1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Skandali rumun vazhdon

Në Parlamentin rumun ka dështuar mocioni i votëbesimit i opozitës liberale kundër kryeministrit socialdemokrat, Viktor Ponta. Por qetësia gjithsesi nuk do të kthehet, mendon Robert Schwartz.

Kryeministri rumun, Viktor Ponta nuk mund të mbahet më. Këtë e thonë jo vetëm Presidenti i shtetit, Klaus Iohannis dhe opozita liberale (PNL). Edhe politikanë nga kampi qeveritar e pranojnë këtë pak a shumë hapur. Të tërheq vëmendjen që gjithnjë e më shumë socialdemokratë po distancohen nga bartësi i dikurshëm i shpresave. Por kur vjen puna për votime në parlament, atje sundon një disiplinë e hekurt partiake. Në fund të fundit bëhet fjalë për mbajtjen e pushtetit.

Bartësi i dikurshëm i shpresave në fund

Kjo në një kohë kur Partia Socialdemokrate (PSD) ndodhet para një grumbulli gërmadhash: kryeministri i saj duhet të përgjigjet për korrupsion dhe mashtrim para gjyqit. Rumania është i vetmi vend i BE, ku zhvillohet një proces gjyqësor kundër një kryeministri në detyrë. Të gjitha kërkesat për dorëheqje - edhe ato nga goja e Presidentit të shtetit - deri tani Ponta i ka injoruar.

Dëmi në imazh për vendin e tij duket se atë nuk e preokupon, megjithëse lista me shkeljet e tij ndërkohë është e konsiderueshme. As kopjimi i vërtetuar i doktoraturës, as sulmet e përsëritura kundër drejtësisë dhe shtetit juridik dhe as kritikat aktuale të Prokurorisë nuk mundën ta shtyjnë atë të ndërmarrë hapin moral të nevojshëm prej kohësh.

Kështu që loja me kryeministrin e kompromentuar kalon në raundin tjetër. Madje për të janë caktuar edhe data: më 11 tetor PSD do të zgjedhë një kryetar të ri. Një javë më pas, në një kongres të jashtëzakonshëm partie do të vendosen pastaj piketat për një fillim të ri. Procesi duket i paramanipuluar: socialdemokratët dhe para së gjithash partnerët e tyre të vegjël të koalicionit nuk donin të lejonin që Ponta të rrëzohej, për të mos qenë të detyruar që t'ia përcjellin funksionet qeveritare opozitës liberale. Në vend të kësaj, pas kongresit të saj PSD do të propozojë një kryeministër të ri, i cili do të emërohet pastaj nga Presidenti dhe do të konfirmohet në post nga shumica parlamentare.

PSD do të bënte mirë që në këtë lojë politike të mos harrojë kryesoren: po t'i vazhdojë sulmet e vazhdueshme ndaj Presidentit prej kampit liberal-konservator, ajo forcon jo vetëm bllokadën, në të cilën ndodhet vendi që prej më se tri vjetësh. Edhe lufta e llogoreve midis Pontas dhe ish-Presidentit Traian Basescu nuk e kanë treguar Rumaninë si partner të besueshëm në nivel evropian. Të dyja duhet të ndryshojnë sa më shpejt.

Edhe opozita dhe Presidenti duhet të nxjerrin përfundime 

Mocioni i dështuar i mosbesimit nxori megjithatë në pah edhe diçka tjetër: opozita liberale edhe më tej nuk është në gjendje që të sjellë një ndryshim qeverish në parlament. Edhe PNL duhet të përballet me pyetjen se me cilët persona dhe para së gjithash me cilat përmbajtje të reja do të pozicionohet nga e para.

Në peizazhin politik të Rumanisë duhet të ndodhë më në fund një shkundje. Dhe kjo shkundje mund të vijë vetëm nga Presidenti. Zgjedhësit presin nga Klaus Iohannis, që ta vërë në jetë vizionin e tij të një politike të ndryshme. Pritet që kjo të jetë një lindje e vështirë. por tani, nëntë muaj pas ardhjes së tij në pushtet koha definitivisht ka ardhur.