1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Siria në shënjestër të OKB-së

Rusia përpiqet të mbrojë regjimin e Asadit edhe në Këshilin e OKB-së për të drejtat e njeriut. Por miratimi i një rezolute në këtë forum do të ishte tani më i rëndësishëm se kurrë, mendon Daniel Scheschkewitz

default

Këshilli i sigurimit i OKB-së në të kaluarën është konsideruar si tigër pa dhëmbë. Ose madje si forum, në të cilin përfaqësuesit e shteteve, ku të drejtat e njeriut shkeleshin çdo ditë me këmbë, mbanin fjalime të gënjeshtërta. Në debatin aktual për Sirinë forumi ka tani shansin unik, për ta shkundur më në fund nga vetja reputacionin e dyshimtë. Këshilli i të Drejtave të Njeriut mund të dalë nga hija e ditëve të shkuara, duke miratuar një rezolutë të rreptë, ku të përmenden shkeljet brutale të të drejtave të njeriut nga regjimi i Asadit dhe të kërkohet armëpushim nga palët ndërluftuese.

Apel për armëpushim

Një armëpushim i tillë do t'i mundësonte Kryqit të Kuq, që të furnizojë me ndihmat e nevojshme humanitare njerëzit në qytetet, ku zhvillohen luftime. 47 vendet anëtare nuk duhet të ndikohen nga Rusia, e cila që në fillim të samitit u vu në mbrojtje të qeverisë siriane. Moska kishte dashur të pajtohej me debatin vetëm me kusht, që në fund të mos miratohej asnjë deklaratë. Një qëndrim bllokues, që vinte në valixhen diplomatike ruse nga Nju Jorku në Gjenevë, megjithëse ne këshillin e të Drejtave të Njeriut ndryshe prej Këshillit të Sigurimit, nuk është e mundur venia e vetos.

Korridore humanitare

Edhe pse deklarata e Këshillit nuk ka efekt detyrues sipas ligjit ndërkombëtar, një rezolutë e tillë pikërisht në këtë forum do të kishte një forcë të madhe simbolike. Gati një vit pas shpërthimit të protestave në Siri numri i të vdekurve sipas vlerësimeve të së ngarkuarës së BE për politikën e jashtme Ashton ka kaluar mbi 8000. Vetë gjatë fundjavës së fundit duhet të jenë vrarë gjatë luftimeve më shumë se 150 vetë. Shumë prej tyre civilë, të cilët duhet të jenë bërë viktima të një masakre në afërsi të qendrës së rebelëve Homs. Gjakderdhja ka arritur ditët e fundit një kulm të ri dramatik. 

Në foto, Daniel Scheschkewitz

Në foto, Daniel Scheschkewitz

Një deklaratë e Këshillit të të Drejtave të Njeriut këtë javë mund të bëjë që qeveria siriane të lejojë korridoret humanitare, përmes të cilave kryqi i Kuq Ndërkombëtar mund të furnizojë të plagosurit dhe popullsinë civile në nevojë në territoret e luftimeve. Së paku në këtë pikë Moska ka premtuar bashkëpunim dhe se do të ushtrojë ndikimin e saj tek regjimi.

Mërgimi për Asadin i mundshëm

Por ndërsa në Gjenevë kërkohen me ditë të tëra formulime diplomatike, në prapaskenë po vihet re një zgjidhje krejt tjetër. Duke patur parasysh situatën e dalë nga kontrolli dhe rrezikun e një rrëshqitjeje gjithnjë e më të thellë të Sirisë në një luftë të zgjatur civile, duket sikur edhe diplomatët perëndimorë po miqësohen me idenë e një zgjidhjeje për dërgimin e Bashar al-Asad-it në mërgim. Asad duhet të japë dorëheqjen dhe si kompensim mund të besojë, që ai dhe familja e tij në mërgim mund të jenë të sigurtë nga ndjekja penale e gjykatave ndërkombëtare. Ndoshta kjo mund të jetë detyra e të ngarkuarit të ri të posaçëm të OKB-së Kofi Annan, për t'ia bërë joshëse diktatorit një ofertë të tillë. Ky model është praktikuar tashmë me një farë suksesi në Jemen me sundimtarin e mëparshëm të vendit. Qeveria e Tunizisë është shprehur e gatshme ta pranojë Assadin.

Duke patur parasysh krimet, që ka bërë regjimi sirian, një largim i tillë i diktatorit nga dera e pasme do të ishte një zgjidhje jo optimale. Por do të ishte me siguri më mirë se një luftë e zgjatur civile, ku do të humbisnin jetën më shumë njerëz se deri tani. Përveç kësaj do të kishte avantazhin, që zgjedhjet multipartiake në Siri, të vendosura në një referendum shumë të dyshimtë, do të kishin një shans për t'u realizuar.

Autor: Daniel Scheschkewitz

Redaktoi: Angjelina Verbica