1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Sistemi i pensioneve në Shqipëri, nevojë urgjente për reformim

Sipas ekspertëve treguesit kanë ardhur në përkeqësim nga viti në vit. Janë rreth 600 mijë kontributorë të skemës së pensioneve për rreth 570 mijë përfitues, pra, në raportin thuajse 1 me 1.

Megjithëse Shqipëria ka një moshë mesatare të re krahasuar me atë të kontinentit, sërish defektet dhe vështirësitë e funksionimit të skemës së sigurimeve shoqërore lidhen me informalitetin në tregun e punës. Më shumë se 60 përqind e moshës aktive për punë nuk kontribuon fare në skemën e sigurimeve shoqërore: ose është në emigracion, ose është e papunë, ose punon “në të zezë”.

Naim Hasa, ndër ekspertët më të njohur të sistemit të pensioneve, për afër një dekadë e gjysmë ka qenë drejtor i përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve të Shqipërisë. Për reformimin e sistemit ai mbështet zgjidhjet që ka ofruar Banka Botërore. Pasi ka analizuar sistuatën kritike, BB ka ofruar dy variante për përmirësimin e gjendjes. Varianti i parë është për konsolidimin e sistemit aktual duke rritur nivelin e zëvendësimit nga rreth 30-35 përqind që është momentalisht në 45-50 përqind. Për pjesën tjetër të arrihet fuqizimi i sektorit të sigurimit privat, që furnizohet nga pjesa e detyrimit të sigurimit dhe pjesa e sigurimit individual, vetëkapitalizues, që administrohet privatisht. Varianti i dytë, sipas BB, është vendosja e një skeme universale sigurimesh.

Pension social të barabartë me minimumin jetik

Ekziston një numër i konsiderueshëm nga forcat aktive për punë, thotë për DW Naim Hasa, të cilët nuk janë përfshirë në skemat e kontributit shoqëror.

Naim Hasa Rentenexperte Albanien QUALITÄT

Naim Hasa - ekspert për pensionet në Shqipëri

“Kur ata të arrijnë në moshën e pensionit nuk do të mund të marrin asnjë pension. E për këtë BB ofron vendosjen e pensionit social. Që do të thotë se cilido që nuk ka pasur asnjë aktivitet ekonomik dhe nuk ka arritur të përfshihet në asnjë sistem të derdhjes së kontributeve, kur të jetë 60 vjeç, për femrat, dhe 65 vjeç, për meshkujt, do të përfitojë një pension social që është baraz me minimumin jetik. Nga ana tjetër cilido person që është në marrëdhënie pune ka për detyrim që të derdhë kontribute në skemën e sigurimeve në masën 21.6 përqind, që konsiderohet dhe si ‘taksa e punës'. Për moshat nën 40 vjeç është dhe një detyrim tjetër për të derdhur kontribute në fondet private të sigurimeve”.

Në mënyrë vullnetare cilido mund të kontribuojë ekstra në fondet private të sigurimeve që në kohën e pensionit i shndërrohet në një të ardhur pensioni ekstra, veç asaj që i takon nga skema e detyruar.

Skema e sigurimeve si problem i mirëqënies

Profesori i lëndës së politikave publike në Universitetin Europian të Tiranës, Kosta Barjaba, Akademik i Asociuar, i shikon defektet e skemës aktuale të pensioneve të lidhura me filozofinë e ndërtimit dhe menaxhimit të saj. Sipas tij, sistemi i pensioneve është parë si problem thjesht buxhetor, ose financiar, ndërkohë që në të vërtetë është problem i mirëqënies. Vizioni i pensionit si çështje financiare dhe vizioni si çështje shoqërore kanë dy zgjidhje dhe angazhime të ndryshme, thotë prof. dr Kosta Barjaba për DW.

“E shikuar sipas modelit të parë, pensionet vihen në varësi të buxhetit, që shkon me logjikën se do të japen aq pensione sa është buxheti i shtetit. Kurse shikuar sipas modelit të dytë, si mirëqënie, atëherë pensionet do t'i vemë në nivel të nevojave që ka përfituesi. Dua ta nënvizoj faktin se vendimi i qeverisë aktuale për kalimin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore nga hierarkia e Ministrisë së Financave në Ministrinë e Mirëqënies Sociale më duket në drejtimin e duhur, që dallon kalimin nga trajtim si problem buxhetor ose financiar në trajtim si problem të mirëqënies”.

Kosta Barjaba European University in Tirana QUALITÄT

Kosta Barjaba - nga Universiteti Europian i Tiranës

Prof. dr. Barjaba e vlerëson skemën e pensioneve në Shqipëri si të shkëputur nga kolonat e tjera të sistemit të mbrojtjes shoqërore. Më konkretisht ai shfaq mendimin se skema e pensionit duhet të trajtohet ngushtë me politikat e punësimit. Që do të thotë se nuk mund të ketë reformim të sistemit të pensioneve, shëndoshje të tij, pa pasur politika të qarta dhe të suksesshme të punësimit dhe të hapjes së vendeve të reja të punës.

“Edhe për institucionet ndërkombëtare do të sugjeroja që në këshillimet që japin ta vlerësojnë reformën e pensioneve si stacionin fundor të mbrojtjes shoqërore, pasi ndër stacionet kryesore është punësimi. Punësimi është furnizuesi kryesor i skemës së pensioneve. Nga mungesa e kësaj sinergjie nga viti 2006 deri në vitin 2013 fondi nga buxheti i shtetit është thuajse trefishuar, që do të thotë se shteti planifikon fonde të konsiderueshme nga buxheti për të injektuar sistemin e pensioneve. Për vitin 2014 qeveria ka alokuar rreth 420 milion dollarë për subvesionimin e skemës së pensioneve. Gjithashtu skema e pensioneve duhet të reformohet e lidhur me politikën e pagave”.

Duke iu referuar realitetit shqiptar prof. dr Kosta Barjaba nga Universiteti Europian i Tiranës shpjegon faktin se edhe masa e pensioneve edhe masa e pagave janë të komprimuara drejt minimales.

“Po ti referohemi shifrave, rreth 60-65 përqind e pesionistëve kanë pension minimal, ndërkohë që dhe afër 70 përqind e të punësuarve në sektorin privat marrin page minimale. Pra, të dy treguesit janë të orientuara drejt minimales. Mos harroni që në Shqipëri mungon dhe një tregues shumë i rendësishëm: minimumi jetik, pra në vendin tonë nuk kalkulohet dhe nuk shpallet minimumi jetik. Atëherë kuptohet që masa e pensionit minimal dhe paga minimale përcaktohen në mënyrë apriori, pa studime të mirëfillta, sepse treguesi i minimumit jetik nuk ekziston”.

Ndikimi pozitiv i sektorit privat

Rentner Tirana 2

Që në fillim të viteve '90 Shqipëria nisi të ndryshojë legjislacionin edhe në këtë sektor duke u përshtatur me realitetet e reja në sinkron me funksionalitetin e ekonomisë së tregut të lire, duke mbyllur kapitullin e monopolit shtetëror në skemën e sigurimeve. Naim Hasa, që drejton njërin nga tre kompanitë që operojnë në tregun privat vullnetar të sigurimeve thotë për DW se janë ende fillimet, por misioni është shumë i rëndësishëm.

“Në një kohë që rritmet e punësimit janë më të ulta se niveli i pensionimit , atëherë skema e solidaritetit, ose e thënë ndryshe skema shtetërore do të vijë duke u rrudhur. Nga ana tjetër prirja është që individi do të tentojë vetëkapitalizimin, pra do të priret të kontribuojë shumë edhe për veten e tij, që ta gëzojë më pas në moshën e pensionit. Ndaj dhe BB në dy variantet e propozuara i kushton rëndësi skemave private të pensioneve. Vetëm po ti referohemi vendeve fqinje me Shqipërinë, si Maqedonia, Kroacia, Kosova etj., situate është më e favorshme dhe e konsoliduar, krahasuar me Shqipërinë.”

Profesori i lëndës së politikave publike në Universitetin Europian të Tiranës, Kosta Barjaba, shprehet se ne këtë periudhë tranzicioni se qeveritë kanë pasur një lloj qëndrimi konservator në lidhje me qasjen drejt sektorit privat.

“Një rrugë kryesore për fuqizimin e skemës së pensioneve është investimi i fondeve të pensioneve në kompani private financiare, të fuqishme dhe të garantuar që i shlyejnë fondet në një periudhë të shkurtër. Përvoja e vendeve të tjera është evidente, ndaj qeveria duhet të shkundet nga hezitimi dhe dyshimi që i karakterizuar në këtë periudhë tranzicioni dhe të lejojë fondet e institucioneve private. Kjo nuk kërkon vetëm ndryshim ligjor, por guxim dhe sjellje novatore, vizion të ri për përmirësimin e skemës së pensioneve”.