1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Skandali gjerman me dhurimin e organeve

Më 19 gusht hapet në gjykatën e Gëttingenit gjyqi kundër mjekut, që kishte manipuluar të dhënat e pacientëve, që ishin në listën e pritjes për transplantim organesh.

Para rreth një viti Gjermania u trondit nga skandali me dhurimin e organeve. Një ish-mjek i Klinikës Universitare në Gëttingen kishte manipuluar të dhënat e pacientëve dhe në këtë mënyrë u kishte mundësuar disa pacientëve që të dilnin në krye të radhës së transplantimit të organeve. Mjeku kishte falsifikuar vlerat e analizave dhe protokollet e dializës për të krijuar përshtypjen se pacientët e tij e kishin mjaft urgjent transplantimin e organit të dhuruar.

Edhe në Regensburg, Mynih dhe Leipzig

Skandali shkaktoi një ortek të vërtetë. Në muajt në vijim 25 rasteve të dyshuara në Gëttingen iu shtuan dhe të tjerë. Së pari dyshimet pati për një mjek tjetër aktiv në Gëttingen, i cili ishte diplomuar në Universitetin e Bolonjës. Kjo sepse nga 99 pacientë, të cilëve u kishin transplantuar në Gëttingen në mes të 1995 dhe 1999 mëlçi, 23 ishin italianë dhe shumë prej tyre kishin ardhur në Gëttingen nga Bolonja.

Të alarmuar nga ky skandal Urdhëri i Mjekëve dhe Ministria Federale e Shëndetësisë ndërmorën në muajt në vijim hetime të të gjitha 24 klinikave gjermane, ku bëhet transplantim organesh. Nga hetimet u konstatuan raste të ngjashme edhe në Regensburg, Mynih dhe Leipzig.

Neue Organspenden-Kampagne in Berlin vorgestellt

Megjithë fushatat për për të dhuruar organe gatishmëria për të dhuruar ka rënë.

Në Regensburg p.sh. dyshohet se kundrejt pagesës në listat e pritjes për transplantim për Evropën janë futur ilegalisht pacientë jordanezë.

Bie gatishmëria për të dhuruar organet

Viktima të skandalit nuk janë vetëm pacientët, të cilët përmes mashtrimeve janë renditur më poshtë dhe jo si raste urgjente në listën e pritjes, por rreth 12.000 pacientë, që presin për dhurim organesh në Gjermani. Që nga ky skandal niveli i ulët i gatishmërisë për të dhuruar organe ka rënë përsëri dukshëm.

Në gjashtë muajt e parë të vitit 2013 në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ka pasur 18.3 për qind më pak dhurim organesh nga Gjermania, edhe pse qeveria dhe mediat kanë bërë muajt e fundit thirrje për të dhuruar organe. Numri i transplanteve ka rënë në këtë periudhë me 12.3 përqind.

Thirrje për një regjistër për transplantimet

Skandali nxiti një debat në lidhje me reformat e nevojshme në sistemin gjerman të transplantimit të organeve. Parlamenti vendosi pas kësaj disa herë ashpërsimin e ligjit për transplantimin, sidomos në lidhje me një mbikqyrje të veçantë të gjendjes së klinikave dhe për dënimet në rastet e manipulimeve. Po ashtu ministria e Shëndetësisë ka filluar nga puna për krijimin e një regjistri për transplantimin, i cili pritet të jetë gati në vitin 2015. Ky do ta bëjë të pamundur manipulimin e kartelave të pacientëve.