1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Skepticizëm i përligjur? - Mbi frikërat e shteteve të Evropës Qendrore dhe Juglindore pas nënshkrimit të START-it

Pas nënshkrimit të marrëveshjes së re START me Rusinë disa vende të Evropës Lindore dhe Qendrore shprehën shqetësim se afrimi i SHBA-së me Rusinë mund të paraqesë rrezik për ta.

default

Kujtimi është ende i freskët. Kur presidenti i SHBA-së verën e kaluar u tërhoq papritur nga planet për stacionimin e një sistemi të ri mbrojtjeje nga raketat në Poloni dhe Çeki, ky hap shkaktoi në disa kryeqytete të ish-Paktit të Varshavës indinjim të thellë. Këto vende u ndien të anashkaluara dhe të braktisura nga SHBA-ja si dhe të pambrojtura ndaj synimeve ruse për të qenë superfuqi.

Këtë gabim presidenti Obama nuk donte ta përsëriste me marrëveshjen START. Për këtë arsye ai përfshiu në procesin diplomatik përfaqësues të aleatëve të rinj në NATO nga Evropa Lindore dhe Juglindore dhe të enjten (8.4.) i ftoi në një darkë luksoze në ambasadën amerikane në Pragë.

Ashtu si të gjithë aleatët e vegjël por besnikë pikërisht këto vende që dekada me radhë kanë vuajtur nën hegjemoninë sovjetike, kërkonin siguri. Siguri që afrimi amerkano-rus nuk bëhet në kurrizin e tyre; që stacionimi i më pak raketave bërthamore në Evropë nuk do të thotë njëkohësisht më pak siguri për to; që nga çarmatimi nuk do të krijohet një vakuum i ri sigurie.

Për këto frikëra mund të mos ketë arsye, por Obama bëri mirë që i eliminoi. Polakët dhe rumunët, por edhe bullgarët, letonezët apo kroatët janë dëshmuar si aleatë besnikë, jo vetëm në misionin në Afganistan. Në manovrat e përbashkëta ushtarake shtetet e reja anëtare të NATO-s kanë treguar se janë partnerë të besueshëm. Do të ishte mendjelehtësi nëse kjo sjellje plot besim me njëri-tjetrin do të vihej në lojë duke u afruar me rusët, pa marrë parasysh frikërat e aleatëve. Dhe kështu Obama me sa duket arriti t'i largojë këto frikëra me një ofensivë sharmi.

Por edhe nga ana përmbajtësore skepticizmi është i pavend: edhe një Rusie përsëri të fortë vështirë se do t'i lindte ideja të pretendonte sërish sferën e humbur të influencës në Evropën Lindore. Veç kësaj në Evropë ka ende mjaft armë bërthamore për t'u ofruar këtyre shteteve siguri të mjaftueshme. Së fundi këto vende duhet të kuptojnë se kërcënimet e reja që lindin nga transferimi i pakontrolluar i materialit bërthamor janë edhe për ato të rrezikshme. Madje më të rrezikshme sesa qëndrimi prej superfuqie i fqinjit të madh rus.

Autor: Daniel Scheschkewitz

Redaktoi: Eliana Xhani

  • Data 10.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MsW5
  • Data 10.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MsW5