1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Sistemi i Gadafit para fundit

Pushteti prej disa dekadash i Gadafit bazohej sipas ideologjisë shtetërore tek masat popullore. Tani këto masa popullore po i sjellin fundin sistemit të Gadafit.

default

Muamar al-Gadafi

Muamar al-Gadafi demonstroi edhe një herë në fjalimin e tij të së martës (22.2.) në TV e Libisë një përzierje radikalizimi, çmendurie por edhe zgjuarsie të lindur, gjëra të cilat vendi dhe bota ka rreth 42 vjet që i dëgjon. Një ndër fjalitë themelore të tij është që ai nuk ka ndonjë post, pra nuk është president, por "drejtues i revolucionit" dhe për këtë nuk ka se nga ç'post të japë dorëheqjen.

Por pavarësisht si e quan veten Muamar al-Gaddafi është produkt i një shoqërie të stërlashtë klanesh dhe fisesh. Ashtu si ishte edhe mbreti Idriz të cilin Gadafi e përmbysi nga pushteti në vitin 1969 pas një sundimi 18-vjeçar. Sigurisht që ishte meritë e Gaddafit që e mbajti të bashkuar shoqërinë e Libisë, e cila karakterizohet nga shumë shtresa dhe interesa të ndryshme.

Gadafi, i cili i takon fisit të vogël të Gadafëve, ia doli mbanë kësaj përmes aleancave dhe pjesëmarrjes së fiseve të tjerë në pushtet. Por njëkohësisht Gadafi ishte i zoti që veten dhe disa të besuar të tij të orëve të para t'i vendoste në postet e paprekshme të udhëheqësve të revolucionit, gjë për të cilën e kishin zili edhe krerët e tjerë të shteteve arabe, të cilëve për të mbajtur pushtetin u duhej që të ndryshonin një herë në disa vjet ligjet elektorale ose t'i falsifikonin zgjedhjet.

Gadafi nuk u mor me gjëra të tilla, por shpalli si sistem shtetëror "sundimin e masave": "xhamahritë e popullit" komitete popullore të ngritura në nivele të ndryshme u krijonin rreth 6,5 milionë libianëve pështypjen e demokracisë që rrjedh nga baza. Në të vërtetë Libia është prej kohësh një diktaturë, pa parti, pa opozitë pa medie të lira.

Pasi Gadafi hoqi dorë prej mbështjetjes së hapur të terrorizmit BE dhe SHBA nuk u interesuan shumë për gjendjen në Libi. E rëndësishme ishte që nga Libia nuk kishte ndërprerje në furnizimin me naftë dhe gaz, të rëndësishme ishin investimet e këtyre vendeve në Libi dhe kooperimi me Gadafin për të ndërprerë rrjedhën e refugjatëve afrikanë drejt Evropës.

Brenda vendit Gadafi ia dilte mbanë që ta dobësonte valën e pakënaqësisë së të rinjve duke u dhënë atyre banesa. Por në radhët e fiseve të tjera në vend pakënaqësia shtohej, dhe gjatë viteve ka pasur përleshje të armatosura dhe arrestime masive.

Aparati i ushtrisë, policisë dhe i shërbimit sekret që ka ngritur Gadafi përbëhet prej rreth 140.000 vetësh. Një aparat i madh ky në raport me popullsinë. Por me sa duket ndërkohë një pjesë e këtyre forcave duhet të kenë kaluar në anën tjetër, sepse ndryshe nuk ka si shpjegohet që Gadafi ka humbur kontrollin në Bengazi dhe Cyrenaika në Verilindje të Libisë. Po ashtu prej Gadafit janë distancuar edhe një radhë diplomatësh dhe madje edhe ministri i Brendshëm.

Autor: Peter Philipp / Pandeli Pani

Redaktoi: Elert Ajazaj

DW.COM

  • Data 24.02.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10OWh
  • Data 24.02.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10OWh