1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Sllovaki - mall për traversat kufitare

Eleminimi i kontrolleve kufitare u solli sllovakëve më 2007 jo vetëm liri lëvizjeje drejt Perëndimit, por edhe në drejtim të Hungarisë. Bilanci pas pesë viteve Schengen është i përzier. Komunat ankohen për kriminalitet.

default

Eleminimi i kontrolleve kufitare u solli sllovakëve në fund të vitit 2007 jo vetëm liri lëvizjeje në Perëndim, por edhe në drejtim të Hungarisë. Bilanci pas pesë viteve Schengen është i përzier. Megjithë gëzimin për integrimin rajonal dhe disa sukseseve ekonomike, shumë komuna ankohen për një kriminalitet në rritje dhe probleme me të pastrehët. Jo pak kërkojnë nga ky shkak kthimin e kufijve të vjetër.

Çdo mëngjes, në orën tetë fillon ora e takimit te Denisa Arwa-Jowa. Dy laptopë ndodhen mbi tavolinën gjigante prej druri të kryetares së bashkisë - në mur rri varur një flamur sllovak - pranë tij flamuri me yjet e Evropës. Fshati me 600 frymë Slowenske Djarmoty ndodhet në një peizazh idilik krejt në jug të Sllovakisë. Lumi Ippel shënjon kufirin e hapur mne Hungarinë. Ky vend fqinj është shumë pranë dhe me këtë nisin problemet: "Të pastrehët prej andej matanë vijnë shëtisin në fshatin tonë - pijnë dhe shpesh zihen. Përpara ne nuk kishim gjëra të tilla. Sigurisht - vjedhje ka pasur edhe më parë - por tani kriminaliteti është shtuar pa masë. Viktimat para së gjithash janë të moshuarit tek ne."

Kriminaliteti i shtohet krizës ekonomike

Në dyqanin e vogël të fshatit, biznesi ecën keq. Që kur në anën hungareze është hapur një supermerkat që rri hapur 24 orë, klientët nuk duken. Por oferta e pasur e mallrave dhe çmimet e ulëta në fshatin fqinj nuk e bindin 56 vjeçarin Bohuslav. Që prej hapjes së kufirit, jeta e tij është keqësuar:„Mua më kanë vjedhur njëherë. Unë i zbulova hajdutët në shtëpinë në oborr dhe pastaj ata më goditën. Të gjithë këtu kanë frikë dhe i mbyllin dyert kur rrinë në shtëpi. Në djall të vejë BE. Kufijtë më mirë të ruhen me roje prapë."

Hapja e kufijve solli mjaft probleme për Sllovakinë

Hapja e kufijve solli mjaft probleme për Sllovakinë

Më pak se një orë zgjat udhëtimi në peizazhin e butë kodrinor përgjatë kufirit për në Shja-Torska Bukovinka. Kryetari i bashkisë, Juray Badinka hap kangjellat e godinës trekatëshe të ish-pikës doganore. Deri në vitin 2007 këtu qenë strehuar policët e kufirit dhe familjet e tyre. Tani, prej fasadave gri po bie suvaja. "Shtëpinë ne e morëm falas nga shteti. Që prej atëherë kemi vetëm telashe. Shpenzimet e mëdha për energjinë ne nuk i paguajmë dot si komunë e vogël që jemi. Ne donim që ta kthenim godinën në hotel - por për renovimin na mungojnë paratë."

Në dyshemenë e shtruar me linoleum në ngjyrë të gjelbër syri të zë jashtëqitje minjsh. Megjithë dritaret me xhama të thyer, hundën ta shpon një erë e keqe. I vetmi element tërheqës i fshatit është një kështjellë mesjetare mbi një kodër. Endrrën se komuna do të lulëzojë një ditë nga zhvillimi i turizmit, kryetari i bashkisë, Badinka ka kohë që e ka varrosur." Fare në fillim na erdhën shumë persona të interesuar. Por pastaj erdhi kriza ekonomike. Tani nuk ka më investues. Godina është kthyer në barrë për ne. Mund të shpresojmë vetëm që të mos vazhdojmë të paguajmë për të."

Edhe në Velka Kosihy shumë plane të mëdha që i patën pas hapjes së kufirit tani i përkasin së shkuarës. Në bodrumin e ish-pikës së kufirit të rinjtë ushtrohen çdo mbrëmje në një palestër të improvizuar fitnesi. Në katin nën çati banojnë punëtorë rumunë, të fabrikës së kabllit të fshatit fqinjë hungarez.

Autor: Stefan Heinlein/ Auron Dodi

Redaktoi: Mimoza Kelmendi