1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Skandali i mashtrimeve - A po fundoset futbolli turk në moçalin e manipulimeve?

Bëhet fjalë për krizën më të madhe në futbollin profesionist turk. Disa lojëtarë të sezonit të kaluar dyshohen për manipulime të ndeshjeve. Me urdhër të prokurorisë janë përgjuar telefonat e të dyshuarëve në këtë aferë.

Pamje nga një ndeshje e Fenerbahçes

Pamje nga një ndeshje e Fenerbahçes

Nga 3 korriku deri sot janë marrë në pyetje apo arrestuar nga policia gati 100 zyrtarë, lojtarë, trainerë dhe këshilltarë. Pas marrjes në pyetje rreth 30 prej tyre ndodhen në paraburgim. Në mesin e tyre edhe presidenti i Fenerbahçes Aziz Yildirim dhe traineri i Beshiktashit Tayfur Havutcu. Numri i lojëtarëve për të cilët dyshohet të kenë marrë pjesë në manipulime të ndeshjeve është të paktën 19.

"Tre më të mëdhenjtë" në futbollin turk

Pamje nga një ndeshje mes Beshiktashit dhe Fenerbahçes

Pamje nga një ndeshje mes Beshiktashit dhe Fenerbahçes

Por çka fshihet pas këtyre akuzash? Për t'iu përgjigjur kësaj pyetje duhet hedhur shkurtimisht një vështrim në dy xhirot e kaluara të sezonit dhe tek rëndësia e klubeve të Stambollit.

Natyrisht që "tre të mëdhenjtë" e futbollit turk, pra Beshiktashi, Galatasaray dhe Fenerbahçe kryesisht zhvillojnë garën mes tyre. Të tri klubet kanë një të kaluar të lavdishme. Fenerbahçe ka aritur të fitoj 18 herë titullin e kampionit, Galatasaray 17 herë ndërsa Beshiktashi 12 herë. Këto tre klube kanë edhe shumicën e tifozëve në Turqi.

Në futbollin turk ekziston një rregull i përafërt: pavarësisht asaj se ku jeton njeriu, ai lind "tifoz" i një prej klubeve më të mëdha. Në Gjermani është vështirë të imagjinohet që një qytetar i Kölnit të jetë ithtar i Bajernit të Leverkuzenit. Dhe kush është nga Gelsenkircheni natyrisht që është fans i Schalkes dhe është e pamundur që zemra e tij të rrahë për Borusian e Dortmundit. Por në Turqi klubet e Stambollit janë tejrajonale. Bile disa kryetarë apo zyrtarë të klubeve të Anadollit janë gjithashtu edhe anëtar të Fenerbahçes, Galatasarayt apo Beshiktashit.

Presidetni i Trabzonsporit Sadri Sener

Presidenti i Trabzonsporit Sadri Sener

Si klubi i parë i Anadollit, Trabzonspori arriti në sezonin 1975-76 të fitojë titullin e kampionit dhe për herë të parë të thyejë traditën që kupa e më të mirit të qëndronte vetëm në Stamboll. Gjithsej ky klub e arriti gjashtë herë këtë sukses - për herë të fundit në sezonin 1983-84. Ndërkaq në sezonin e parafundit një klub tjetër i Anadollit, Bursaspori arriti që pas 27 vitesh të bëhet kampion i Turqisë si klub jo i Stambollit.

Kampionati kombëtar kriteri i vetëm për matjen e suksesit

Trabzonspori kishte mundësinë sezonin e kaluar që pas një kohe të gjatë të bëhet sërish kampion i Turqisë. Ekipi anadollian zhvilloi deri në fund një betejë të mrekullueshme me Fenerbahçen e Stambollit. Dhe në xhiron e fundit Fenerbahçe me një fitore 4:3 kundër Sivasspor-t, arriti të sigurojë titullin e kampionit edhe kishte të njëjtat pikë si Trabzosnpori.

Dy klubet e tjera të mëdha, Beshiktashi dhe Galatasaray kishin pësuar goditje të rëndë duke u renditur nga mesi i tabelës. Megjithatë Beshiktashi duke fituar Kupën e Federatës Turke arriti të ketë një fund inkuarujes të sezonit.

Por ata që nuk bëhen kampion të superligës në botën e futbollit turk shihen si humbës. Kampionati kombëtar është i vetmi kriter për matjen e suksesit. Disa trajnerë të shquar si Christoph Daum,

Në foto, Christoph Daum

Në foto, Christoph Daum

Luis Aragones, Bernd Schuster, Vincente del Bosque, Zico apo Frank Rijkaard gjatë viteve të kaluara është dashur që të japin dorëheqje para kohe gjoja për mungesë të suksesit. Edhe pse shumica e klubeve nën drejtimin e tyre u bënë ose nënkampione apo fituan Kupën Turke. Megjithatë atyre iu desh të largoheshin.

A i kanë blerë "titujt" Fenerbahçeja dhe Beshiktashi?

"Krisma e madhe" në futbollin turk u dëgjua në fillim të korrikut. Gjatë kontrollevee në disa qytete me 3 korrik u arrestuan nën dyshimet për manipulime rreth 50 zyrtarë, lojtarë, trainerë dhe këshilltarë. Hetuesitë e njësisë speciale për luftimin e krimit të organizuar konfiskuan gjatë bastisjeve të tyre shumë dokumente me të cilat pritet të dëshmohen rezultatet e manipuluara të sezonës së kaluar.

Sipas raporteve të medieve turke, prokuroria siç duket posedon regjistrime videosh, të cilat tregojnë dhëniet e parave në mes të zyrtarëve dhe futbollistëve. Përveç kësaj ekzistojnë edhe incizime të mesazheve dhe bisedave telefonike me përmbajtje të dyshimta të cilat janë përgjuar dhe regjistruar prej tetë muajsh me urdhër të Prokurorisë së Stambollit.

Në foto, Aziz Yildirim

Në foto, Aziz Yildirim

Njeriu më prominent midis të dyshuarve është presidenti i Fenerbahçes, Aziz Yildirim. Ai akuzohet se ka kryer vepra ilegale në 15 raste, mes të cilave krijimin dhe drejtimin e një grupi kriminel dhe një organizate të armatosur si dhe manipulime ndeshjesh. Ai u arrestua së bashku me tre funksionarë të tjerë të klubit Fenerbahçe, dhe ndodhet tani në burgun "Metris" të Stambollit në pritje të procesit. Meqenëse ai është i sëmurë nga diabeti dhe ka probleme me zemrën, ndodhet në një qeli me vëzhgim të përhershëm mjekësor. Avokatët kanë paraqitur revizionin dhe kërkojnë lirimin e tij.

Më 11 korrik pasoi një aksion tjetër më i madh. 50 të dyshuar u arrestuan paraprakisht, mes tyre edhe ish presidenti i klubit Mahmut Özgener, presidenti i nënkampionit Trabzonspor, Sadri Sener, zëvendëspresidenti i fituesit të kupës Beshiktash, Serdar Adali, si dhe trajneri i Beshiktash-it, Tayfur Havutcu me lojtarin e kombëtares Ibrahim Akin, nga klubi Istanbul Büyüksehir Belediyespor. Edhe shumë funksionarë dhe ish funksionarë të disa klubeve dhe të Ligës së Futbollit ndodhen në hetime. Trajneri Havutcu dhe lojtari Akin si dhe funksionari Adali u arrestuan pas marrjes në pyetje. Për ata akuza është "manipulime ndeshjesh."

Autor: Murat Celikkafa / Esat Ahmeti

Redaktoi: Aida Cama

DW.COM