1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Situatë e frikshme në rrugët e Shqipërisë

Gjatë muajit korrik nga aksidentet rrugore humbën jetën 49 persona, ose dyfishi i të njëjtës periudhe 1 vit më parë

default

Rruga, që lidh Tiranën me Durrësin.

Në hyrje të autostradës Tiranë-Durrës ka një përqëndrim jo të zakonshëm të forcave policore. Veç uniformave të punonjësve të qarkullimit rrugor dallohen dhe ata të rendit. Të ndarë në grupe uniformat blu po u shpërndajnë drejtuesve të automjeteve një udhëzues me disa fletë për rregullat e qarkullimit dhe evitimin e aksidenteve. Njëri prej policëve rrugorë thotë se qëllimi nuk është vetëm ndëshkimi me gjoba, heqje të licensës, apo vendimi për bllokimin e automjetit.

Edhe për t'i ndërgjegjësuar drejtuesit e makinave për zbatimin rigoroz të rregullores së qarkullimit.

"Ne jemi të gatshëm t'u shërbejmë qytetarëve, duke u kujdesur për ta. Por në të njëjtën kohë të ndëshkojmë të gjithë kundravajtësit, që do të shkelin rregullat qarkullimit", thotë ai.

Treguesit e këtij sezoni veror kanë alarmuar policinë dhe autoritetet e rendit dhe të sigurisë publike. Vetëm për muajin korrik u rregjistruan 49 viktima nga aksidentet rrugore. Ndërkohë që rreth 165 të tjerë ishin më me fat, pasi pësuan vetëm lendime të ndryshme. Numri i atyre, që kanë humbur jetën, është dyfish po të krahasohet me korrikun e një viti më parë.

Stau am Golemi Strand Albanien

Rrugë në plazhin e Golemit

Përgjakja e rrugëve në Shqipëri lidhet me pikun e sezonit veror turistik, kur numri i makinave në rrugët e vendit është më shumë se dyfishi. Vijnë emigrantët për të kaluar pushimet në vendlindje, por me automjete mbërrijnë kryesisht përgjatë bregdetit të Shqipërisë dhe pushues nga Kosova, Maqedonia e vende të tjera. Ndër shkaqet e rritjes së numrit të aksidenteve janë shpejtësia e madhe, parakalimet e gabuara e përdorimi i pijeve alkoolike nga shoferët. Por eskpertët japin si shkak dhe mungesën e sinjalistikës dhe e ndriçimit në disa akse rrugore dhe punimet, që kryen për rikonstruksion në të tjera.

Një nga nyjet më problematike, ku ka ndodhur dhe një numër i madh aksidentesh gjatë sezonit, është qarku i Durrësit.

Shefi i qarkullimit Gjelosh Prendi thotë se në javën e fundit nga patrullimet e përforcuara të policisë rrugore janë prerë qindra fletëgjobash. Sipas tij nuk bëhet fjalë për fushatë, por për një proces të pandërprerë.

"Policia e shtetit është e angazhuar për të parandaluar çdo rast, për të goditur dhe për të ndëshkuar sipas ligjit çdo drejtues automjeti, që thyen rregullat e qarkullimit".

Adriatik Orhanasi është prej 40 vitesh drejtues automjeti. Në 13 vitet e fundit ai është instruktor autoshkolle për përgatitjen e mbi 1200 shoferëve të rinj. Shumë nga drejtuesit e mjeteve, thotë ai për DW, e konsiderojnë të mbyllur procesin e aftësimit profesional me mbarimin e kursit teorik dhe praktik për marrjen e patentës.

Auto in Tirana - Albanien

"Euforia është shkak. Kujtojnë se çdo gjë mbaroi. Nuk e dinë se ky zanat, gjithë kohën, gjithë jetën kërkon të jesh i vëmendshëm. Unë bëj krahasim me elektriçistin. Po ngatërroi fazën me nulin... iku"

Vendosja e shenjës dalluese për shoferët e rinj?

Adriatiku sugjeron për autoritetet e qarkullimit që ta bëjnë të detyrueshëm vendosjen e shenjës dalluese për shoferët e rinj, të cilët janë jo të paktë në rrugët e Shqipërisë.

"Kjo ndikon për fillestarët. Edhe ata i ndihmon. Një shofer, që vjen prapa, nuk e di që ai, që ka përpara, nuk është mirë në timon, që mund të bëjë ndonjë lëvizje majtas ose djathtas të pastudjuar. Le ta mbajnë shenjën dalluese për një muaj, dy-tre, apo gjashtë muaj. Nuk është ofezë".

Berti Koxhaj, ekspert për qarkullimin, drejton Qëndrën e Studimeve të Sigurisë Rrugore në Tiranë. Duke folur për DW ai kujton se strukturat e posaçme të policisë gjatë këtij sezoni veror nuk kanë patur një plan masash për përballimin e gjendjes. "Kjo lidhet mbase dhe me angazhimet e policisë në procesin zgjedhor", thotë Koxhaj. Ai përmend dhe faktin e mosfunksionimit normal të komitetit ndërministror të sigurisë rrugore, që drejtohet nga kryeministri. "Strukturë, që është mbledhur 1 herë në 4 vjet dhe jo 4 herë në vit, siç është planifikuar". Koxhaj veçon aspektin e mungesës së sinjalistikës nëpër rrugë.

"E vërteta është që në rrugët tona kanë pësuar një përmirësim të ndjeshëm. Realisht tani ka një infrastrukturë tejet të përmirësuar. Por me përfundimin e segmenteve rrugore ato inagurohen pa standarte të sinjalistikës. Dhe këto standarte lidhen me sigurinë në rrugë. Fatkeqësisht ne shikojmë inaugurime të akseve rrugore të papërfundura në të gjithë elementët e sigurisë".

Drejtoria përkatëse në Ministrinë e Transporteve, thotë eksperti Berti Koxhaj, duhet të bëjë studime afatgjata për qarkullimin, për gjendjen e rrugëve, perspektivën e tyre, të modifikimeve dhe aktualizimin në sinjalistikë. "Për të lehtësuar qarkullimin, për ta bërë sa më të kollajtë udhëtimin për drejtuesit e mjeteve". Në fokus të autoriteteve të qarkullimit duhet të jetë, sipas Koxhajt, lufta kundër mangësive, që ka në edukimin e drejtuesve të automjeteve. "Kjo do të ketë sukses sipas tij, kur të afrohen dhe subjekte të shoqërisë civile, ekspertë të fushës etj", thotë Koxhaj për DW.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Angjelina Verbica

  • Data 05.08.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/J3wc
  • Data 05.08.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/J3wc