1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Siria lejoi inspektorët e OKB-së të bëjnë verifikime në vend

Siria lejoi inspektorët e OKB-së të bëjnë verifikime në vend. Por presidenti i SHBA është takuar të shtunën me këshilltarë të sigurisë për të diskutuar opsionet pas sulmit vdekjeprurës me armë kimike në Siri.

Qeveria siriane ka rënë dakord që të lejojë një ekip ekspertësh të OKB-së që të verifikojë qendrat në periferi të Damaskut, ku sulmet e dyshuara se janë kryer me armë kimike kanë vrarë më shumë se 350 vetë. Verifikimet janë caktuar të fillojnë të hënën.

Ministria e Jashtme e Sirisë bëri të ditur të dielën që regjimi i Presidentit Assad ka lejuar një ekip inspektorësh të armëve kimike të OKB-së që ndodhen tashmë në Siri, që të ndërmarrin një verifikim të menjëhershëm të raportimeve të javës së kaluar se janë përdorur kundër civilëve armë kimike.

"Një marrëveshje u arrit sot (të dielën) në Damask, midis qeverisë siriane dhe OKB-së gjatë vizitës së përfaqësueses së lartë të OKB-së për Çarmatimin, Angela Kane, që një ekip i OKB-së i drejtuar nga profesori Aake Sellstroem të investigojë armët kimike të përdorura në provincën e Damaskut", thuhet në një deklaratë të ministrisë.

OKB-ja bëri një deklaratë, në të cilën thotë se misioni do të nisë të hënën, në datën 26 gusht.

Incidenti i dyshuar ndodhi tri ditë pasi një ekip i OKB-së për kontrollin e armëve kimike arriti në Siri, për të hetuar akuza të mëparshme të përmasave më të vogla për përdorimin e gazit helmues.

Shqetësim ndërkombëtar

SHBA, Britania, Franca dhe Rusia i kanë bërë thirrje qeverisë siriane që të bashkëpunojë me OKB-në për të lehtësuar hetimet.

Franca tha se nëse hetimet konfirmojnë përdorimin e armëve kimike, atëherë kundër Sirisë duhet të përdoret forcë ushtarake.

Presidenti Obama diskuton opsionet

Presidenti Obama diskuton opsionet

Presidenti Barack Obama u takua me ekipin e tij të sigurisë kombëtare për të diskutuar sulmin vdekjeprurës me armë kimike ndaj Sirisë.

Obama dëgjoi një paraqitje të detajuar të opsioneve se si SHBA dhe partnerët ndërkombëtarë mund t'u përgjigjen nëse shërbimet e fshehta konkludojnë se presidenti sirian Bashar al Assad ka përdorur armë kimike, bëri të ditur Shtëpia e Bardhë të shtunën. Një luftanije e katërt e SHBA me raketa balistike ka mbërritur ndërkohë në Mesdheun Lindor. Gazeta amerikane New York Times njoftoi të shtunën se administrata amerikane po kërkon një argumentim ligjor të ngjashëm me luftën e Kosovës, nëse kundër Sirisë do të përdoret forca pa mandat të OKB-së.

Rusia, një aleate për shumë kohë e Sirisë tha se nxitimi për të akuzuar për sulmet mund të jetë "një gabim strategjik".

"Ne u bëjmë thirrje me forcë atyre...që përpiqen t'ua imponojnë opinionin e tyre ekspertëve të OKB-së...pa u publikuar rezultatet e hetimeve...që të tregohen të përmbajtur dhe të mos bëjnë gabime strategjike," thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme të Rusisë.