1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Skuadrat e shpëtimit në Detin Mesdhe kërkojnë mbështetje

Skuadrat e shpëtimit në det nga 38 vende janë diskutuan në Bremerhafen për situatën e refugjatëve në Mesdhe. Në fokus krahas Libisë do të jetë edhe bregu i Greqisë. Ndihma është e domosdoshme.

Pamjet nga Mesdheu përhapen në gjithë botën: anije plot e përplot, ku dhjetra apo qindra fëmijë, gra dhe burra nisen për të kaluar detin me destinacion Evropën dhe gati gjithmonë në rrezik për t'u mbytur. Organizata Ndërkombëtare për Migrimin (IOM) vlerëson se këtë vit rreth 1850 njerëz janë mbytur në Mesdhe, duke u përpjekur për arritur në Itali, Maltë, Spanjë, apo Greqi.

Që njerëzit të shpëtohen nga rreziku, apo që të mos lihen të bien në situata të tilla të rrezikshme, ishte tema e World Maritime Rescue Congress në Bremerhaven në Gjermaninë veriore, që zhvillohet çdo katër vjet. Më shumë se 250 ekipe shpëtimi nga deti nga 38 vende shkëmbyen tri ditë me rradhë përvojat e tyre. Kështu edhe koordinatori maroken i shpëtimit në det, Mohammed Drissi. Vendi i tij, sipas agjencisë kufitare të BE-së Frontex, është një pikë nisjeje për emigrantët, që kërkojnë të hyjnë në Evropë në mënyrë të paligjshme nga deti. Ato synojnë pjesën kontinentale të Spanjës, e cila është vetëm rreth 16 kilometra larg në pikën më të ngushtë të ngushticës së Gjibraltarit, apo ishujt Kanarie, të cilat ndodhen të paktën 100 kilometra larg bregdetit të Marokut.

Mohamed Drissi

Mohamed Drissi

Destinacioni i dikurshëm Ishujt Kanarie

Më pak se dhjetë vjet më parë dhjetëra mijëra emigrantë zbarkonin kryesisht në ishujt Kanarie, kujton Dissi në një intervistë me Deutsche Wellen. Por tani kemi mësuar, kështu që numri është ulur shumë. Në fakt, sipas të dhënave të Frontex, vitin e kaluar 275 njerëz arritën në mënyrë të paligjshme nga deti në ishujt Kanarie - në vitin 2006, numri i tyre ishte ende 31600. Edhe atëherë patën marrë dhënë pamje të refugjatëve të mbytur.

Sot rrugët detare janë zhvendosur në drejtim të lindjes, gjë që ndodh për shkak të disa faktorëve: Së pari, Spanja ka nënshkruar marrëveshje bilaterale me Mauritaninë dhe Senegalin, nga ku trafikantët shfrytëzonin rrymat e oqeanit për të çuar anijet në drejtim të ishujve Kanarie. Që atëherë të dy vendet afrikanoperëndimore kontrollojnë brigjet e tyre dhe marrin mbështetje për këtë. Dhe së dyti Spanja ka ashpërsuar kontrollet e saj me sistemin e mbikqyrjes detit SIVE.

Është përmirësuar bashkëpunimi me kontinentin afrikan

Por Drissi sheh edhe një tjetër pikë, se pse në ditët e sotme nuk mbyten aq shumë njerëz në kalimin drejt Spanjës: "Ky është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë dhe përpjekjeve të mëdha. Ne punojnë shumë ngushtë me kolegët spanjollë dhe mbështesim njëri-tjetrin. Kjo përvojë është edhe një shembull për të tjerët. "Në programe për shkëmbimin e njohurive përmirësohet komunikimi ndërmjet shpëtuesve marokenë dhe rojes bregdetare spanjolle. Tani kur niset një anije nga Maroku drejt Evropës, autoritetet spanjolle informohen. Drissi është i bindur se "në qoftë se ne marrim informacion dhe i besojmë atyre dhe trajnohemi për t'u koordinuar, ne mund të veprojmë me shumë profesionalitet në rastet e ndryshme. Atëherë ne mund të parandalojmë mbytjen dhe kalimet". Megjithatë sipas IOM-it deri tani të paktën 18 njerëz janë mbytur këtë vit në kalim për në Evropë nga ana perëndimore e Detit Mesdhe.

Gjurmë të hyrjes ilegale në ishullin grek Lesvos

Gjurmë të hyrjes ilegale në ishullin grek Lesbos

Shifra të ngjashme shënon IOM në Mesdheun lindor. Atje kanë humbur jetën deri tani rreth 30 migrantë në përpjekje për të ardhur në Greqi përmes detit. Por në Mesdheun qendror gjatë rrugës detare së paku 400 kilometer janë mbytur rreth 1800 fëmijë, gra dhe burra. Si rrjedhojë operacionet e shpëtimit përqendrohen në zonën detare mes Libisë dhe Italisë.

Greqia zë vendin e dytë për numrin e refugjatëve

Megjithatë situata në mes të Italisë dhe Greqisë është e krahasueshme, tha në Bremerhaven Konstantinos Mitragas, sekretar i përgjithshëm i Hellenic Rescue Team. Italia deri tani këtë vit ka numëruar deri në 45.000 emigrantëve, por Greqia me 35.000 emigrantë, zë vendin e dytë në BE, tha Mitragas. Shumica e tyre vijnë nga deti.

Më e prekshmja janë fëmijët

Më prekësja janë fëmijët

Fakti që mbyten relativisht pak njerëz, ka të bëjnë me distancën, shpjegon Mitragas. "Nga brigjet perëndimore të Turqisë deri në ishujt fqinjë grekë janë vetëm tetë deri dhjetë kilometra. Dhe deti atje është më i sigurt se sa Mesdheu i hapur."

Ai supozon se gjatë verës numri i refugjatëve me varka do të rritet shumë. Por pikërisht në verë në këtë rajon fryn më shumë erë dhe valët janë më të larta se sa në dimër. "Këtë nuk e dinë shumë refugjatë. Unë shpresoj që të mos ndodhë, por numri i të vdekurve mund të rritet në verë."

"Më e rënda është, kur janë fëmijët dhe foshnjat në rrezik"

Mitragas merr pjesë edhe vetë në operacionet e shpëtimit në det. "Është gjithmonë situatë kritike, kur është fjala për të shpëtuar jetë, nuk ka rëndësi se nga vijnë njerëzit. Por kur janë në rrezik fëmijët ose foshnjat, kjo është më e vështira. Kjo e prek njeriun shumë thellë." Dhe shumica e anijeve kanë fëmijë dhe nganjëherë foshnja në bord, shton ai.

Konstantinos Mitragas

Konstantinos Mitragas

Si sekretar i përgjithshëm i Hellenic Rescue Team, Mitragas kërkon më shumë mbështetje, si për Italinë edhe për Greqinë, për përkujdesjen dhe shpëtimin e emigrantëve. "Problemi do të përshkallëzohet shpejt, në rradhë të parë për shkak të "Shtetit islamik" dhe përkeqësimit të situatës në Siri. Kjo do ta rrisë numrin e atyre, që dëshirojnë të vijnë në Evropë. Kështu që mund të kemi më shumë të vdekur se vitin e kaluar."

Një anije norvegjeze shpëtimi në Greqi

Norvegjia ka reaguar ndaj situatës në bregdetin e Greqisë. Brenda disa javëve një anije 23 metër e gjatë e shoqërisë norvegjeze për Shpëtimin në Det do të dërgohet atje për një vit e gjysmë, njoftoi organizata private në Bremerhaven. Por siç thanë delegatët e Kongresit Botëror për shpëtimin në det, ky mund të jetë vetëm njëri nga hapat e shumtë, që nevojiten për të shpëtuar refugjatët.