1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

'Situata është problematike, por prej vitit 2000 janë bërë ndryshime shumë të mëdha'

Në zgjedhjet komunale të Kosovës marrin pjesë edhe 21 subjekte politike nga pakicat. Një nga këto subjekte është edhe Partia e pavarur Liberale Serbe.

Banorët e thjeshtë të fshatrave serbe janë të interesuar për qetësi. Serbë nga fshati Koretiste, Kosovë

Banorët e thjeshtë të fshatrave serbe janë të interesuar për qetësi. Serbë nga fshati Koretiste, Kosovë

Kryetari i Partisë së pavarur Liberale Serbe dhe njëkohësisht anëtar i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Slobodan Petroviç flet në bisedë me DW për sfidat e komunitetit serb përballë politikës së Beogradit si dhe për vizionin e kësaj pakice për të ardhmen .

DW: Si paraqitet zoti Petroviç situata në prag të zgjedhjeve në Kosovë dhe në veçanti për komunitetin që përfaqësoni ju?

Slobodan Petroviç: Situata në Kosovë është mjaft e vështirë dhe kërkon angazhim të madh, jo vetëm nga partia jonë dhe përfaqësuesit tanë në institucione. Por gjithmonë është më lehtë që të kritikosh, se sa të punosh konkretisht për diçka. Për një vit e gjysëm sa jemi në parlament dhe qeveri kemi punuar shumë për bashkësinë tonë etnike, më shumë se ç'është punuar në 10 vitet e fundit. Pra kjo do të thotë: ne nuk jemi këtu vetëm sa për prezantim, por kemi njerëz që dinë të punojnë. Të gjithë duhet të japin kontributin e tyre, në radhë të parë institucionet e Kosovës dhe natyrisht miqtë tanë nga bashkësia ndërkombëtare.

DW: Zoti Petroviç, kur flasim për politikën e Beogradit ndaj Kosovës, a ka ndryshime mes politikës suaj dhe asaj të Beogradit dhe si e shikoni të ardhmen e bashkëpunimit mes parlamenteve në Kosovë dhe në Serbi?

Slobodan Petroviç: Rezultatet me siguri që do të ishin më të mëdha sikur shteti i Serbisë, pra përfaqësuesit e shtetit të Serbisë, ta mbështesnin partinë tonë dhe përfaqësuesit tanë. Në çdo moment ne jemi të hapur për bashkëpunim me përfaqësuesit e institucioneve të Serbisë, por kemi dhe politikën tonë autoktone, e cila mbështetet në radhë të parë tek interesat e njerëzve, që jetojnë këtu dhe tek jetesa e tyre.

DW: Ju jeni dhe kryetar i Partisë së pavarur Liberale, e cila do të marrë pjesë në zgjedhjet komunale. Cili është vizioni juaj dhe si do të përfaqësoheni në këto zgjedhje?

Slobodan Petroviç: Ne e kemi bërë të qartë qëndrimin tonë për këto zgjedhje para një viti, që ndoshta nuk ishte taktikë e mirë politike, por ishte shumë korrekte dhe flet për karakterin e partisë sonë dhe njerëzve që e udhëheqin atë. Pjesëmarrja në zgjedhje është në interesin e serbëve që jetojnë këtu, në radhë të parë atje ku ata përbëjnë shumicën. Ne jemi të vetëdijshëm se ky është një shans i vetëm, sepse në procesin e decentralizimit janë krijuar edhe komuna të reja me shumicë serbe. Në interesin e këtyre njerëzve është që të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në nivelin lokal, me qëllim që ata vetë t'i hartojnë dhe artikulojnë interesat e tyre dhe t'i zgjidhin problemet në mënyrën më të mirë të mundshme. Shumë me rëndësi është që gjatë procesit të decentralizimit, si në komunat e reja ashtu edhe në ato të mëparshme janë dhënë të drejta më të mëdha. Tani ka mundësi shumë më të mëdha për të vepruar, gjë që është edhe një shkak pse njerëzit duhet të marrin pjesë në këtë proces. Pra jo vetëm për shkak të zgjedhjeve, por për të mirën e tyre.

DW: Çfarë mendoni lidhur me pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje? A do të jetë kjo më e madhe kësaj herë?

Slobodan Petroviç: Pjesëmarrja me siguri që do të jetë më e lartë se në zgjedhjet e kaluara. Duhet ta dini se kemi presion për bojkotimin e zgjedhjeve, por duhet thënë sinqerisht se në zgjedhjet e vitit 2007 presioni ishte shumë më i madh. Prandaj pjesëmarrja në këto zgjedhje, pra më 15 nëntor do të jetë shumë më e lartë.

DW: Por si manifestohet ky presion i Beogradit, zoti Petroviç?

Slobodan Petroviç: Përmes njerëzve të ndryshëm të partive dërgohen sinjale se ata që marrin pjesë në zgjedhje do të mbeten pa punë dhe pa rroga. Në vitin 2007 presionet kanë qenë shumë më të mëdha, sepse na kanë kërcënuar edhe me likuidimin fizik.

DW: Beogradi gjithmonë ka pretenduar se shkelen të drejtat e serbëve dhe se ata nuk janë qytetarë si duhet. Është e vërtetë kjo?

Slobodan Petroviç: Ne i kemi sugjerimet e Komisionit Evropian, që flasin për këtë punë dhe nuk duhet të jeni ndonjë ekspert tepër i mirë për të kuptuar se situata këtu nuk është e shkëlqyer. Por qëllimi i Partisë së pavarur Liberale është promovimi i politikës reale. E domosdoshme është të thuhet se prej vitit 2000 deri më sot janë bërë ndryshime shumë të mëdha, për të mirë. Nuk është e mundur që vetëm njëra palë është fajtore për gjendjen. Por nuk dua të iki nga përgjegjësia, që është edhe një prej shkaqeve që të gjithë të japim një kontribut sa më të madh.

Autor: Mimoza Cika Kelmendi

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 11.11.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KTve
  • Data 11.11.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KTve