1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Sistemi bankar shqiptar nuk është në kushte reale konkurueshmërie

Një ekip i ekspertëve të FMN-së, që ka vizituar Tiranën ditët e fundit ka paralajmëruar se muajt e vjeshtës do të aplikohet një program vlerësimi për sektorin financiar të Shqipërisë.

default

Bank Wechselkurse Tirana 29.07.2013

Skanimi i financave shqiptare synon që të japë një tablo për nivelin e stabilitetit të sektorit të vlerësojë aspektet zhvilluese të tij. Nëpërmjet stimulimit të "stress teste-ve" FMN-ja kërkon që të evidentojë, se sa të shëndetshme janë bankat, rank-imi i tyre, aspekti i tregut të sigurimeve dhe supervizionimi i tregut financiar sipas standardeve ndërkombëtare.

Për Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, sektori bankar është jo vetëm kontribuesi më i madh dhe më efektiv në rritjen ekonomike të vendit, por njëkohësisht sipas tij është dhe kujdestari i kursimeve të familjeve shqiptare dhe përcaktuesi i destinacionit të fondeve në ekonomi.

"Banka e Shqipërisë gjykon se ky aksion duhet të mbështetet në katër kolona veprimi: ruajtja e stabilitetit makrofinanciar të vendit dhe ndjekja e politikave ekonomike stimuluese; zbutja e pasigurisë në ekonomi; vazhdimi i reformës strukturore dhe konvergjenca me Bashkimin Evropian", ka deklaruar ditët e fundit Guvernatori i Bankës Kombëtare në Tiranë.

Ardian Fullani, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë

Ardian Fullani, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë

Bankat janë të orientuara në sektorë luks të ekonomisë

Eksperti i ekonomisë, Gjergj Buxhuku, administrator i Konfederatës së Industrive në Shqipëri, KONFINDUSTRIA, ka mendimin se sistemi bankar shqiptar ka tiparet e një sistemi parazitar, sepse, sipas tij, është i orientuar me sektorët më luks të ekonomisë, jo me sektorë prodhues të mirëfilltë, veprimtari që i kthejnë në një kohë të shkurtër fitimet. Nuk ka riskuar të hyjë në sektorë të vështirë, siç mund të jetë bujqësia, ku shkalla e kreditimit është shumë e ulët, thotë Gjergj Buxhuku për DW.

"Kjo ka ardhur, pasi sistemi bankar nuk ka qenë në kushte reale konkurueshmërie, sepse ka pasur situatë oligopol në tregun bankar, me aktorë që merren vesh mes tyre. Autoritetet nuk kanë mundur të bëjnë asgjë ndaj asaj, që sot thirret si 'diktaturë e bankave', ku fajtorë janë jo vetëm qeveritë në periudha të ndryshme kohore, por dhe institucionet ndërkombëtare, që kanë asistuar. Të mos harrojmë që shteti shqiptar ka bërë një gabim shumë të madh me procesin e privatizimit total të bankave. Shteti duhet të operonte në treg me një bankë me kapital publik, që të ishte një bankë zhvillimi, në mënyrë që të futej dhe në sektorë, që bankat aktuale nuk futen dot, sepse nuk duan të riskojnë.

Gjergj Buxhuku nga KONFINDUSTRIA mbron idenë se kjo do të nxiste një konkurrencë brenda sistemit bankar. Sipas tij e domodoshme është aktivizimi i tregut të kapitaleve, që i jep mundësi çdo investitori shqiptar, subjekt a individ, që të zgjedhë, që paratë do t'i mbajë në formën depozitave në bankë, apo do t'i përfshijë në tregun e kapitaleve.

Potencialet ekonomike të favorshme

Gjergj Buxhuku, administrator i Konfederatës së Industrive në Shqipëri

Gjergj Buxhuku, administrator i Konfederatës së Industrive në Shqipëri, KONFINDUSTRIA

Duke bërë një analizë të situatës ekonomike në Shqipëri Buxhuku mendon se nga ana potenciale vendi është ndër më të favorizuarit në rajon. Shqipëria ka prezentë investitorë nga më të fuqishmit në botë, të angazhuar me projekte konkrete, thotë ai për DW.

"Është Statcraft-i, lider në fushën energjitike me rreth 1 miliard dollarë investime në Kaskadën e Devollit; është Shell Petromanas, një kompani që është në prag të një zbulimi shumë të madh në afërsi të Shpiragut në Berat; me ardhjen e TAP-it Shqipëria për herë të parë bëhet pjesë e rrjetit ndërkontinental të gazit, që është një perspektivë shumë pozitive në ndërtimin e shumë sektorëve të industrisë, që deri më sot nuk kanë qenë të mundur nga kostoja e energjisë; tregu i koncesionarëve në fushën e energjisë përbehet nga 350 licenca të dhëna, prej tyre deri në 70 i kanë në duar investitorë shumë seriozë; gjithashtu vendi është pjesë e korridoreve strategjike europiane, sepse me mbarimin e Rrugës së Kombit dhe ndërtimin e pjesës në anën e Kosovës kanë mbetur vetëm 30 km, që të hyjmë në korridorin e 10, por me pozicion të favorshëm dhe me akse të tjera të rëndësishme në kontinent; me investimet që kanë marrë portet e vendit, është faza e shndërrimit të tyre në porte rajonale, duke e nxjerrë edhe më shumë në pah rëndësinë gjeostrategjike të Shqipërisë etj."

Fakti që vendi është në një pozitë të favorshme ekonomike, sipas Gjergj Buxhukut këtë e tregon dhe rënia drastike, thuajse në kufijtë më të ulët historikë të interesave të bonove të thesarit, të letrave me vlerë të qeverisë. Në një kohë kur në vendet e tjera ka pasur humbje të besimit tek invetitorët për aftësinë paguese të shteteve të tyre.

"Kjo situatë i jep mundësi shtetit shqiptar, pavarësisht se gjendja financiare është e vështirë, që në një periudhë rreth 1 vit ta tejkalojë në mënyrë më të mirë të mundshme situatën duke rritur borxhin publik. Pavarësisht se FMN thotë të kundërtën. Sepse përderisa gjehen subjekte, që e blejnë këtë borxh, që aftësia paguese është, atëherë pse të mbahet tabu niveli i borxhit publik. Aq më tepër kur kjo injekton gjallërimin ekonomik, i jep më shumë frymëmarrje asaj".

Sipas arsyetimit të Administratorit të Konfederatës së Industrive në Shqipëri, ekzistojnë të gjitha mundësitë që me qetësi vendi të hyjë në një kohë të shkurtër në rrugën e industrializmit të plotë, që do të ketë si efekt rritjen e mirëqënies.

"Studimet flasin që me këtë trend Shqipëria në një afat 12 vjetor pritet të kapë mesataren e zhvillimit të industrisë të vendeve të BE-së."