1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Siria - pritje të matura nga plani i Annanit

Siria ka filluar të martën (03.04.) me tërheqjen e trupave nga disa qytete. Autoritetet qeveritare pohojnë se kanë filluar të zbatojnë planin e Kofi Annanit, ndërsa opozita ka hedhur poshtë këto të dhëna.

Kofi Annan, ndërmjetësuesi ndërkombëtar për konfliktin

Kofi Annan, ndërmjetësuesi ndërkombëtar për konfliktin

Njerëzit në Siri kanë përjetuar dëshpërime të shumta kohët e fundit. Pushtetmbajtësi në Damask, Bashar al-Asad ka luajtur shpesh me sukses me kohën dhe nuk ka realizuar gati asnjë prej premtimeve të dhëna. Por tani duket se ka elementë që mund ta detyrojnë t'i realizojë premtimet. Për herë të parë regjimi i Asadit është shprehur i gatshëm që të heqë dorë nga dhuna në një afat të caktuar. Deri më 10 Prill duhet të tërhiqen të gjitha armët e rënda nga qytetet dhe duhet të ndërpriten të shtënat me armë. Më pas edhe opozita e armatosur duhet të ndërpresë luftimet. Pas 48 orësh, pra më 12 Prill, në Siri nuk duhet të dëgjohet më asnjë e shtënë.

Demonstrata në Siri

Demonstrata në Siri

Kërkesat nga plani

Kështu të paktën kërkohet me planin e të dërguarit special të Kombeve të Bashkuara dhe Ligës Arabe, Kofi Annan. Këto të dhëna ka konfirmuar edhe ambasadori i Sirisë në OKB Bashar Jaafari. "Qeveria ime i respekton detyrat që dalin nga misioni i Kofi Ananit. Ne po bëjmë gjithçka që misioni të përfundojë me sukses. Plani i tij mund të funksionojë vetëm në qoftë se e respektojnë të dy palët. Ne jemi duke e bërë këtë dhe mendojmë se Kofi Anan do të bind edhe palën tjetër që të respektojë këtë plan. Pra edhe ata të cilët nxisin rebelët, që i financojnë dhe i armatosin ata. Vetëm kështu mund të ndërpritet dhuna nga të gjitha palët", tha ai.

Vullnetarisht Siria nuk e ka pranuar këtë plan. Duket se ka bërë presion edhe ndryshimi i kursit nga Rusia. Ajo dhe Kina kanë kërkuar njëkohësisht ndërprerjen e luftimeve edhe nga kryengritësit. Perëndimi deri tani ka kundërshtuar këtë barazim të dhunës nga forcat qeveritare dhe opozita. Tani Moska kërkon që Asadi të bëjë hapin e parë dhe që opozita të pasojë.

Opozita siriane në Damask

Opozita siriane në Damask

Skeptikët e planit

Megjithatë opozita dhe diplomatët arabë janë skeptikë ndaj këtyre premtimeve të Asadit, sepse as sot nuk ka ndonjë armëpushim të vërtetë në Siri. Të dy palët njoftojnë për luftime dhe të shtëna me armë zjarri. Gjendja kaherë nuk mund të kontrollohet, sepse vëzhguesit e huaj nuk kanë mundësi të depërtojnë në zonat e luftimeve. Ndërkohë që forcat qeveritare, por edhe ato opozitare, gjithnjë e më shumë po shërbehen me propagandë si në vend ashtu edhe jashtë. Këshilli Kombëtar i Sirisë, opozita në ekzil, e cila kohët e fundit është mbështetur nga vendet e tjera, por nuk është furnizuar me armë, i është përmbajtur 10 Prillit. Asnjë njeri serioz aktualisht nuk mund të parashikojë nëse plani i Ananit me të vërtetë do të realizohet.

Mendimet janë të ndara, pohon edhe Louay Safi nga Këshilli Kombëtar opozitar. "Nuk ka kthim mbrapa. Siria ka nevojë për ndryshime. Shpresoj se këtë e ka kuptuar edhe udhëheqja në vend. Ky regjim  është ngjitur për pushtetin, ndërkohë që revolucioni ka vazhduar megjithë viktimat e mëdha", pohon ai. Kofi Anan ka vendosur që të çojë deri në fund misionin e tij. Ditët e ardhshme në Damask duhet të vijë një njësi e OKB-së për të krijuar kushtet që atje të vendosen vëzhguesit ndërkombëtar të cilët duhet të kontrollojnë zbatimin e marrëveshjes paqësore dhe armëpushimit. Anani është një diplomat me përvojë dhe ka dëshmuar se mund t'ia dalë edhe në rastet kur duket se nuk ka kurfarë shansi, si në Kenia për shembull. Ai mund të realizojë edhe misione, të cilat duken të pamundshme.

Autor: Ulrich Leidholdt/Bahri Cani

Redaktoi: Lindita Arapi