1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Siria kërcënohet nga uria

Programi Botëror i Ushqimit jep alarmin: Fondet për refugjatët sirianë mjaftojnë deri në fund të dhjetorit. Kjo është një katastrofë humanitare dhe një sfidë për sigurinë.

Në tre vitet e gjysëm, që kur ka filluar lufta, popullsia e vendit ka humbur vëmendjen e botës dhe pastaj interesin e saj. Të martën Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së (World Food Programme, WFP) njoftoi se duhet të ndërpresë ndihmën për refugjatët sirianë. Organizatës i mungojnë 64 milionë dollarë amerikanë. Kaq i nevojiten për të ushqyer njerëzit të paktën në dhjetor. Por ajo nuk i ka këto para. Shumë shtete donatore kanë bërë premtime, por deri tani nuk i kanë përmbushur ende.

Deri tani WFP ka qenë në gjendje të mbështesë gjithsej tre milionë e gjysëm refugjatë në shtetet fqinje me Sirinë. Tani e tutje, deklaroi zëdhënësja e WFP, Abeer Etefa, programi mund të ofrojë ndihmë vetëm për 200.000 refugjatët "më të rrezikuar". Shumë sirianë i kërcënon uria. "Ushqimet tona mjaftojnë vetëm deri janar", tha Etefa.

Strategji cinike e mediave

Refugjatë nga Kobane në kufirin turko-sirian

Refugjatë nga Kobane në kufirin turko-sirian

Edhe jashtë vendit popullsia civile siriane bëhet peng i një lufte, për të cilën nuk është përgjegjëse. Por brenda kufijve siriane ajo është e kërcënuar për vdekje nga dy forca: në njërën anë nga ushtria e regjimit të Bashar al-Asadit, i cili në muajt e fundit ka hedhur në qytete bomba në fuçi nga helikopterët, nga ana tjetër nga grupet terroriste të "Shtetit Islamik" (IS ). Këto veprojnë pa mëshirë kundër atyre, që nuk i binden.

Nga perspektiva e meidave me veprimet spektakolare si prerja e kokës së pengjeve "Shteti Islamik" ka tërhequr vemendjen e botës. Krimet e regjimit të Asadit janë zbehur kështu në sytë e publikut. Regjimit të Asadit kjo i jep mundësinë për t'u paraqitur si aleat i Bashkësisë Ndërkombëtare në luftën kundër IS. Akoma bashkësia heziton të pranojë dorën e zgjatur. Videot me prerjen e kokave të pengjeve perëndimore e vënë atë nën presion: Te IS dhe tek përkrahësit e tij të mundshëm në Evropë shumë qytetarë perëndimorë shohin një rrezik më të madh se regjimi i Asadit.

Uria si armë

Tani pas kthesës mediale mund të vijë edhe një ndryshim politik. Nëse WFP nuk mund ta ushqejë më popullsinë civile siriane, atëherë edhe kundërshtarët sekularistë të Asadit bien nën trysni. Nëse popullsia civile siriane kërcënohet tani nga uria, për luftëtarët shtohet presioni, për t'i lënë armët të heshtin dhe për t'i dhënë konfliktit. Kushtet përkatëse do t'i diktonte në këtë rast vetëm regjimi i Asadit. Gjithsesi në këto tre vite e gjysëm ai nuk ka lënë të kuptojë se përfshin në llogaritjet e tij edhe interesat e popullatës siriane. Uria duket si një tjetër armë e regjimit.

Kërkohet ndihma e shteteve financiarisht të forta

Pamjet kërcënuese ndikojnë te donacionet

Pamjet kërcënuese ndikojnë te donacionet

Pas tre vjet e gjysëm luftë pjesë të bashkësisë ndërkombëtare duket se nuk e kanë forcën dhe vullnetin për të mbështetur sirianët. Për këtë ka arsye të ndryshme, thotë Louise Amtsberg nga Partia e Gjelbër, anëtare e komitetit për të Drejtat e Njeriut dhe Ndihmën Humanitare në Bundestagun gjerman. Disa shtete thjesht nuk kanë fonde, disa të tjera për shkak të rezervave të brendshme politike nuk i paguajë kontributet e tyre.

Prandaj kërkohet më shumë se kurrë kontributi i shteteve të forta financiarisht, që të angazhohen edhe për interesin e tyre. Sepse fundi i ndihmës së WFP është një problem jo vetëm humanitar, por edhe i politikës së sigurisë. Pakësimi i donacioneve shton edhe më shumë trysninë ndaj fqinjëve të Sirisë, shumica e të cilëve strehojnë miliona refugjatë. "Sidomos në Liban viher re se sa i sforcuar është shteti me situatën e refugjatëve. Ne europianët nuk kemi asnjë interes që edhe ky shtet të bjerë dhe të bëhet vatër konflikti", thotë Luise Amtsberg.

Fuqia e pamjeve

Luise Amtsberg: zëdhënësja e të Gjelbërve për refugjatët

Luise Amtsberg: zëdhënësja e të Gjelbërve për refugjatët

Kompleksiteti i luftës në Siri i krijon shqetësim edhe shumë organizatave humanitare gjermane. Ndyshimi i shpeshtë fronteve ul tek gjermanët gatishmërinë për të dhënë donacione. Kështu muajt e fundit aksioni "Deutschland hilft e.V." (Gjermania ndihmon e.V.), i siguroi shoqatës gjermane të organizatave humanitare një donacion për Sirinë në vlerë prej 1,26 milionë eurosh. Ndërsa për Irakun e Veriut u mblodhën në të njëjtën kohë 10 milionë euro. Indirekt dhe krejtësisht në kundërshtim me qëllimin e tij edhe "Sheti Islamik" ka këtu pjesën e vet. "Pamjet dramatike nga Iraku i Veriut i kanë inkurajuar gjermanët të japin donacione më të mëdha", thotë Birte Steigert, referente për shtypin e "Deutschland hilft e.V.".

Ajo që nevojitet sipas Luise Amtsberg, është rritja e financimeve publike. Kjo është edhe në sensin e pranimit të refugjatëve. Sepse nëse i lë njerëzit vetëm, dhe ata vdesin atje nga uria, nuk ndihmon më dot as politika gjermane e azilit.