1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Sistemi i shpërndarjes së gazit evropianizohet.-Transportuesit e gazit në BE themelojnë rrjetin e transportimit, ENTSOG.

Të gjithë gazpërçuesit evropianë do të mjaftonin që të kalonin pesë herë rrotull tokës. Në veçanti transportimi i gazit përtej kufinjve përbën një sfidë të madhe teknike dhe nuk kryhet gjithnjë pa vështirësi.

default

Mjafton të rrotullosh një rrotëz, të ulësh një levë dhe fillon të qarkullojë gazi. Megjithatë deri sa të vijë tek ne, ai lë prapa vetes një rrugë të gjatë dhe të ndërlikuar. Për një bashkëpunim më të mirë duhet të përkujdeset tani një bashkim i transportuesve evropianë të gazit.

Ata janë ende të pranishëm, kufijtë në mes të Evropës. Të paktën, kur bëhet fjalë për rrjetin evropian të gazit. Në të vërtetë gazi nuk mund të qarkullojë thjesht i papenguar në mes të shteteve të BE-së. Problemet fillojnë qysh nga kundërmimi:

"Një shembull i thjeshtë. Gazi francez nuk mund të kalojë thjesht nëpër rrjetin gjerman. Nga Gjermania mund të kalojë në Francë, por nuk mund të kthehet më prapa. Kjo për shkakun se gazi në Francë pajiset me lëndë aromatike me nivel të presionit të lartë, në Gjermani kjo bëhet ndryshe me nivel të presionit të ulët. Kjo do të thotë se ne aktualisht nuk mund ta pranojmë këtë gaz".

ENTSOG

Stephan Kamphues dhe presidenti ENTSOG, Vittorio Musazzi

Stephan Kamphues është administrator i ndërmarrjes Gastransport GmbH, e cila menaxhon rrjetin më të madh të furnizmit me gaz në Gjermani. Prej 1 dhjetorit ai është edhe kryetar i rrjetit të transportuesve të gazit, të ashtuquajturit ENTSOG. Me iniciativë të Komisionit Evropian në rrjetin e ri janë bashkuar 31 transportues nga pothuajse të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Këto janë firmat, të cilat na furnizojnë çdo ditë me gaz, në mënyrë që ne këtu në Evropë të kemi ngrohje dhe të mund të gatuajmë. Përmes bashkëpunimit në kuadër të ENTSOG-ut duhet të caktohen rregulla unike dhe të detyrueshme për transportimin e gazit. Qëllimi është që të kemi një furnizim stabil me gaz dhe një konkurencë më të fortë. Në të ardhmen çdo klient në Evropë do të mund të zgjedhë vetë, se kush do ta furnizojë me gaz. Për të shtyrë përpara transportin tejkufitar të gazit, transportuesit po bashkëpunojnë ngushtë me Rregullatorët përgjegjës. Për Matthias Kurth-in, president i Entit Federal Gjerman të Rrjetit për furnizim me gaz, nuk ka arsye për shqetësim:

Der Praesident der Bundesnetzagentur Matthias Kurth

Matthias Kurth, president i Entit Federal Gjerman të Rrjetit për furnizim me gaz.

"Ne si rregullatorë si këtu në Gjermani, ashtu dhe në Evropë natyrisht që vendosim një mbikqyrje të këtyre rregullave. Ne do të caktojmë kritere dhe kushte, të cilat do t'i shohim të nevojshme posaçërisht, kur bëhet fjalë për çështjet e konkurrencës dhe të drejtës për lidhje në gazpërçues. Lidhur me këtë këtu kemi një bashkëpunim në mes të pronarëve të rrjetit të furnizimit me gaz dhe rregullatorit".

E drejta për t'u lidhur në gazpërçues është në të vërtetë pika kyçe në tregtinë me prodhimet e gazit. Komisioni Evropian dëshiron një treg unitar të brendshëm evropian. Kështu që furnizmi me gaz përmes rrjetit ENTSOG do të jetë më transparent.

Po të krahasohet tregu i gazit me tregun e rrymës në Gjermani atëherë vërehet se tregtia me gaz po përparon shumë ngadalë. Vetëm rreth 350 mijë ekonomi familjare në Gjermani kanë ndërruar ofruesin e furnizuesit me gaz. Ndërkaq në tregun e rrymës kanë qenë mbi dy milionë. Megjithatë Kurth shpreh bindjen se tregu i gazit po zhvillohet në drejtimin e duhur:

"Ne kemi bërë diçka. Gjendja është përmirësuar dukshëm në krahasim me kohën, sa nuk ka pasur rregullim. Para tre, katër vitesh si klient privat nuk ke pasur mundësi të ndërrosh furnizuesin. Dhe unë personalisht besoj, që ky zhvillim do të vazhdojë. Po e them kështu: Në katër-pesë vitet e fundit në tregun e gazit është bërë më shumë se në 20 vitet e mëparshme".

Autor: Martin Heidelberger/Bahri Cani

Redaktoi: Angjelina Verbica

  • Data 15.12.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/L35S
  • Data 15.12.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/L35S