1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Situatë e tensionuar në Kiev

Pas një qetësie të përkohshme në kryeqytetin ukrainas Kiev ka pasur përsëri përleshje ndërmjet protestuesve dhe forcave policore. Opozita kërkon ndërmjetësim ndërkombëtar.

Protestuesit hodhën gurë dhe shishe molotov në drejtim të forcave të sigurisë, policia sulmoi protestuesit anti-qeveritarë me granata verbuese. Pamjet televizive treguan se si protestuesit i vunë zjarrin gomave në barrikadat e ngritura në qendër të qytetit.

Në luftën disajavore për pushtet politik, presidenti Viktor Janukoviç ka shprehur gatishmërinë për t'i bërë lëshime të mëtejshme opozitës pro-evropiane. Kreu pro-rus i shtetit paralajmëroi për të martën e ardhshme një riorganizim të qeverisë dhe një ndryshim të ligjeve të diskutueshme që kufizojnë lirinë e tubimit dhe lirinë e shtypit. Për më tepër, Janukoviç premtoi se do t'i falë ata protestues të arrestuar që nuk kanë kryer krime të rënda.

Pamje nga Kievi, 25.01.2014

Pamje nga Kievi, 25.01.2014

Udhëheqësit e opozitës refuzuan këto paralajmërime duke i vlerësuar ato si të pamjaftueshme. Ish-kampioni i botës në boks dhe lider i partisë opozitare Udar, Vitali Klitschko, tha për Deutsche Welle-n në Kiev se: "Para një muaji ndoshta do të ishte e mjaftueshme dorëheqja e ministrit të Brendshëm Vitali Sachartschenko. Vetëm disa javë më parë do të kishte mjaftuar edhe dorëheqja e qeverisë. Por tani njerëzit kërkojnë dorëheqjen e Janukoviçit."

Për gazetën gjermane "Bild" Klitschko u shpreh jashtëzakonisht i shqetësuar në lidhje me situatën aktuale. Ai kishte "frikë nga ajo që na pret në orët dhe ditët e ardhshme në Ukrainë". Janukoviç "me taktikat e tij të vonesës dhe pseudo-negociatat ka forcuar ata që dëshirojnë të reagojnë me dhunë në rrugë."

Thirrje për ndërmjetësim të BE-së

Klitschko dhe Arseny Jazenjuk, shef i grupit parlamentar të "Partisë së Atdheut" të ish kryeministres së burgosur Julia Timoshenko, bënë thirrje për ndërmjetësim ndërkombëtar për zgjidhjen e konfliktit në ish-republikën sovjetike. "Pa ndërmjetësimin e partnerëve tanë perëndimorë do të jetë shumë i vështirë përfundimi i krizës politike", tha Jazenjuk pas një takimi me komisionerin e zgjerimit të BE-së Stefan Füle në Kiev.

Pamje nga Kievi, 25.01.2014

Pamje nga Kievi, 25.01.2014

Füle u takua të premten edhe me presidentin Janukoviç dhe do të vazhdojë bisedimet e tij në kryeqytetin ukrainas edhe këtë të shtunë (25.01.2014). Sipas të dhënave të gazetës "Bild", shefja e politikës së Jashtme të BE-së, Catherine Ashton do të bëjë një përpjekje të re në ndërmjetësim në Kiev të enjten.

Protestat e opozitës patën filluar pasi Janukoviç në fund nëntorit nën presionin e dukshëm nga Rusia ngriu marrëveshjen e Asociimit me Bashkimin Evropian e cila nga opozita konsiderohej si një mundësi historike. Ditët e fundit, përleshjet në Kiev u përshkallëzuan. Sipas opozitës pesë demonstrues u vranë. Qeveria konfirmoi tre të vdekur.

Në të njëjtën kohë protestat e Kievit u përhapën edhe në zona të tjera. Në pjesët perëndimore të ish Republikës Sovjetike të dominuar nga nacionalistët protestuesit në Lviv dhe qytetet e tjera pushtuan ndërtesat qeveritare.