1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Situata e paqëndrueshme politike në Tajlandë

Arsyeja për protestat që po vazhdojnë prej vitesh është se Tajlanda është një vend në tranzicion.

Shoqëria tajlandeze nuk po gjen qetësi. Gjatë protestave të fundjavës pati sërish katër të vdekur dhe më shumë se 100 të plagosur. Në protestat e vitit 2010 u vranë më shumë se 90 vetë. Arsyeja për këto protesta që po vazhdojnë prej vitesh është se Tajlandë është një vend në tranzicion. Marco Bynte, profesor i asociuar në Universitetin Monash të Malajzisë, thotë përmbledhtazi: "Fjala është për një kontratë të re sociale. Deri tani kjo ka qenë e mbushur me elemente feudale dhe duhet të bëhet më demokratike, në mënyrë që të mund të përputhet me realiteti e sotëm shoqëror."

Origjina e ndryshimit dhe e krizës

Transformimi i shoqërisë tajlandeze filloi në vitin 1992 kur qeveria e parë civile, e cila erdhi në pushtet pas një sundimi të gjatë të ushtrisë, forcoi strukturat demokratike. Demokratizimi mori shtysë të mëtejshme në vitin 2001, kur Thaksin Shinawatra emërua si kryeministri i 23-të i Tajlandës. Ai arriti të mobilizojë me shumë sukses në zgjedhje, shumicën e popullsisë në veri dhe verilindje të vendit. Thaksini premtoi një paketë stimujsh për popullsinë rurale dhe e vuri në jetë këtë pas ardhjes në pushtet. Prof. Marco Bynte thotë: "Thaksini ishte i cili u angazhua për popullsinë fshatare dhe i mbajti dhe premtimet e tij politike." Me këtë ai siguroi për një afat të gjatë bazën e pushtetit.

Por kjo e zemëroi elitën politike në Bangkok, e cila deri atëherë e kishte sunduar vendin pak a shumë sipas përfytyrimeve të veta. Ardhja e Thaksin Shinawatras në pushtet krijoi dy kampe armiqësore: këmishëkuqët dhe këmishëverdhët. Këmishëkuqët mbështesin Thaksin dhe sot motrën e tij Yingluk. Ata janë kryesisht nga krahinat veriore dhe verilindore, por tani edhe nga Bangkoku. Këmishëverdhët i përkasin elitës borgjeze të qyteteve dhe të jugut të vendit. Ata duan të ruhet rendi i vjetër.

Thaksin u soll në fillim të karrierës si shpresa e madhe për demokracinë në Tajlandë. Por shpresat u zhgënjyen shpejt, thotë Rainer Adam, shef i zyrës së Fondacionit Friedrich Naumann në Bangkok: "Thaksini hoqi pjesë-pjesë nga fuqia të gjitha mekanizmat që i përkasin një demokracie liberale." P.sh. ai vuri në të gjitha pozitat kyçe në qeveri mbështetësit e vet dhe i inkuadroi gradualisht të gjitha partitë e përfshira në parlament të partinë e tij, kështu që praktikisht nuk kishte më asnjë opozitë.

Grusht shteti dhe ashpërsimi i fronteve

Kur Thaksin qe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork në vitin 2006, ushtria tajlandeze organizoi një grusht shteti në marrëveshje me këmishëverdhët. Në zgjedhjet e vitit 2007 partia e tij u rizgjodh sërish dhe erdhi në pushtet. Këmishëverdhët dolën në rrugë dhe arritën t'i largojnë këmishëkuqët nga pushteti. Nga viti 2010 ka pasur demonstrata nga ana e këmishëkuqëve, të cilët kërkonin një rikthim të Thaksinit. Pas kësaj parti sërish protesta të ashpra nga këmishëkuqët. Në protesta pati 25 të vrarë dhe 800 të plagosur. Në zgjedhjet e vitit 2011 këmishëkuqët fituan sërish. Që atëherë kryeministre është motra e Thaksin Shinawatras, Yingluck. Por si tregojnë protestat e kohëve të fundit këmishëverdhët nuk e duan sa të motrën e Thaksin -it.

Protestat e viteve të fundit tregojnë se shumica e popullsisë së Tajlandës është pro këmishëkuqëve. Tani opozita këmishëverdhë që po proteston i ka vënë ultimatum qeverisë duke kërkuar mbledhjen e një kuvendi popullor të pelegjitimuar me rrugë demokratike, i cili do të zgjedhë kryeministrin.

Në fakt, konflikti nuk është gjë e keqe, thotë Adam: "shoqëritë ndryshojnë, kur lindin konflikte, por konfliktet duhet që natyrisht të zgjidhen me mjete të përshtatshme, brenda një kornize të institucionalizuar." E pikërisht kjo mungon dhe llogoret mes grupeve ndërluftuese janë aq të thella saqë dialogu është thuajse i pamundur.