1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

S'ka ndihmë nga gjyshet

Deri në vitin 2013 numri i çerdheve në Gjermani do të trefishohet. Projektligji u miratua të premten nga parlamenti gjerman. Por as ky ndryshim nuk do t'u japë fund problemeve të nënave të reja në Gjermani

default

Ministrja e familjes Ursula von der Leyen

Era është dy vjeç e gjysmë dhe ka mbi një vit që shkon në çerdhe në një lagje të Berlinit Lindor, falë përkujdesjes së hershme të prindërve të saj, Evisit dhe Larsit. "Kam kërkuar gati që kur lindi goca dhe kam qenë në lista pritjesh për fëmijë në gati pesë kopshte. Kur u bë goca nëntëmuajshe filloi me kopshtin", rrëfen e ëma e Erës, Evisi.

Fatin e Erës e kanë aktualisht vetëm një e nënta e fëmijëve të porsalindur në Gjermani. Prandaj edhe ministrja unioniste Ursula von der Leyen, vetë nënë e shtatë fëmijëve, u përpoq shumë dhe më në fund arriti ta kalonte në parlament një nga ligjet më të debatuara, atë të subvencionimit të çerdheve për fëmijë nën moshën tre vjeçare.

"Ky ligj do ta transformojë ndjeshëm vendin tonë, ai është një gur kilometrazhi në koordinimin e familjes me profesionin, ai do të na sjellë më shumë arsim për fëmijët tanë dhe më shumë të ardhme për vendin tonë", premtoi ministrja kristiandemokrate në debatin parlamentar të premten, më 26 shtator 2008.

Gjyshërit nuk janë në dispozicion

Disa kilometra larg Bundestagut është restoranti ku punon Evisi. 31 vjeçarja nga Tirana e ndjek me shumë vëmendje debatin aktual në Gjermani dhe gëzohet për ligjin. "Do të jetë një hap që mund të sjellë rritjen e numrit të lindjeve në Gjermani. Nënat me fëmijë këtu janë komplet të lëna vetëm," - thotë ajo. Shumica e nënave, sapo lindin fëmijët, janë të detyruara të heqin dorë nga profesioni, alternativa si gjyshër apo gjyshe në dispozicion nuk ka.

"Nuk ekziston ai mentaliteti i nënave shqiptare që i ndihmojnë fëmijët e tyre me çdo kusht e që japin jetën për nipërit dhe mbesat. Megjithëse unë personalisht i kam marrëdhëniet shumë të mira me vjehrrin dhe vjehrrën, ata nuk më ndihmojnë shumë, përveç ndonjë rasti akut", rrëfen Evisi, i shoqi i së cilës është gjerman. Një dado për fëmijë kushton shtatë deri tetë euro për orë. Kjo do të thotë afro 70 Euro në ditë, një shumë e përballueshme nga ata që fitojnë shumë mirë.

Evis, 31

Evisi në restorant

Ligji i ri parasheh që duke filluar nga viti 2013 çdo fëmije të porsa lindur t'i garantohet vendi në çerdhe. Deri tani çerdhja është me pagesë, që ndryshon në varësi të të ardhurave të prindërve. Por Partia Socialdemokrate nuk pati sukses me kërkesën e saj për ta bërë çerdhen me pagesë. Evisi shpreh keqardhjen dhe thotë se kjo do të ishte diçka shumë e mirë. "Sidomos për të ardhurit, sepse pavarësisht nga situata e tyre ekonomike do të mund t'i çonin fëmijët në kopsht e kështu fëmijët do të konfrontoheshin që në fillim me gjuhën gjermane dhe jo vetëm kur të uleshin në bankat e shkollës."

Ende ka shumë për të bërë

Është ora e drekës dhe Evisi sapo ka marrë porosinë nga një klient dhe vrapon drejt kuzhinës. Ka vite që ajo punon në gastronomi, megjithëse ka përfunduar ekonominë në shkollën e lartë të Berlinit dhe ka shumë kohë që po kërkon një vend punë në profesionin e saj. "Shumica e intervistave që kam pasur për punë kanë dështuar sepse nuk isha fleksible për të udhëtuar në qytete dhe shtete të ndryshme", thotë ajo. "Kjo është e pamundur kur ke një fëmijë të vogël".

Rritja e numrit të çerdheve nuk u ka dhënë fund problemeve të nënave të reja. "Një gur kilometrazhi" e quajti ministrja von der Leyen ligjin e ri, sepse rruga deri në përputhjen e vërtetë të familjes me karrierën është shumë e gjatë.

  • Data 29.09.2008
  • Autor Anila Shuka
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/FPpd
  • Data 29.09.2008
  • Autor Anila Shuka
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/FPpd