1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Sistemi mbrojtës me raketa në vëzhgim

Vendet anëtare të NATO-s deklarojnë se sistemi mbrojtës ndaj raketave është i nevojshëm në rast të një sulmi nga Irani apo Korea e Veriut, por Rusia ndihet e kërcënuar dhe ka paralajmëruar se është e detyruar të mbrohet.

Anders Fogh Rasmussen në takimin Rusi-NATO

Anders Fogh Rasmussen në takimin Rusi-NATO

“Sistemi nuk është një kërcënim për Rusinë. Ai nuk ndryshon as balancën strategjike të fuqisë.” Ky është mesazhi i përsëritur pothuajse në çdo konferencë nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen. Gjatë një mbledhje të NATO-s në mes të muajit Prill në Bruksel Rasmussen tha se aleanca perëndimore ushtarake është përgatitur për të konfirmuar këtë deklaratë politike në Moskë.

Një pjesë e sistemit mbrojtës raketor do të përfundojë gjatë mbajtjes së samitit të Çikagos në datat 20 dhe 21 Maj, por Rusia ndihet e kërcënuar nga sistemi dhe negociatat kanë ngrirë. Problemi u duk sikur u zgjidh gjatë samitit të Lisbonës në Nëntor të 2010-ës. Atëherë presidenti rus Dmitri Medvedev shpjegoi se vendi i tij donte të bashkëpunonte me NATO-n në një sistem mbrojtës me raketa të përbashkëta. Ishte arritur marrëveshja për një bashkëpunim strategjik afat-gjatë. Por vetëm një vit më vonë tonet ndryshuan. Në vjeshtën e vitit 2011 Medvedev tha se Rusia ndihet e kërcënuar dhe duhet të merrte garanci për sigurinë e saj. Nëse nuk do të arrihej asnjë marrëveshje Medvedev kërcënoi se do të instalojë raketat me rreze të shkurtër Iskander në Kaliningrad në bregdetin Balltik, që rrethohet nga anëtarë të Bashkimit Europian.

Dimitri Medvedev në takimin NATO-Rusi

Dimitri Medvedev në takimin NATO-Rusi

Raketat e NATO-s në pragun e Rusisë

Tek raketat Iskander mund të montohen mbushje nukleare. Nëse do të ndodhë apo jo, kjo mbetet për t'u parë, por një gjë është e sigurtë, pasardhësi i Medvedev, Vladimir Putin, nuk do të udhëtojë për në Çikago siç ishte planifikuar. Kjo do të thotë se samiti mes Rusisë dhe NATO-s nuk do të zhvillohet.

Moska zyrtare thotë se kjo erdhi për shkak të afateve të ngushta kohore, por ekspertët perëndimorë e shikojnë si një dështim të negociatave të deritanishme për të arritur një marrëveshje. Në Çikago, liderët e 28 vendeve anëtarë të NATO-s do të njoftojnë përfundimin e njërës prej katër fazave të ndërtimit të sistemit mborjtës nga raketat, i cili parashikohet të përfundojë në vitin 2020.

Shtetet e Bashkuara kërkojnë të mbrojnë veten dhe aleatët e tyre europianë nga sulmet e mundshme me raketa nga vende të tilla si Irani apo Korea e Veriut. Një rrjet me radarë dhe raketa anti-balistike është planifikuar të ndërtohet në disa baza ushtarake në Europën Lindore, duke përfshirë edhe Poloninë, që kufizohet me rajonin e Kaliningradit.

Mosmarrëveshje të vjetra me Uashingtonin

Këto plane shihen me mosbesim në Rusi. Në një artikull të publikuar gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale në Shkurt, Putin shkruante se sistemi i mbrojtjes ndaj raketave në Europë, i udhëhequr nga SHBA, është një shqetësim për strategjinë e armëve atomikë të Rusisë. Përgjigja e Moskës mund të jetë “efektive dhe asimetrike” shtoi ai, duke argumentuar se për shkak të situatës ekonomike e kanë të pamundur të ndërtojnë një sistem mbrojtës nga raketat të tyren. Për shumë vite Rusia ka qenë ngurruese për ndërtimin e një sistemi mbrojtës. Në vitin 2007 Uashingtoni zyrtar i bën një ofertë Rusisë për të ndërtuar një sistem mbrojtës ndaj raketave në Azerbajxhan në kufi me Iranin, por oferta nuk u pranua. Më pas administrata e presidentit Barack Obama nuk i çoi më tej planet duke u fokusuar më shumë në progresin e sistemit mbrojtës ndaj raketave të NATO-s.

Vladimir Kosin, ekspert rus

Vladimir Kosin, ekspert rus

Një kërcënim për Rusinë?

Sa kërcënues mund të jetë ky sistem, është pyetja që diskutohet më shumë mes ekspertëve. Vladimir Kosin, këshilltar për çështjet e sigurisë në parlamentin rus beson se frika e Rusisë është e justifikuar. "Standard Missile 3" e SHBA-së thuhet se është në gjendie të kapë edhe raketat balistike të Rusisë tha ai. Kosin nuk beson se sistemi i NATO-s instalohet për sulmet e mundshme të Iranit. “Nëse Uashingtoni vërtet kërkon të mbrohet nga Irani do të vendoste sistemin mbrojtës diku në Gjirin Persik dhe jo në Poloni e Rumani apo vende të tjera që kufizohen me Rusinë,” tha ai.

Eksperti i pavarur ushtrak rus Alexander Golz i shikon gjërat më ndryshe. Ai beson se sistemi i NATO-s nuk do të ishte problem për Rusinë në rast se kjo e fundit papritur vendos të sulmojë Europën Perëndimore. Ai beson se ky sistem mund të kapë disa raketa ruse, por Moska ka më shumë se 1500 raketa me mbushje bërthamore në dispozicion.

Por mosmarrëveshja për sistemin mbrojtës ndaj raketave nuk ka ndalur Rusinë të bashkëpunojnë me NATO-n për çështje të tjera. Sipas raportimeve të mediave, aleanca perëndimore planifikon të përdorë rrjetin hekurudhor dhe aeroportin e qytetit rus, Ulyanovsk kur të tërhiqen nga Afganistani. Komunistët rusë kanë reaguar duke quajtur “aggression” nga “armiku” perëndimor në Ulyanovsk, që është vendi i lindjes së Leninit.

Autor: Roman Goncharenko/Amarildo Topi

Redaktoi: Lindita Arapi