1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Slloveni: Qeveria e Janshës humb shumicën në parlament

Lista qytetare si partnere e re e Partisë Demokratike të kryeministrit Janez Jansha u largua nga koalicioni i qendrës së djathtë. Daljen nga koalicioni qeverisës e ka paralajmëruar edhe Partia Demokrate e Pensionistëve.

Janez Jansa, kryeministër i Sllovenisë

Janez Jansa, kryeministër i Sllovenisë

Kryeministri slloven Janez Jansha paralajmëroi se këtë të enjte (24.02.) do të bëjë publik reagimin e tij të daljes së Listës Qytetare nga koalicioni qeverisës dhe fatin e qeverisë së tij.

Lista qytetare si partnere e re e Partisë Demokratike të kryeministrit Janez Jansha u largua nga koalicioni i qendrës së djathtë. Këtë e njoftoi shefi i partisë Gregor Virant. Për sot dorëheqjet e tyre i kanë paralajmëruar edhe ministri i Financave, Janez Shushtershiq dhe ministri i Drejtësisë, Senko Pliçaniq, të cilët po ashtu janë anëtarë të Listës Qytetare. Daljen nga koalicioni qeverisës e ka paralajmëruar edhe Partia Demokrate e Pensionistëve. Në këtë mënyrë koalicioni i kryeminsitrit Jansha nuk e ka më shumicën në parlamentin në Lubjanë.

Në arsyetimin e Listës qytetare thuhet se Jansha nuk pranoi kërkesën e tyre për të dhënë dorëheqjen. Kërkesa për dorëheqje ishte bërë pas akuzave të zyrës shtetërore antikorrupsion kundër kryeministrit. Jansha nuk ka arritur të shpjegojë origjinën e 210.000 € në llogarinë e tij bankare private. Kryeministri ka mohuar akuzat dhe ka paralajmëruar se do të ndërmarrë veprime ligjore kundër zyrës antikorrupsion.

Parlamenti i Sllovenisë

Parlamenti i Sllovenisë

Protesta kundër reformave në mbarë vendin

Kryeministri Janez Jansha në një intervistë dhënë një radioje lokale sllovene ka deklaruar mbrëmë (23.01.) se sa i përket ultimatumit për të dhënë dorëheqjen, ai nga parlamenti nuk ka marrë asgjë zyrtare ndërsa në takimin me anëtarët e koalicionit ai ka provuar "që të sqarojë pasojat, të cilat mund të shkaktohen nga një jostabilitet i gjatë politik në rast të shpërbërjes së koalicioni qeverisës."

Sllovenia po kalon nëpër një krizë të vështirë ekonomike dhe e presin reforma të rëndësishme. Kundër këtyre reformave të mërkurën në mbarë vendin përmes një greve protestuan dhjetëra mijëra qytetarë. Bëhet fjalë për kursime në sektorin e shërbimeve publike dhe shkurtime në sistemin pensional. Po ashtu është planifikuar që të lehtësohet ndërprerja e kontratave të punës në ekonomike private. Përveç kësaj duhet të rimëkëmben edhe bankat e futura në krizë.

Autor: Esat Ahmeti (beta, dpa, afp)

Redaktoi: Auron Dodi