1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Siria para shkallëzimit total

Plani paqësor për Sirinë duket se do të dështojë në realitet. Presidenti Asad ka kushtëzuar zbatimin e planit ndërsa vendet e Gjirit Persik po financojnë kryengritësit. Shkallëzimi duket i pashmangshëm.

Protestues sirianë e libanezë kundër Assadit

Protestues sirianë e libanezë kundër Assadit

Ai që ka shpresuar se plani gjashtë-pikësh i Kofi Ananit për Sirinë do të sjellë paqën në këtë vend, me siguri që është dëshpëruar. Siria po fundoset gjithnjë e më shumë në një luftë qytetare. Evitimi i kësaj lufte po pamundësohet nga java në javë. Një zgjidhje politike po minohet nga të dy palët në konflikt. Përgjegjësi kryesor është në radhë të parë shkaktari i dhunës dhe i vuajtjeve të popullit sirian i cili për më shumë se një vit po kërkon ndryshime në Siri. Diktatori Bashar al Asad ka urdhëruar që njerëzit e pafajshëm të qëllohen edhe me armë zjarri vetëm për shkak se kanë kërkuar ndryshime dhe më shumë të drejta. Vrasësit e tij nuk hezitojnë të qëllojnë për vdekje me armë zjarri madje as fëmijë dhe të rinj të pafajshëm.

Daniel Scheschkewitz

Daniel Scheschkewitz

Në anën tjetër, gjendet opozita siriane e cila kaherë e ka humbur besimin se regjimi i presidentit Asad është i gatshëm për ndryshime dhe reforma paqësore në këtë vend. Edhe opozita është e armatosur me armë të plaçkitura nga dezertorët dhe nga pjesë të regjimit të cilat ia kanë kthyer shpinën Asadit. Por kohët e fundit opozita dhe kryengritësit janë armatosur shpesh edhe me armë nga vendet tjera. Kundërshtarët e regjimit të Asadit po financohen së fundi shumë hapur prej disa vendeve të Gjirit Persik dhe nga Arabia Saudite.

Shkallëzimi nga të dy palët

Këto vende po e nxisin konfliktin për shkaqe hegjemoniste, sepse ato e kanë halë në sy regjimin sekular të Asadit si dhe lidhjet e tij të ngushta me Libanin dhe Iranin. Qëllimi i këtyre vendeve nuk është nxitja e zhvillimeve demokratike dhe ruajtja e të drejtave të njeriut në Siri. Financimi prej tyre i kryengritjes së armatosur ka për qëllim vetëm interesat gjeostrategjike dhe gjeopolitike.

Palët e gatshme për dhunë mund të cënojnë çdo përpjekje për gjetjen e një zgjidhje me mjete politike të krizës. Këtu nuk ndihmojnë fare as thirrjet për ashpërsimin e sanksioneve sikur ato që u dëgjuan në konferencën për Sirinë në Stamboll. Sanksionet mund të kenë një shans për gjunjëzimin e regjimit të Asadit vetëm në shtigje afatgjata. Por spirala e dhunës në Siri po rrotullohet kohët e fundit kaq shpejt sa që në një konflikt të armatosur mund të përfshihet i tërë rajoni.

Strategjia e dyfishtë e Asadit

Asadi ka pranuar verbalisht planin paqësor të Kofi Ananit, por kjo duket qesharake sepse veprat e tij janë në kundërshtim të plotë me fjalët. Ai me premtimet për angazhimin paqësor përpiqet të blejë kohë, ndërkohë që në anën tjetër vazhdon pamëshirshëm ofensiva e trupave të tija të armatosura. Deri tani nuk ka asnjë sinjal për mundësinë që ai të heqë dorë nga pushteti.

Madje as ndryshimi i ngadalshëm i qëndrimeve në Rusi, e cila ka hequr dorë nga mbështetja e pakufizueshme e regjimit sirian, nuk ka ndryshuar aspak qëndrimet në Damask. Rusia nuk ka qenë deri tani konseguente sa duhet. Deri sa Asadi e di se Rusia do të lejojë ndonjë rezolutë në KS të OKB e cila parashikon ndërhyrjen humanitare të bashkësisë ndërkombëtare, ai do të vazhdojë pa kurfarë frike dhunën e tij ndaj kundërshtarëve politikë dhe kryengritësve. Situata është më serioze se kurrë më parë, sepse  ndërkohë është armatosur edhe opozita. Kjo e bën shumë të mundshme një gjakderdhje për një kohë të gjatë në Siri.

E mundshme ndarja e Sirisë

Është shumë e mundur që Siria po futet në një proces të ndarjes së saj. Asadi dhe forcat e tij në rajonet e kryengritësve të cilat sërish i ka futur nën kontroll, i kanë larguar nga atje sunitën dhe i kanë vendosur alavitët. Edhe vet Asadi i përket këtij minoriteti në Siri. Ky minoritet do që Asadi të mbetet në pushtet, në qoftë se është e domosdoshme edhe me vet ndarjen e Sirisë. Konflikti i deritanishëm mes regjimit dhe opozitës po kërcënon të shndërrohet në një knoflikt fetar, që me siguri është në kundërshtim të plotë me qëndrimet evropiane. Prandaj duket plotësisht e pazënvedësueshme nisma diplomatike e Kofi Ananit për një zgjidhje politike të konfliktit të armatosur. Kjo nismë duhet të ketë mbështetjen e plotë nga të gjitha qarqet ndërkombëtare.

Financimi me miliona dhe furnizimi me armë i opozitës dhe kryengritësve nuk është ndonjë zgjidhje e mirë. Bashkësia ndërkombëtare duhet të harmonizojë shumë shpejt strategjinë e saj ndaj Sirisë. Ndryshe evitimi i ndarjes së këtij vendi në shtigje afatgjata do të jetë i pamundur.

Autor: Daniel Scheschkewitz

Redaktoi: Bahri Cani