1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

1914 - Lufta e I Botërore

Skandali i FIFA-s: «Krizë? Çfarë krize?»

Akuzat kundër anëtarëve ekzekutivë të Shoqatës Botërore të Futbollit shtohen nga ora në orë. Skandali mund ta detyronte më në fund FIFA-n, që të ndërmerrte reformat e nevojshme.

Presidenti i FIFA-s Joseph S. Blatter në konferencë për shtyp rreth krizës së shoqatës.

Presidenti i FIFA-s Joseph S. Blatter në konferencë për shtyp rreth krizës së shoqatës.

«Për lojën. Për Botën.» Ky është slogani i Shoqatës Botërore të Futbollit, FIFA. Një moto, të cilën opinioni do të kishte shumë dëshirë ta besonte, që të mund të mrekullohej edhe në të ardhmen nga futbolli. Akuzat për korrupsion dhe ryshfete ekzistojnë që prej disa dekadash, por deri tani ato kishin kaluar pa shumë zhurmë. Por më së voni nga zhvillimet e ditëve të fundit, edhe ai që s'ia ka idenë futbollit duhet ta ketë marrë vesh se përgjegjësve të FIFA-s nuk u bëhet vonë as për futbollin e as për Botën.

Përkundrazi. Ata shohin vetëm interesat e tyre. Paranë. Pushtetin. Por (deri tani) asnjë nuk guxon t'i tregojë Kartonin e Kuq as presidentit Joseph Blatter e as anëtarëve ekzekutivë. Sepse ata që mund ta bënin këtë, janë për vete të përfshirë në ndonjë skandal më të vogël a më të madh dhe deri tani gjithmonë kanë arritur ta mbajnë gjithçka të fshehur nën rrogoz.

Presidenti bujar

Tani shpresohet, që në skandalin më të madh të historisë 107-vjeçare të FIFA-s, presioni i opinionit të jetë aq i madh, sa ta bëjë ndonjërin të rrëfehet. Ose që ndonjëri ta ndjejë veten të ofenduar aq keq, sa të detyrohet t'i pranojë praktikat e tij të paligjshme, për të denoncuar dikë tjetër.

Zëvendëspresidenti i FIFA-s Jack Warner.

Akuza për korrupsion kundër Blatterit - Zëvendëspresidenti i FIFA-s Jack Warner.

Ky mund të ishte zëvendëskryetari i FIFA-s, Jack Warner, i cili ka paralajmëruar një «cunam futbolli». Kështu, anëtari i kryesisë, që të dielën (29.5.11) u pezullua përkohësisht, pretendon që president Joseph Blatter i ka dhënë në maj Shoqatës së Warner-it (CONCAF, Shoqata e shteteve të Amerikës Veriore, Qendrore dhe të Karaibeve) «një dhuratë prej një milion dollarësh ose rreth 700 000 euro, për përdorim të lirë».

Përveç kësaj, Warner-i ka nxjerrë në publik tanimë një e-mail nga Jérôme Valcke, në të cilin Sekretari i Përgjithshëm i FIFA-s aludon se Katari mund ta ketë blerë Botërorin e Futbollit 2022. Sipas informatave të Shërbimit të Informacionit për Sportin (SID), pritet një konferencë shtypi, ku pritet të akuzohen katër anëtarë ekzekutivë, që të kenë marrë gjithsej 20 milionë dollarë ryshfet për t'i dhënë Katarit Kampionatin Botëror të Futbollit.

Selia qendrore e FIFA-s në Zyrih.

Selia qendrore e FIFA-s në Zyrih.

Më në fund dëshmi?

Në konferencën e shtypit priten të bëhen të ditur emrat e katër nga gjithsej 24 anëtarëve ekzekutivë. Njëri nga të akuzuarit thuhet të jetë nënkryetari senior Julio Grondona nga Argjentina, nënkryetari Issa Hayatou (Kamerun) dhe dy anëtarët Nicolas Leoz nga Paraguay dhe Rafael Salguero nga Guatemala. Përveç kësaj pritet të bëhen të njohura edhe dokumente dhe kartëmonedha që shërbejnë si dëshmi për transfertat bankare.

Që kjo presidentin e bën nervoz, kjo u kuptua hapur në konferencën e shtypit të hënën (30.05.11). «Krizë? Për çfarë krize e keni fjalën?» pyeti Blatter, refuzoi t'u përgjigjej pyetjeve të tjera të gazetarëve dhe u vërsul drejt daljes. Në se me të vërtetë, qoftë edhe njëri nga këto raste korrupsioni do të bëhej publik, atëherë ky do të ishte një shans i madh, që FIFA të reformohej: Në këtë mënyrë shoqata do të shkëputej nga shumë anëtarë të korruptuar dhe do të punonte në mënyrë më transparente. Se sa mund t'u dëshmohet me të vërtetë anëtarëve të FIFA-s që e kanë shkelur Kodin e Nderit aq sa ata të mund të nxirren para përgjegjësisë penale, kjo është me pikëpyetje.

Pazar me ISL-në

Edhe në të kaluarën ka pasur disa përpjekje për t'u kërkuar llogari përgjegjësve të FIFA-s – deri më tani ato kanë dështuar. Si shembull markant vlen ende një pazar me ish-Agjencinë për të drejtat e sportit, ISL-në, e cila habitshëm fitoi tenderin për të drejtat televizive dhe të marketingut të Kampionateve Botërore të Futbollit 2002 dhe 2006.

Që prej shumë vitesh njihet akuza që mes 1989-s dhe 2001-it kanë rrjedhur disa milionë dollarë në adresë të disa anëtarëve të FIFA-s derisa u arrit ujdia. Por edhe në këtë rast FIFA iu kthye menjëherë rutinës së përditshme e hetimet e brendshme për ISL-në i përmbylli në heshtje një vit më parë. Blatter-i rezultoi «i pafajshëm në çdo veprim të gabuar». Sikurse tani që Komisioni i Etikës së Shoqatës hetoi vetëm brenda dy ditësh akuzat kundër Blatter-it dhe në një procedurë rrufe e çliroi presidentin nga çdo lloj akuze.

Presidenti i FIFA-s Sepp Blatter

Njeriu më i pushtetshëm në botë? - Presidenti i FIFA-s Sepp Blatter

Mbreti-Diell Blatter

Duket se presidentit të FIFA-s askush nuk mund ose nuk do t'i bëjë keq. Ndoshta sepse, 75-vjeçari mund të jetë njeriu më i pushtetshëm i botës. Sepse ai sundon mbi sportin më të dashur të botës: Futbollin. Në mbarë Botën luajnë futboll në mënyrë aktive mbi 270 milionë njerëz, numri i sportdashësve është shumë i madh. Kështu për shembull, finalen e Botërorit 2010 Spanjë-Holandë e ndoqën mbi 700 milionë teleshikues.

Blatter, si bosi i organizatës më të madhe sportive në Botë, është në krye të 208 federatave kombëtare. Këto janë 16 më shumë vende se ato të OKB-së. Nuk është çudi që zvicerianit i bëjnë temena njësoj, si kryeministrat, kancelarët, mbretërit, ashtu edhe diktatorët.

Shoqatë (jo)fitimprurëse

Përveç kësaj, FIFA, duke qenë një organizatë jofitimprurëse, nuk mund të vihet para përgjegjësisë aq lehtë. Por këtë status opinioni do të duhej ta vinte në pyetje. Sepse FIFA nuk ka fituar kurrë kaq shumë të holla sa vitin e kaluar me Botërorin 2010 në Afrikën e Jugut. FIFA futi në arkat e saj 2,35 miliardë franga (përafërsisht 1,93 miliardë Euro) – 20 përqind më shumë se katër vjet më parë në Gjermani. Një fitim, për të cilin ajo nuk pagoi as tatime në Afrikën e Jugut. Ndërkohë që vendi mikpritës është i detyruar të mbushë një boshllëk buxhetor prej tre miliardë frankash (afro 2,5 miliardë euro). Por si shoqatë jofitimprurëse FIFA nuk paguan tatime as në selinë e saj qendrore në Zvicër.
Hipokrizi

Që FIFA nuk punon për të mirën e përgjithshme kjo duket hapur. Projektet sociale në vendet në zhvillim që federata botërore i ekspozon me krenari, sipas organizatës bamirëse zvicerane "Arbeitshilfswerk" nuk arrijnë as te 150 milionë frangat (afërsisht 123,4 milionë euro). Ndërsa Sepp Blatter dhe menaxherët e lartë të FIFA-s i japin vetes shpërblime prej 50 milionë frangash (përafërsisht 41,1 milionë euro). FIFA shkruan në faqen e saj në internet se ajo, ashtu si edhe futbolli, dëshiron të jetë model për lojën e drejtë, tolerancën, shpirtin sportiv dhe transparencën. Por ky zotim është po aq i rremë, sa edhe slogani i saj.

Autore: Sarah Faupel / A. Shuka
Redaktoi: E.Xhani

DW.COM