1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Situata në Iran mbetet delikate" - Shirin Ebadi në mikrofonin e DW-së

14 Korrik 2009

Në një intervistë ekskluzive me Deutsche Welle Ebadi flet për situatën në Iran dhe mbron kthesën demokratike në vendlindjen e saj.

https://p.dw.com/p/Ionv
Shirin Ebadi - Mbajtëse e çmimit Nobel të paqes dhe zëri i të drejtave të njeriut në IranFotografi: DW

Zonja me xhaketën e verdhë në podium vërtet që është trupvogël, por ajo është energjike dhe zëri i saj ka peshë. Shirin Ebadi kërkon me forcë një angazhim më të madh të shteteve të Evropës për të drejtat e njeriut në Iran. Ajo ankohet se prej vitesh bëhen negociata për programin bërthamor iranian, por të drejtat e njeriut nuk luajnë thuajse asnjë rol:"Pyetja që shtrohet është se a ka rëndësi për Evropën vetëm siguria e evropianëve, a nuk interesohen ata për sigurinë e iranianëve?"

Shirin Ebadi auf Pressekonferenz in der Deutschen Welle
"Sanksione politike, jo ekonomike" - Shirin Ebadi në konferencën për shtyp të Deutsche Welle-sFotografi: DW

Ebadi foli në konferencën e shtypit që u zhvillua në Deutsche Welle qartësisht kundër sanksioneve ekonomike. Ato do të preknin popullin e thjeshtë, theksoi ajo duke shtuar se angazhohet për sanksione politike:"Me sanksione politike unë kam parasysh që vendet evropiane duhej të tërhiqnin ambasadorët e tyre. Marrëdhëniet diplomatike nuk duhet të ndërpriten në asnjë mënyrë, por ambasadat mund të ulen në një shkallë më të ulët, në konsullata. Kjo nuk do ta dëmtonte popullin, por udhëheqjes do t'i nxirrte para syve izolimin e saj."

Mediat ndërkombëtare - rol kyç për lëvizjen iraniane për ndryshin

Avokatja për të drejtat e njeriut theksoi gjithashtu rolin e rëndësishëm të mediave ndërkombëtare për lëvizjen iraniane të protestave dhe lëvdoi në këtë kuadër shprehimisht Deutsche Wellen. Njëkohësisht ajo u bëri thirrje gazetarëve që të ushtrojnë presion te qeveritë dhe të vënë nën lupë edhe kontaktet ekonomike.

"Pyeteni Nokia-Siemensin, pse kanë dërguar teknikë për të kontrolluar internetin dhe komunikimin mobil. Me ndihmën e këtyre pajisjeve shtypen njerëzit në Iran."

Ausschreitungen bei Oppositions-Demonstration in Teheran, Iran, 09.07.09
Opozita në Iran vazhdon protestat kundër qeverisë në TeheranFotografi: AP

Mbajtësja e çmimit Nobel për paqe është e bindur se numri i viktimave që u vranë në protesta është shumë më i lartë se sa besohet deri tani. Veç kësaj, të arrestuarit i izolojnë - pa kontakt me familjet e tyre ose avokatët. Mënyra si vepron qeveria nuk është as në përputhje me kushtetutën, as me fenë islame. Prandaj, ndërkohë shumë klerikë me poste drejtuese janë pozicionuar kundër qeverisë dhe padrejtësisë së kryer prej saj, tha Ebadi: "Brutaliteti i udhëheqjes kundër popullit ishte kaq masiv, sa kleri e ka kundërshtuar. Dhe këto protesta nga ana e përfaqësuesve fetarë bëjnë që qeveria ta humbasë legjitimitetin."

OKB-ja krijon një delegacion për zbardhjen e ngjarjeve pas zgjedhjeve në Iran

Me iniciativën e Ebadit, Kombet e Bashkuara kanë krijuar tashmë një delegacion. Raportuesit e pavarur do të hedhin dritë në ngjarjet pas zgjedhjeve të diskutueshme parlamentare të mesit të qershorit. Por është ende e paqartë, nëse delegacionit do t'i lejohet të hyjë në Iran. Kjo pyetje shtrohet ndoshta edhe për Shirin Ebadinë vetë. Megjithë rreziqet, ajo e sheh vendin e saj në Teheran dhe kërkon të kthehet atje. Atje është bashkëshorti, thotë ajo, atje është shtëpia e saj, atje është puna e saj.

Autorë: Matthias von Hein/ Auron Dodi

Redaktoi: Sonila Harasani