1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Sistemi i rrënuar arsimor i Greqisë

E ardhmja e vendit është rinia. Por ç'ndodh kur kjo rini nuk merr nxitjen e nevojshme në një sistem arsimor mesatar? Dhe kur kriza ekonomike vetëm sa e përkeqëson gjendjen? Përshtypje nga një lice në Athinë.

"Liceu i Pestë i Përgjithhëm" i Petroupolis në veri-perëndim të Athinës është plot ngjyra të gëzueshme. Por duket se vetëm një pjesë e vizatimeve në mure - grafitet në muret e jashtme, në korridore dhe në klasa - janë bërë në marrëveshje me stafin mësimdhënës. Shkronja "A" për fjalën arkaizëm që është shkruar në një nga klasat me siguri nuk është bërë me dëshirën e mësuesve. Ndërsa në murin e jashtëm pranë kioskës së shkollës shkruhet "Bjeruni fashistëve".

Në Greqi nxënësit pas gjashtë vjetësh shkollë fillore kryejnë fillimisht tre vite gjimnaz dhe pastaj në shumicën e rasteve tre vjet në liceun klasik pëpara se të japin provimet për pranim në shkollë të lartë. Disa preferojnë të kryejnë "Liceun profesional", me orientim praktik, dhe më pas kryejnë edhe një kualifikim profesional.

The teacher Ilira Drew (Ilira Ndrio) among her pupils and their parents after the lesson. Foto: DW/Nikos Anagnostou in the Albanian School of Athens, on 19/9/2010.

Pajisje të vjetëruara

Që para 25 vjetësh gjimnazet dhe licetë grekë nuk kanë qenë shumë më ndryshe nga sot. Edhe pajisjet e tyre duket se nuk janë rinovuar: Tavolinat dhe karriget janë modele të viteve shtatëdhjetë. Një nga dy laboratorët e kimisë është një tryezë pune me pak aparate, epruveta dhe furnela të vogla. Nxënësit i shohin eksperimentet të ulur në disa karrige ose mbi tryezën tjetër të punës, përballë. "Laboratori tjetër është më modern", thotë drejtori i shkollës, Pavlos Perdikakis.

"Kemi një bibliotekë, një laborator fizike dhe kimie, një dhomë informatike, një palestër, një fushë basketbolli dhe një volejbolli." Edhe ambientet në oborrin e shkollës janë rregulluar me kujdes, me pemë dhe stola, thotë Perdikakis jo pa krenari. Për këtë lagje relativisht të varfër punëtorësh, liceu konsiderohet i pajisur shumë mirë.

Pranë nxënësve

Perdikakis i njeh me emër të 240 nxënësit e shkollës së tij. Toni i komunikimit është miqësor, edhe kur nxënësit hyjnë pa lajmëruar në zyrën e tij gjatë pushimit. Perdikakis me një përvojë më shumë se 30 vjeçare si mësues rrezaton autoritetet miqësor: me mirësjellje por me vendosmëri ai u thotë të dalin nga zyra. Prej 13 vjetësh ai është drejtor shkolle, por mësim jep shumë pak, pasi puna administrative i merr shumë kohë.

240 nxënësve u japin mësim gjithsej 30 mësues, 25 prej tyre me kontrata të përhershme pune. Kjo nuk është keq në krahasim me mesataren pranon Nikolaos Papachristos. Ai është president i sindikatës së mësuesve OLME dhe përfaqëson 80.000 mësues në gjimnaze dhe lice. "Gjithsej mungojnë 2.000 mësues. Larg kryeqytetit, në ishuj për shembull, mungojnë mësues edhe në lëndët kryesore si greqisht, fizikë, kimi dhe matematikë", thotë Papachristos.

Eksursionet janë luks

Por edhe në liceun në Athinë ai e ndjen krizën, pasi buxheti për shkollën është reduktuar ndjeshëm, ankohet drejtori Pavlos Perdikakis. Edhe prindërit kanë më pak para në dispozicion, thotë ai. Ekskursionet brenda ditës duhet t'u ofrojnë nxënësve pak ndryshim nga Athina e mbuluar prej betonit. Por udhëtimi me autobus në gjelbërimin jashtë qytetit kushton rreth 3 euro, dhe dy vitet e fundit ishin të shumtë nxënësit që nuk ishin në gjendje ta përballonin këtë shumë, thotë drejtori. Në kioskën e shkollës shitjet kanë rënë me një të katërtën e xhiros së dy vjetëve më parë. Nxënësit kanë shumë më pak para për të blerë diçka të vogël në pushim.

Karakteristike për sistemin shkollor grek është që shumë nxënës pas shkollës marrin orë mësimi privatisht, mjaft të shtrenjta. Ky mësim privat ofrohet individualisht, por edhe në klasa të vërteta shkolle. Disa shkolla të tilla mësimi privat që janë të suksesshme, kanë një rrjet të madh filialesh në vend dhe kjo prej disa dekadash. Këto shkolla kanë lindur pasi në sistemin shkollor grek nuk ka provime serioze me përjashtim të provimeve të pranimit në universitet, shpjegojnë mësuesit Papachristos dhe Perdikakis. Për të marrë provimet e pranimit pjesa më e madhe e nxënësve ripunojnë në shkollat private lëndën e klasave të fundit të shkollës. Të dy mësuesit nuk kanë përgjigje për pyetjen se përse këto njohuri nuk u përcillen nxënësve në shkollë.

Nikolaos Papachristos, presidenti Sindikatës së Arsimit në Greqi, OLME

Nikolaos Papachristos, presidenti Sindikatës së Arsimit në Greqi, OLME

Orë mësimi privat në vend të shkollave?

Në shkollat e mësimit privat punojnë mësues, të cilët nuk kanë gjetur vend në sektorin publik. Një sistem i vërtetë "para-arsimor" i ngjashëm me atë të "para-ekonomisë" lulëzon prej vitesh në Greqi.

Nëse do të eliminohej ky "para-arsim" do të dilnin në rrugë mijëra mësues që japin orë private mësimi, ndërkohë që në shkollat e rregullta mungojnë mësues. A nuk mund të punësoheshin ata në shkollat e rregullta? Për këtë nuk ka para, përgjigjet presidenti i sindikatës OLMES, Papachristos. Rrogat e mësueve janë shkurtuar me rreth 40 për qind: në vend të 1000 eurove, paga e një mësuesi në fillim të karrierës është tani 629 euro. Rroga maksimale e një mësuesi në lice është 1.500 euro. "Shpenzimet për arsimin janë përgjysmuar, kjo është politika e Trojkës", thotë sindikalisti Papachristos.

Ai përfaqëson mësuesit në sektorin publik. Ata, ndryshe nga mësuesit në sektorin privat, i kanë paguar gjithnjë tatimet. Por si qëndron puna me nepotizmin, i cili ka krijuar mijëra vende pune në sektorin publik? Në sistemin arsimor nuk ka pasur të tillë nepotizëm, thotë Nikolaus Papachristos. Dhe këtu bëhet e qartë se ai nuk përfaqëson interesat e nxënësve, as ato të të gjithë mësuesve, e aq më pak interesohet ai për krijimin e një sistemi arsimor vërtet funksionues. Është pikërisht ky klientelizëm që edhe në të ardhmen do t'i pengojë ndryshimet e vërteta të nevojshme në Greqi.