1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Skadimi i patentave farmaceutike, rrezik për kërkimet ndaj ilaçeve të reja

Prodhuesit e ilaçeve janë në prag të "skadimit të patentave“. Shumë prej tyre po humbasin të drejtat ekskluzive për prodhimin e disa prej ilaçeve më të njohura dhe pritet që përfitimet të ulen së tepërmi.

Është vlerësuar se kompanitë farmaceutike do të kenë më shumë se 267 miliardë euro humbje (205 miliardë dollarë), në momentin e parë që patentat e tyre do të skadojnë në vitin 2006. Ilaçet që përdoren në masë, thuajse janë prekur nga ky fenomen.

Vitin e shkuar, Pfizer humbi të drejtat ekskluzive për prodhimin e ilaçit të tij betabloker, Lipitor, i cili përdoret për uljen e kolesterolit në gjak. Këtë vit, Bristol-Myers Squibb dhe patenta e Sanofit për prodhimin e medikamentit Plavix i cili shërben për hollimin e gjakut, kanë skaduar.

Humbjet e ardhura nga shitjet e ilaçeve si Lipitor dhe Plaxiv, pritet që të kenë efekt në shkurtimet e shpenzimeve për kërkimet e ilaçeve të reja që luftojnë sëmundjen e Alzeheimerit. Ky është një trend shqetësues në industrinë farmaceutike, sipas Christa Müller, e cila drejton Institutin Farmaceutik në universitetin e Bonit.

"Disa kanë shpenzuar shuma të mëdha parash për kërkimet kundër Alzheimerit përgjatë dhjetë viteve të shkuara dhe shumë projekte kanë rezultuar të pasukseshme," thotë Müller.

Në muajin gusht, kompanitë farmaceutike Johnson&Johnson, dhe Pfizer hoqën dorë nga një punë e përbashkët kërkimore për gjetjen e një trajtimi të ri mjekësor kundër Alzheimerit, i cili u kushtoi kompanive thuajse më shumë se një miliardë dollarë. 

Një sfidë e paprecedent

Prej një kohe të gjatë, kompanitë farmaceutike janë mbështetur tek përfitimet e ardhura nga ilaçet më të njohura, për të mundësuar investimin në zhvillimet e ilaçeve më të reja.

Puna që duhet për kërkimet, testimin dhe nxjerrjen në treg të një medikamenti të ri mund të kushtojë afro 1.5 miliardë dollarë.

Me përfundimin e patentave të ilaçeve më të përdorura, ose patentat që shkojnë drejt skadimit, prodhuesit origjinalë po shikojnë fitimet e tyre që ulen masivisht. Ata do të përballen me konkurrueshmëri shumë më të madhe nga prodhuesit e tjerë, të cilët mund të nisin prodhimin e barnave që kushtojnë më lirë se versioni origjinal. Ato mund të jenë më të lira, disa herë dhe 90% më të lira. 

Një kurë 30-ditore me Valium kushton afro 157 dollarë. Por e njëjta kurë në versionin më të lirë, për shembull kura me Diazepam, kushton vetëm 1.82 dollarë.

Shumë thonë se prodhuesit e ilaçeve po humbasin shumë para, dhe kjo po i bën ata që të jenë shumë të kujdesshëm në investimin e parave për kërkime. "Nëse një kompani po punon në një ilaç të caktuar, kompania tjetër s´do t´a bëjë këtë, sepse i druhet faktit se do të jenë numri dy në treg dhe nuk do të marrin mbrapsht paratë të cilat kanë investuar. Hulumtimet në barna janë bërë kaq të shtrenja," thotë Müller.

Por pavarësisht prirjes për mënjanim të investimeve rreth sëmundjeve neurodegjenerative, të cilat shihen si shumë të vështira për t´u kuruar, Instituti Farmaceutik në universitetin e Bonit ka qenë në gjendje të vijojë me studimet në këtë fushë.

Ata kanë kryer studime të suksesshme për receptorët, molekulat qelizore përgjegjëse për marrjen e sinjaleve të jashtme në tru. Müller shpjegon se kërkimet e saj për receptorët mund të përdoren në zhvillimet ndaj ilaçeve që kanë si qëllim qelizat specifiket dhe riparimin e tyre, për të luftuar versionet më të këqija siç janë Parkinsoni dhe Alzheimeri.

Rritje domethënëse e ilaçeve derivate

Ndërsa shumë kompani farmaceutike perëndimore po bëjnë regres, industria farmaceutike në Afrikë po rritet, pak a shumë si ajo në Azi dhe në Amerikën Latine. Një tjetër fenomen është se ilaçet derivate po shënojnë një rritje domethënëse në Evropë.

Një raport i Federatës Evropiane të Industrive dhe Shoqatave Farmaceutike sugjeron se shpenzimet në këto lloj ilaçesh do të rriten nga 24 miliardë dollarë që ishin në vitin 2011, në 430 miliardë dollarë në vitin 2016 në Evropë. Kjo, për shkak të rritjes së tregjeve të reja dhe një tranzit të përgjithshëm të medikamenteve derivate në kombet në zhvillim.