenti Gauck nuk ka kritikuar asnjë herë vrasjen e fëmijëve dhe grave në Pakistan dhe Afganistan. Por ai e dënon Rusinë aq ashpër sa nuk pranon as të vijë në Soçi", shkruajti në Twitter shefi i Komisionit të Jashtëm në Parlamentin rus, Aleksej Pushkov.

Që prej fillimit të detyrës si President në mars 2012, Gauck nuk ka zhvilluar ende një vizitë zyrtare në Rusi. Marrëdhënia e tij me Rusinë konsiderohet e tendosur, babai i tij ka qenë për shumë vite i internuar në një kamp pune në Siberi.