1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Siria "gur-prove" për Turqinë dhe Kinën

Turqia dhe Kina po kërkojnë të zgjerojnë lidhjet e tyre ekonomike dhe politike përmes vizitës së zëvendës Presidentit kinez Xi Jinping në kryeqytetin turk Ankara nga e hëna deri të mërkurën (20. -21.02.2012.)

default

Zv/presidenti i Kinës Xi Jinping

"Jo vetëm Turqia, por e gjithë bota po përpiqet të kuptojë idetë dhe vizionet e Xi Jinping-ut, duke shtruar pyetjen nëse ai do të adoptojë politika më të moderuara apo më të ashpra", thotë për DW-në Baris Adibelli, Profesor i asociuar pranë Univeristetit Dumlupinar. "Kjo vizitë ofron një mundësi për Turqinë. Përshtypja jonë është se Kina po kërkon nisjen e një periudhe të re bashkëpunimi me Turqinë, vend që ndodhet në qendër të Lindjes së Mesme."

Turqia po shfaqet si një fuqi rajonale në një kohë kur ekonomia e saj është në bum dhe influenca politike në Lindjen e Mesme është në rritje, Kina me një uri për energji ka interesa në rritje në rajon duke sjellë këshu afrimin mes Pekinit dhe Ankarasë.
Të dy vendet kanë vendosur marrëdhënie strategjike në vitin 2010. Qe nga ajo kohë ata kanë mbajtur një dialog të ngushtë për çështje bilaterale dhe ndërkombëtare. Sidoqoftë Turqia dhe Kina duhet të mënjanojnë diferencat në zgjidhjen e problemeve në Siri.

Në fillim të këtij muaji Ministri i Jashtëm turk Ahmet Davutoglu kritikoi Kinën dhe Rusinë për veton ndaj resolutës së OKB-së, rezolutë e cila synononte ndaljen e dhunës në Siri. "Rusia dhe Kina votuan kundër jo duke u bazuar në realitetet egzistuese, por më shumë nisur nga qëndrime reflektive kundërshtuese ndaj Perëndimit", tha Davutoglu në një panel diskutimesh në Konferencën e Sigurisë në
Mynih. Ai ka bërë thirrje për shprehjen e një solidariteti ndërkombëtar me sirianët dhe për të ushtruar presion ndaj rregjimit sirian në mënyrë që të ndalohet masakra ndaj popullit të tij.

Der tuerkische Aussenminister Ahmet Davutoglu

Ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu

Siria "gur-prove" për Turqinë dhe Kinën

Sipas Adibelli-t, një ekspert për marrëdhëniet turko-kineze, ato që Xi do të thotë gjatë vizitës së tij në Turqi do të jenë një gur-prove për marrëdhëniet e ardhshme mes Ankarasë dhe Pekinit. "Kundërshtimi i Kinës për ndërhyrje në Siri është i bazuar kryesisht në principet tradicionale të politikës së jashtme, si edhe në parimet universale si ato të mosndërhyrjes në punët e brendshme të një vendi tjetër", tha Abidelli. "Nga ana tjetër, Kina ka shqetësime brenda vendit. Ajo i trëmbet një Pranvere Arabe, i trëmbet problemeve të mundshme të brendshme me opozitarët e saj."

Mbështetja turke për uigurët

Një nga shqetësimet më të mëdha të Kinës janë trazirat në provincën Xinjiang të dominuar nga uigurët. Politika kineze ndaj uigurëve, një minoriët mysliman në Kinë, që ka pasur lidhje historike me Turqinë, kanë ndikuar në lidhjet turko-kineze. Kina e ka parë prej kohësh me dyshim politikën e Turqisë ndaj uigurëve. Në vitin 2009, zyrtarët turq kritikuan ashpër shtypjen që i bëri Kina protestave në provincën Xinjiang. Kryeminstri turk Recep Tayyip Erdogan fare hapur disa herë e krahasoi shtypjen si një gjenocid. Incidenti i dha një goditje marrëdhënieve turko-kineze, por interesat ekonomike dhe politike fituan përparësi. Marrëdhëniet janë përmirësuar qëkurse Davutoglu vizitoi Kinën në vitin 2010. Vizita historike e kryeministrit kinez Wen Jiabao në Turqi në vitin 2010, dhe nënshkrimi i tetë marrëveshjeve i kanë focuar lidhjet mes dy vendeve.

Uiguren / Xinjiang

Protetsta të uigurëve në vitin 2009 në Xinjiang



"Turqia mundet të adresojë shqetësimet e Kinës"

Adibelli tha se vizita e Xi-së në Ankara shënon një mundësi të mirë për vendosjen e një besimi reciprok. "Në qoftë se Turqia e siguron Kinën për Sirinë si edhe i jep siguri të forta lidhur me shqetësimet e Pekinit për sigurinë e brendshme, atëhere ne mund të presim një ndryshim në politikë", tha ai. "Zhvillimi i një mekanizmi të ri për dialog ose bashkëpunim midis të dy vendeve do të ndihmojë në gjetjen e zgjidhjeve për krizat rajonale si ajo në Siri, si edhe do të ndihmojë të kapërcehen problemet politike që ekzistojnë prej dekadash midis Turqisë dhe Kinës." Diplomatët turq janë optimistë rreth vizitës së Xi-së dhe presin se ajo do t´i japë një shtysë të fortë marrëdhënieve ekonomike. Sipas programit Xi do të marrë pjesë të Mërkurën në një forum biznesi me rreth 30 kompani turke dhe kineze.

Partnerë të rëndësishëm tregtie

Tregtia mes Turqisë dhe Kinës arrtiti në rreth 24 miliardë dollarë amerikanë (18 miliardë euro) në vitin 2011. Kina është partneri i tretë më i rëndësishëm ekonomik i Turqisë pas Rusisë dhe Gjermanisë. Vitin e kaluar, importet nga Kina u rritën me 26,3 përqind krahasuar me 2010 duke arritur shumën e 21,69 miliardëve dollarë amerikanë. Megjithatë, importet turke në Kinë mbeten të dobëta, duke u rritur me vetëm 8,7 përqind në të njëjtën periudhë kohe, me një shumë prej 2,47 miliardë
dollarë. Deficiti tregtar i Turqisë me Kinën është një çështje e rëndësishme e marrëdhënieve mes dy vendeve. Ankaraja pret nga zyrtarët kinezë të lehtësojnë kushtet për importet, tregtinë dhe investimet e biznesmenëve turq. Ankaraja po
kërkon gjithashtu mbështetjen kineze për të rritur sa më shumë të jetë e mundur numrin e turistëve kinezë në Turqi. Turqia do gjithashtu të zhvillojë industrinë e mbrojtjes kombëtare dhe të diversifikojë blerjet e pajisjeve ushtarake për mbrojtjen. Tregtia në teknologji është një prioritet. Turqia ka shumë projekte të përbashkëta me Kinën, përfshirë edhe në fushën e mbrojtjes ajrore. Zyrtarët turq insistojnë se këto projekte nuk i cënojnë angazhimet e Turqisë si vend anëtar i NATO-s.

2012 "viti i Kinës në Turqi"

Turqia dhe Kina festuan në vitin 2010, dyzetë vjetorin e marrëdhënieve diplomatike. Ky vit është viti i Kuturës Kineze në Turqi dhe 2013 do të jetë Viti i Kulturës Turke
në Kinë. Ankaraja dhe Pekini presin se evenimentet do të zgjerojnë mundësitë dhe perspektivat për shkëmbime kulturore mes dy vendeve.

Autor: Ayhan Simsek / Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi