1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Skandali për telefonatat e supozuara të Erdoganit

Në internet qarkullojnë regjistrime të telefonatave që i atribuohen kryeministrit turk Erdogan. Në një nga këto regjistrime ai i këkon djalit të tij të fshehë shuma milionëshe. Por a është materiali autentik?

Regjistrimi i telefonatës është klikuar 1,2 milionë herë 12 orë pas bërjes publike. Në rrjetet sociale njerëzit gjatë gjithë natës shprehën indinjatën e tyre. „Shumë e turpshme!“, „Tensioni politik ka arritur kulmin!“ ose „A nuk donte Turqia dikur të hynte në BE?“ - këto ishin reagimet tipike në Twitter dhe Facebook. Por pyetja kryesore mbeti pa përgjigje: „A mund të verifikojë dikush nëse informacioni për Erdoganin është autentik?, pyet një përdoruese e Twitter.

Bisedat duhet të jenë bërë mes 17 dhe 18 dhjetorit, dhe me gjasë Erdogan i kërkon në to të birit të fshehë shumë milionë dollarë. 17 dhjetori ishte dita kur në Turqi u bë publik një skandal korrupsioni, në të cilin dyshohet se janë të përfshirë krerët e politikës dhe ekonomisë. është fjala për mitmarrje, biznese të paligjshme me ar me Iranin dhe projekte të paligjshme ndërtimi. Politikanë të lartë dhe bosë të ekonomisë por edhe djem ministrash u arrestuan

Opozita kërkon dorëheqjen e qeverisë

USA Türkei Islam Fethullah Gülen

Fethullah Gülen

Qeveria reagoi menjëherë me një njoftim për shtyp: „Regjistrimet e bisedës, bisedimet e supozuara mes Rexhep Taip Erdoganit dhe të birit janë një produkt imoral montazhi dhe absolutisht jorealiste".

Partia Popullore Republikane (CHP), partia më e madhe opozitare e Turqisë, i bëri thirrje qeverisë së drejtuar nga Erdogan të japë dorëheqjen. „është e papranueshe që dikush që gjendet në qendër të këtij lëmshi të pistë të vazhdojë të qeverisë Turqinë. Kjo qeveri ka humbur ndërkohë të gjithë legjitimitetin e saj“, citohet nga gazeta turke Hürriyet zëdhënësi i CHP, Haluk Koc.

Edhe partia nacionaliste MHP iu bashkua këtij opinioni: nëse këto biseda telefonike janë të vërteta dhe nuk u është shtuar asgjë, duhet të dyshosh për besueshmërinë dhe moralin e kryeministrit, mësohet të ketë thënë kryetari i MHP, Devlet Bahceli.

Të martën në mbrëmje (25.02.2014) në Stamboll, Ankra, Izmir dhe qytete të tjera turke qindra kundërshtarë të qeverisë dolën në rrugë. Shumë prej tyre me parrullat: "Kudo ka ryshfet, kudo ka korrupsion". Sërish pati përleshje mes demonstruesve dhe forcave të sogurisë, policia përdori gazin lotsjellës.

Erdogan merr masa kundër „shtetit paralel“

Që prej fillimit të skandalit të korrupsionit në mes të dhjetorit të kaluar qeveria turke ka qenë gjithnjë e më shumë në qendër të kritikave për shkak të projektligjeve dhe masave kundër drejtësisë. Erdogan ka marrë masa për transferimin ose pushimin nga puna të gjykatësve të lartë, prokurorëve dhe policëve. Kritikët i kanë vlerësuar këto masa si përgjigjen e Erdogani ndaj kontrolleve të policisë në kuadër të hetimeve në skandalin e korrupsionit.

Vazhdimisht kryeministri turk ka theksuar se në ngjarjet në Turqi ka dorë një shtet paralel, një i ashtuquajtur „shtet në thellësi“, i cili drejtohet nga predikuesi islam me banim në SHBA Fetullah Gülen. Gülen është një ish aleat i Erdoganit dhe vitet e fundit duket se e ka shtuar mjaft ndikimin e lëvizjes së tij në radhët e policisë dhe drejtësisë falë përkrahësve të tij në Turqi.

Cengiz Aktar

Cengiz Aktar

Edhe reforma e Erdoganit në drejtësi nga kritikët interpretohet si përpjekje për të dobësuar fuqinë e lëvizjes Gülen brenda aparatit të drejtësisë. Politologo turk Can Paker, një ish këshilltar i kryesisë së partisë CHP, pyet se kush është vërtet përgjegjës për regjistrimet e bisedime me gjasë të Erdoganit dhe nëse materiali është vërtet autentik. „Si përkrahësit e Gülen-it ashtu edhe ata të Erdoganit posedojnë regjistrime të bisedave të palës tjetër. Ata i ruajnë ato si municion dhe i përdorin duke i bërë publike në një moment të caktuar që u duket i përshtatshëm“, thotë Paker në bisedë me Deutsche Welle. Kjo është pjesë e luftës për pushtet dhe është arsyeja pse në internet qarkullon shumë material.

Edhe politologu dhe eseisti Cengiz Aktar thekson se vërtetësia e regjistrimeve nuk është konfirmuar ende. „Por nëse ky regjistrim është autentik, atëherë ai është pjesë e hetimeve për skandalin e korrupsionit. Megjithatë ky regjistrim është ndryshe nga akuzat dhe publikimet e mëparshme të bisedave telefonike. Këtë herë opozita kërkon dorëheqjen e kryeministrit. Kështu kjo krizë shënon një dimension të ri“, thotë Aktar në bisedë me Deutsche Welle.

Megjithatë Erdogan është larg dorëheqjes, thotë Aktar: „Në botën politike të Turqisë nuk ka traditë për një dorëheqje të tillë. Askush nuk mund ta detyrojë Erdoganin të japë dorëeheqjen. Ai kurrë nuk do të bëjë asnjë hap prapa."