1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Sirianët armenë, të ikur nga lufta, kanë pak shpresë për t'u kthyer

Në Siri jeton një nga komunitetet më të mëdha të diasporës armene në Lindjen e Mesme. Lufta civile i detyron gjithnjë e më shumë sirianët armene të largohen nga atdheu. Nëse do të kthehen ndonjëherë, është e pasigurtë.

Ani Shamamian (emri i ndryshuar) mban të birin në prehër. Djali një vjeç e gjysëm shikon në televizor një program fëmijësh në armenisht. Një vit më parë Anit i është dashur të largohej së bashku me burrin e saj dhe dy fëmijët nga Aleppo. Atje armenja 29-vjeçare është lindur dhe rritur. Lufta në qytetin sirianoverior i ka detyruar që t'i kthejnë shpinën atdheut të tyre.

Në Aleppo jetojnë rreth 45.000 armenë. Ani jeton tani në Bourj Hammoud, në një lagje në veri të kryeqytetit libanez, Bejrut. Banesa njëdhomëshe është tepër e vogël për familjen, por ata nuk mund të paguajnë për diwka tjetër. Këtu jeta është shumë e vështirë, çdo gjë është e shtrenjtë, thotë gruaja e re. "Ne mezi ia dalim."

Ndihmë me këshilla dhe rroba

Ani Shamamian gjen mbështetje në shoqatën Howard Karagheusian, një qendër sociale e mjekësore në Bourj Hammoud. Qendra punon me Agjencinë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara (UNHCR) dhe është kryesisht për refugjatët armene një pikë e rëndësishme. Atje ajo këshillohet, çon te mjeku fëmijët dhe atje merr edhe rroba. Se sa armenë janë larguar nga Siria në muajt e fundit, nuk dihet, sepse vetëm ata, që kanë nevojë për ndihmë, regjistrohen. Në shoqatën Karagheusian janë regjistruar 1300 familje armene nga Siria, thotë Serop Ohanian, drejtor i qendrës.

Serop Ohanian është drejtor i Karagheusian Association në Bejrut

Serop Ohanian është drejtor i Karagheusian Association në Bejrut


Shumica e refugjatëve armenë nga Siria mendonin, se do të mund të ktheheshin në shtëpi pas disa ditësh, thotë 35-vjeçari. Kështu shumë kanë ardhur me pak veshje dhe të holla. Ata banonin te të afërmit në Bourj Hammoud: "Por situata është bërë gjithnjë e më e keqe dhe për kthim, as që mund të mendohet. Ata duhet të gjejnë një banesë dhe punë ..."

Një qytet i vogël armen

Në Bourj Hammoud, ku jeton Ani, emrat e rrugëve janë Armenia dhe Jerevan, apo mbajnë emrat e shenjtorëve të krishterë. Në disa ballkone varet flamuri libanez dhe ai armen. Në disa dyqane emrat janë të shkruar edhe në alfabetin armen. Lagjja të lë një përshtypje modeste. Në katin e parë të shtëpive të thjeshta dy dhe trekatëshe ka punishte të vogla artizanësh, rrobaqepësi, dyqane riparimin e makinave dhe dyqane me artikuj lëkure. Shumica e banorëve të Bourj Hammoud janë armenë. Po ashtu si në Siri ata janë pasardhës të pakicës armene, që u vranë nga nacionalistët turq në vitin 1915 në Perandorinë Osmane, apo u dëbuan në vendet fqinje.

Qendra e Karagheusian Association në Bejrut

Qendra e Karagheusian Association në Bejrut


Në Siri dhe Liban armenët e krishterë janë një pjesë integrale e shoqërisë. Në Aleppo , Damask, apo Bejrut ata kanë shkollat ​​e tyre, shoqatat kulturore dhe kishat. Në Liban jetojnë rreth 240.000 armenë, në Siri rreth 100.000.

Emigrimi në Perëndim

Sa më shumë zgjat konflikti në Siri, aq më shumë shtohet frika në mesin e armenëve, se komuniteti i tyre do të mund të rrezikohej seriozisht në territoret, ku luftohet, sidomos në Aleppo. Ende shumica qëndron në lagjet e tyre, që janë nën kontrollin e ushtrisë së rregullt siriane, thotë armenja Maral Kesheshian Shohmelian, e cila ka më shumë se një vit, që është larguar nga qyteti. Ajo është në kontakt të rregullt me të afërmit në Aleppo. Mjekja 36 vjeçare punon për shoqatën Karagheusian dhe për Caritas-in. Ajo është e luhatur në mes të dëshirës për t'u kthyer dhe të dëshirës për të shkuar jashtë në Perëndim dhe për të bërë atje një specializim.

Maral Kesheshian Shohmelian do të emigrojë në SHBA ose në Kanada

Maral Kesheshian Shohmelian do të emigrojë në SHBA ose në Kanada


Unë mendoj si shumica e të rinjve, thotë Maral: "Të marr vizë për të shkuar jashtë dhe për të punuar." Qëllimi i saj është të bëjë specializimin, të krijojë një familje, të punojë dhe ndoshta një ditë të kthehet në Aleppo. Ajo dhe burri i saj janë duke përgatitur dokumentet e nevojshme për të bërë kërkesën për emigrim në Amerikë, apo Kanada.

E ardhme e pasigurt

Për të emigruar në Armeni nuk diskutohet për Maralin. Mjekja ka studiuar atje dhe e di se sa të vështira janë kushtet e jetesës në ish-republikën sovjetike. Mbi të gjitha pagat janë shumë të ulëta dhe mjaftojnë sa për të jetuar. Maral dhe shumë të tjerë ndodhen para një vendimi të vështirë. Avedis Guidanian, drejtor i radios lokale "Voice of Van" në Bourj Hammoud, ka frikë se emigracioni në perëndim mund të rrezikojë ekzistencën e komuniteteve armene në Lindjen e Mesme.

Avedia Guidanian drejton radion Voice of Van në Bejrut

Avedia Guidanian drejton radion Voice of Van në Bejrut

"Kur ne u dëbuan nga Turqia e sotme kohë më parë, erdhëm në Siri dhe Liban", thotë Guidanian. "Për ne ekzistenca në këto vende pranë Turqisë dhe në afërsi të atdheut tonë Armenisë shumë e rëndësishme." Kështu që ai nuk e mbështet idenë që armenët të largohen nga ky rajon. Sepse në qoftë se refugjatët armenë emigrojnë në Evropë, nuk kanë për t'u kthyer më kurrë në Siri, thotë drejtori i radios. Ai bën gjithwka, që ato të qëndrojnë në Liban. "Ne përpiqemi t'u ofrojmë atyre sa më shumë ndihmë, që është e mundur. Që të kthehen nga Libani në Siri është më e mundshme."