1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Skandali i Panamasë: Çfarë është një firmë fiktive?

Skandali i firmave fiktive të regjistruara në Panama, i cili shpërtheu pas punës investigative të gazetarëve nga e gjithë bota, tronditi opinionin publik, por çfarë janë firmat fiktive në vetvete e si krijohen ato?

Super të pasur, të plotfuqishëm të kësaj bote, njerëz të njohur, mbretër edhe kriminelë kanë themeluar firma fiktive përmes zyrës së financave, Mossack Fonseca në Panama. Por çfarë është një firmë e tillë? Një firmë fiktive është një firmë që si zyrë të saj vërtet ka vetëm një kuti postare, aty nuk gjen as punonjës e as drejtues, por vetëm një adresë. Shumica e këtyre firmave të përbëra vetëm nga një kuti postare gjenden në të ashtuquajturat parajsa fiskale, në Europë këtu përmendet Lichtensteini, Andorra, në botë si një parajsë e tillë konsiderohen edhe ishujt Karaibe, por edhe Panamaja, nga ku rrodhi skandali i 11 milionë dokumenteve për 214.000 firma fiktive.

Ndodh që mijëra firma gjenden nën të njëjtën adresë. Tingëllon e çuditshme, por krijimi i një firme fiktive nuk është ilegal në Gjermani - sipas ligjit ai nuk është i penalizueshëm, si justifikim shihet se cilit qëllim i vlen kjo firmë, por moralisht krijimi i firmave të tilla është i dënueshëm, në opinion kjo dënohet si sjellje josociale. Shpesh firmat fiktive përdoren për të fshehur lëvizjen e parave, ato mund të shërbejnë për evazion fiskal, për të fshehur korrupsionin apo para nga burime kriminale.

Panama Gebäude Mossack Fonseca

Zyra e financave, Mossack-Fonseca

Penalizim i bankave

Ka shumë raste, kur bankat vetë i ndihmojnë klientët e tyre për krijimin e firmave fiktive jashtë vendit. Kur një person apo një firmë shkon tek një bankë dhe kërkon të fshehë një pjesë të pasurisë, banka gjen ndërmjetës, si në këtë rast, Mossack-Fonsecca. Ndërmjetësuesi themelon një firmë fiktive diku në një parajsë fiskale. E rëndësishme është të mos dalë emri i atij që jep pasurinë, prandaj vihen "drejtorë" sa për sy e faqe. Personi që ofron paratë merr nga banka një kartë krediti, përmes së cilës ai ka gjithmonë akses tek paratë e tij. Por kjo kartë nuk kalon përmes emrit të tij, por të firmës fiktive, me të cilën ai zyrtarisht nuk ka lidhje.

Prandaj në qendër të kritikave për sjellje të pamoralshme këto ditë janë vënë edhe bankat. Politikani socialdemokrat gjerman, Thorsten Schäfer-Gümbel ka kërkuar penalizimin e bankave që i mbështesin klientët për firmat fiktive jashtë. Panama Papers kanë treguar se "disa banka kanë këshilluar sistematikisht kleintët se si veprohet për krijimin e një firme fiktive jashtë", thotë Schäfer-Gümbel. "Prandaj nuk bëhet fjalë për punonjës të veçantë, por për vetë institucionin që duhet të penalizohet." Që nga publikimet e viteve të fundit për parajsat fiskale në shumë banka gjermane dhe arka kursimi janë bërë hapa kundër këtij fenomeni, thotë Schäfer-Gümbel, por "edhe Deutsche Bank ka folur shumë për një kulturë të re pune, dhe tani del se ende ka njerëz, që nuk kanë punë tjetër, por vetëm të gjejnë vrimat ligjore për të fshehur lëvizjen e financave", thekson Schäfer-Gümbel. "Këtu përdoret pjesërisht energji kriminale."

Ramon Fonseca Mora Direktor und Gründer der Firma Mossack Fonseca

Ramon Fonseca Mora, drejtor i "Mossack-Fonseca"

Mossack-Fonseca në Panama

Dokumentet e skandalit "Panama Papers" dolën nga zyra e financave Mossack-Fonseca. Avokati Ramon Fonseca-Mora, i cili e drejton zyrën e avokatisë me një avokat me prejardhje gjermane, Jürgen Mossack pranoi se ka pasur një sulm hakerash në kompjuterat e kësaj zyre, duke e cilësuar këtë veprim kriminal. Nga ana tjetër ai kundërshton se kjo zyrë merret me larje parash apo ka në dorë para nga burime kriminale, ne thjesht krijojmë firma fiktive që ua shesim pastaj bankave, apo administruesve të pasurisë.

Sipas njoftimeve të mediave, para rreth një viti gazetës gjermane Süddeutsche Zeitung i është ofruar nga një burim anonim një database me më shumë se 11 milionë dokumente të zyrës së financave në Panama, Mossack-Fonseca. Për shkak se për Süddeutsche Zeitung përpunimi i të dhënave ishte i papërballueshëm, ajo iu drejtua konsorciumit të njohur botëror të gazetarëve investigativë, ICIJ me qendër në Uashington, rreth 400 gazetarë nga 78 vende të botës u morën me përpunimin e dokumenteve.