1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Siria nuk është nyjë gordiane

Ka një vit që sundimtari i vetëm sirian Bashar al-Assad shtyp kryengritjen popullore në vendin e tij. Çfarë mund të bëjë kundër Evropa? Një koment nga Ruprecht Polenz.

default

Ka muaj që çdo ditë arrijnë tek ne lajme të këqija nga Siria. Ajo çfarë po ndodh në Homs, është luftë qytetare. A do të përhapet lufta qytetare edhe në pjesë të tjera të vendit? A do ti shtohen mbi 7500 të vdekurëve edhe mijëra viktima të tjera? A kërcënon një skenar si dikur në Liban, vetëm më i keq, për shkak se Siria është më e madhe?

Me kalimin e çdo dite që Assadi vazhdon të mbetet në post rritet edhe ky rrezik. Në këtë moment nuk duket sikur përfaqësuesi special i Kombeve të Bashkuara Kofi Annan, të ketë pasur sukses në përpjekjen e tij për të bindur Assadin të paktën për një lloj armëpushimi. Dhe po ashtu edhe Këshilli Kombëtar Sirian në opozitë (NSC) ka ndryshuar mendjen. Me Assadin nuk ka më se ç´të diskutohet. Ai duhet të largohet. Lideri i opozitës Dr. Burhan Ghalioun është i bindur se një zgjidhje politike mund të arrihet vetëm nëse ajo shoqërohet nga presioni ushtarak. Ndërkohë, thirrjet për një ndërhyrje ushtarake janë gjithnjë e më të zëshme. Bernard-Henri Lévy tërheq paralele me Srebrenicën dhe e krahason Homsin me Bengazin.

Por, më mirë është që të shtohet edhe më tej presioni ekonomik dhe politik ndaj regjimit të Assad-it. BE-ja ka ashpërsuar sanksionet në mënyrë drastike. Ndërkohë është ngrirë pasuria e Bankës Qendrore siriane si dhe është ndaluar tregtia me ar dhe metale të tjera të çmuara. Tek masat kufizuese bëjnë pjesë edhe ndalimi i fluturimeve për avionët me mallra siriane dhe masat restriktive kundër shtatë ministrave të qeverisë siriane. Për sa kohë që vazhdon shtypja, BE-ja dëshiron të qëndrojë pas strategjisë së saj, që të vendosë sanksione shtesë kundër regjimit. Edhe Liga Arabe ka vendosur të rrisë presionin ekonomik ndaj Sirisë.

Në foto, Ruprecht Polenz

Në foto, Ruprecht Polenz

Presioni është duke pasur efekt. Gjithnjë e më shumë ushtarë refuzojnë t'i qëndrojnë besnik Assad-it dhe kalojnë në radhët e opozitës ose në vendet fqinje. Ndërkohë, Këshilli Kombëtar opozitar (NSC) dhe Grupi i Kontaktit po përgatiten për një Siri pas Assadit. Si duhet të duket kushtetuta e ardhshme dhe kush do ta përpilojë atë? Çfarë duhet bërë që në mënyrë paqësore të mbahet një Siri multietnike dhe multifetare? Qysh tani thuhet se Këshilli Kombëtar sirian duhet të zgjerohet edhe më shumë në mënyrë që të jetë sa më reprezentativ. Në të mungojnë përfaqësuesit e kurdëve. Dhe duke pasur parasysh rëndësinë e "aspektit fetar" komunitetet kryesore fetare duhet të kenë në këtë këshill vëzhguesit e tyre. Përveç kësaj, gratë duhet të jenë më shumë të përfshira kur bisedohet për kursin e Sirisë në të ardhmen.

Dhe me gjithë nevojën për ndihmat e huaja që çoi me të drejtë në krijimin e Grupit të Kontaktit, duhet të parandalohet ndikimi i huaj në Siri.

Por kjo më lehtë thuhet se mund të bëhet. Përfundimisht ,Siria ndodhet në udhëkryq të gati gjithë linjave të konfliktit në Lindjen e Mesme dhe rajonin e Gjirit Persik. Dhe jo vetëm për shkak të ndërthurjes së këtyre interesave të fqinjëve nuk mund të parashikohen efektet anësore të një ndërhyrjeje ushtarake dhe reagimet e mundshme zinxhir. Po ashtu edhe ky aspekt duhet të tërheqë vëmendjen për kujdes. Konflikti sirian nuk është një nyjë gordiane. Dhe shpata nuk është një instrument i mjaftueshëm për ta zgjidhur atë.

Ruprecht Polenz është deputet i Unionit Kristiandemokrat (CDU) në Bundestagun gjerman dhe kryetar i Komisionit për politikë të jashtme.

Autor: Ruprecht Polenz

Redaktoi:Esat Ahmeti