1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Skandal korrupsioni tek Telekomi? - Prokuroria është duke zhvilluar hetime

Kryetari i bordit drejtues të Deutsche Telekomit, Rene Obermann po hetohet nga Prokuroria e Bonit. Kundër tij dhe personave të tjerë zhvillohen hetime për shkak të dyshimit për korrupsion në Maqedoni dhe në Mal të Zi.

Kryetari i bordit drejtues të Deutsche Telekomit, Rene Obermann

Kryetari i bordit drejtues të Deutsche Telekomit, Rene Obermann

Telashi vjen nga SHBA-ja. Deutsche Telekom mori pjesë për një kohë të gjatë edhe në bursën e Nju Jorkut dhe qe i detyruar t'u përmbahej edhe direktivave të SHBA-së, veçanërisht atyre kundër korrupsionit në bizneset jashtë vendit, të cilat janë veçanërisht të ashpra. Pikërisht për këtë shkak, autoriteti amerikan mbikqyrës i bursës SEC dhe Ministria amerikane e Drejtësisë zhvillojnë hetime kundër koncernit gjerman. Këtë Telekomi ndërkohë e konfirmoi.

Në një deklaratë me shkrim bëhet e ditur: "Prokuroria e Bonit ka nisur një procedurë hetimi kundër tetë të prekurve - midis tyre edhe jo punonjës të Telekomit - mbi bazën e një kërkese për mbështetje juridike të autoriteteve të SHBA-së, në lidhje me veprime të supozuara korruptive në Maqedoni dhe në Mal të Zi. Tek të prekurit bën pjesë edhe kryetari i bordit drejtues të Telekomit, Rene Obermann".

Në fokusin e hetuesve ndodhet shoqëria bijë hungareze e Telekomit dhe bizneset e saj në Evropën Lindore pesë vjet më parë. Rene Obermann ishte atëherë shef i T-Mobile International dhe përgjegjës për këto biznese. Autoritetet i veshin shefit të Telekomit një pjesëmarrje personale në praktikat e dyshimta të biznesit të shoqërisë bijë maqedonase MakTel. Në shkresën e sipërmarrjes thuhet më tej se ai: "...aprovimin për pagimin e dividendëve MakTelit e ka vënë në varësi nga fakti, që të mos kryhet hapja e tregut maqedonas të telekomunikacionit për konkurrentë të tjerë. Kjo nga prokuroria vihet në lidhje me pagesa të dyshuara rryshfeti ndaj të tretëve."

E thënë më qartë: Obermann-i mendohet se e ka vënë nën presion shtetin maqedonas si bashkëkaksioner të shoqërisë së Telekomit, sipas parimit: fitimi paguhet vetëm nëse ruhet monopoli i MakTel-it. Një rast i qartë korrupsioni, po të përforcohet ky dyshim. Prokuroria e Bonit ka kontrolluar që në fund të gushtit ambjente në Zyrën qendrore të Telekomit në Bon si dhe banesën private të Obermann-it, megjithatë ajo flet vetëm për një dyshim fillestar. Nuk përjashtohet mundësia: "që ky proces të mbyllet. Ne tani do të shohim, nëse ky dyshim fillestar mund të mënjanohet."

Telekomi deklaroi në emër të kryetarit të bordit të tij drejtues, se fajësimet janë të pa baza: Citat: "Kryetari i bordit drejtues i hedh poshtë si të gabuara akuzat e shqiptuara kundër tij. Telekomi Gjerman nuk duron korrupsion në asnjë sektor të koncernit ndërkombëtar."

Këshilli Mbikqyrës i Telekomit i ka shprehur shefit të kryesisë ndërkohë besimin e tij. Sipas një informacioni të Süddeutsche Zeitung në qarqe drejtuese u tha: kritikat janë absurde.

Autor: Linda Staudte/ Auron Dodi

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 16.09.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PDf9
  • Data 16.09.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PDf9