Skllavëri moderne në Katar? | Bota | DW | 16.10.2013
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Skllavëri moderne në Katar?

Mijëra vetë nga Azia jugore kërkojnë çdo vit punë në shtetet e pasura të Gjirit Persik. Është një ëndërr për një jetë më të mirë. Por Kampionati Botëror 2022 hedh dritë mbi realitetin e ashpër, që i pret emigrantët atje.

Më kishin premtuar punë në një ofiçinë. Por në Katar ne migrantët merreshim në punë nga sipërmarrësit e ndërtimit. Ata na detyronin të punonim për të gjitha llojet e firmave. Unë duhej të punoja në skela 100 dhe 200 metër të larta. Ishte e rrezikshme, por menaxherët bënin sikur nuk shikonin dhe na thonin, se ne ishim vetë përgjegjës për sigurinë tonë", kështu i tregon Bide Majakoti, një punëtor migrant nga Nepali, Unionit Ndërkombëtar të Sindikatave, ITUC, se si është joshur dhe mashtruar nga agjencitë e rekrutimit.

Majakoti ishte nisur me shpresën për të fituar shpejt para në Katar. Por doli krejt ndryshe: "Kisha marrë një kredi me norma të larta interesi, që të shkoja në Emiratet Arabe. Por atje nuk mora rrogë dhe nuk munda ta paguaj kredinë. Me duheshin para për një operacion zemre, për të shpëtuar jetën e sime bije dhe për këtë arsye m'u desh të shisja tokën time në Nepal. Tani jam në krizë."

Praktika ilegale rekrutimi

Skela në lartësi marramendëse. Emigrantët në Katar punojnë shpesh në kushte të rrezikshme

Skela në lartësi marramendëse. Emigrantët në Katar punojnë shpesh në kushte të rrezikshme

Shumë nga afro 1,2 milionë punëtorët emigrantë në Katar përjetojnë abuzimin dhe shfrytëzimin në një dimension, që mund të përshkruhet si "skllavëria e shekullit të 21-të", shkruhet në një raport të ITUC. Shumica janë punëtorë të pashkolluar nga Nepali, India dhe Bangladeshi. Shumë prej tyre druhen të tregojnë historinë e tyre në media. Ata kanë frikë nga hakmarrja dhe dëbimi.

Mjerimi i emigrantëve shpesh fillon para ardhjes së tyre në Gjirin Persik. Të shtyrë nga varfëria, pabarazia sociale dhe mungesa e mundësive për punë në vendet e tyre ata shesin pronën e tyre dhe marrin hua për të paguar tarifat e larta të rekrutimit, që kërkojnë agjentët e migracionit. Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM) tarifat arrijnë nga 3.000 deri 10.000 dollarë amerikanë.

Problemet thellohen nga praktikat e ilegale të agjencive të rekrutimit. "Ndërmjetësit i joshin punëtorët me premtime të rreme për të përfituar sa më shumë. Shumë prej tyre i fallsifikojnë lejet e punës dhe kontratat", thotë në intervistë me Deutsche Wellen Nandita Baruah, eksperte për migracionin e punës dhe trafikimin e qenieve njerëzore në organizatën aziatike për zhvillim, "Asia Foundation”. Shumë emigrantë janë të varur nga këto agjenci, ata nuk kanë kontakte të tjera dhe nuk njohin kanale të tjera, për t'u larguar nga vendi në mënyrë legale.”

Në vendin pritës punëtorët migrantë ballafaqohen me keqtrajtim dhe shfrytëzim. "Atje disa punëtorë emigrantë nuk marrin as punën dhe as rrogën, që u është premtuar. Kontratat e tyre grisen. Shumë sipërmarrës ua mbajnë pasaportat", thotë sekretarja e përgjithshme e ITUC, Sharan Burrow. "Përveç kësaj, burrat janë shpesh të detyruar të punojnë në kushte të rrezikshme nuk lejohen të organizohen në sindikata." Shumë punëtorë sipas ITUC rrëfejnë për kampe pune të stërmbushura, për kushte johigjienike dhe për mungesë të ujit të pijshëm.

Kritikat shtohen

Members of the Swiss Kritika në botë rritet pas vdekjes së shumë punëtorët në punimet për kampionatin botëror të futbollit

Kritika në botë rritet pas vdekjes së shumë punëtorëve në punimet për kampionatin botëror të futbollit

Shfrytëzimi i punëtorëve emigrantë thellohet nga i ashtuquajturi sistemi "Kafala". Ai u ndalon punëtorëve që të ndërrojnë punë dhe të largohen nga vendi pa lejen e punëdhënësit. Edhe pse ligji i punës në Katar përmban kufizimin e orarit të punës dhe i obligon sipërmarrësit që të garantojnë pagat, strehimin dhe kujdesin shëndetësor, shumë rrallë zbatimi i tij kontrollohet nga autoritetet, thonë ekspertët.

Sipas një raporti të organizatës të të drejtave të njeriut Human Rights Watch të këtij viti qeveria e Katarit ka të punësuar vetëm 150 inspektorë. Kontrollet e tyre nuk përfshijnë bisedat me punëtorët. Unioni Ndërkombëtar i Sindikatave, ITUC, kritikon Emiratin e Katarit se nuk ofron procedura të mjaftueshme për ankesat e punëtorëve. E pyetur nga Deutsche Welle lidhur me këto akuza Ministria e Punës në Doha nuk u përgjigj.

Në një kohë që ky shtet i Gjirit, i pasur me depozita natyrore të gazit, nis një program miliardësh për ndërtimet për kampionatin botëror të futbollit 2022, ai bie gjithnjë e më shumë nën presionin ndërkombëtar. Kritika për vdekjen e dhjetëra punëtorëve emigrantë në lidhje me projektet e ndërtimit për kampionatin Botëror shtohet.

FIFA është "shumë e brengosur"

Kritikat u shkaktuan nga një informacion i gazetës britanike "The Guardian". Ajo raportonte se gjatë verës në Katar, ku temperaturat mund të arrijnë deri në 50 gradë, kishin gjetur vdekjen 44 punëtorë migrantë nepalezë. Katari reagoi me njoftimin se do ta dyfishojë numrin e inspektorëve dhe do të emërojë një firmë e pavarur ligjore për të shqyrtuar të gjitha ankesat. Megjithatë autoritetet e hodhën poshtë akuzën, se emigrantët nepalezë trajtohen "si skllevër".

Presidentit të FIFA-s Sepp Blatter i duhet të përballet me kritikat për zgjedhjen e Katarit për Kampionatin Botëror

Presidentit të FIFA-s Sepp Blatter i duhet të përballet me kritikat për zgjedhjen e Katarit për Kampionatin Botëror 2022

Federata Ndërkombëtare e Futbollit, FIFA, në një deklaratë për Deutsche Welle shprehu “shqetësim të madh" lidhur me raportet e mediave. Ajo njoftoi se do t'u shprehë autoriteteve të Katarit shqetësimet për shkeljen e të drejtës së punës dhe kushtet e vështira të punës në projektet e ndërtimit për Kampionatin Botëror.

Ndryshime në sistem

Ekspertët tërheqin vemendjen se fenomeni i keqtrajtimit të emigrantëve dhe mohimi i drejtave të punës nuk shfaqet vetëm në Katar. Edhe në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajt dhe Malajzi, janë dokumentuar kushte të ngjashme shfrytëzimi. Ekspertët mendojnë se në këto vende janë të nevojshme ndryshime të rëndësishme strukturore për të përmirësuar kushtet e punës dhe të jetesës të punëtorëve migrantë.

Vetëm Emirati i Katarit në vitet e ardhshme do të ketë nevojë për rreth një milionë punëtorë të tjerë për të zgjeruar infrastrukturën dhe për të ndërtuar stadiume futbolli për Kampionatin Botëror. "Presioni ndërkombëtar, sidomos nga ana e shteteve, që marrin pjesë në Kampionatin Botëror dhe nga bota sportive është i domosdoshëm", thotë Nandita Baruah. "Ne duhet të pyesim veten, nëse ndërgjegja jonë na e lejon të luajmë në stadiumet dhe objektet, që janë ndërtuar me gjakun e punëtorëve migrantë.”