1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Siri - Zgjedhje presidenciale në mesin e luftës civile

Më 3 qershor sirianët votojnë për presidentin e vendit, kjo megjithë luftën qytetare me 150.000 viktima. Pse organizon Asadi zgjedhje në kulmin e luftës civile?

Pushtetmbajtësi Bashar al Asad i qëndroi 3 qershorit, datës së deklaruar për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale në Siri, megjithë kritikat ndërkombëtare. Ekspertja për Lindjen e Mesme e Këshillit Europian për Marrëdhënie Ndërkombëtare (ECFR), Julien Barne-Dacey shprehet se Asadi kërkon legjitimitet për pushtetin e tij. "Kjo i lejon atij t'i thotë botës dhe sirianëve që e ka një mandat të ri, dhe se është e pakuptimtë të shtrohet çështja e dorëzimit të pushtetit tek dikush tjetër." Për Barne-Decay nuk ka dyshim që ky proces zgjedhor është mashtrim.

Reagimi i grupeve opozitare

Koalicioni Kombëtar Sirian (SNC) si organizata bazë e opozitës dhe grupeve të rebelëve i cilësoi këto zgjedhjet një absurditet. "Regjimi i Asadit nuk është votuar asnjëherë, por qëndron prej 44 vitesh si simbol i një diktature familjare", shkruan organizata në një deklaratë të saj. Para Bashar al Asadit vendin e sundonte babai i tij, Hafez. Nuk mund të ketë zgjedhje, kur një e treta e sirianëve janë në arrati, thotë SNC.

Reagime ndërkombëtare

Bota perëndimore dhe shumë vende arabe nuk e përshëndesin mbajtjen e zgjedhjeve në Siri. Grupi "Miqtë e Sirisë" ku bën pjesë edhe Gjermania, SHBA dhe Franca i dënoi zgjedhjet si jolegjitime. Me këtë qeveria e Damaskut shkel marrëveshjet për paqen të arritur në Gjenevë, thuhet në një deklaratë të këtij grupi. "Miqtë e Sirisë" e cilësuan zgjedhjet si "parodi e demokracisë".

Kandidatët konkurrues

Lagje e shkatërruar në Aleppo, maj 2014.

Lagje e shkatërruar në Aleppo, maj 2014.

Në listën zgjedhore qëndrojnë tre emra: Pushtetmbajtësi Bashar Al-Asad, ish-ministri i shtetit, Hasan al-Nuzri dhe deputeti Maher al-Hadxhar. Rizgjedhja e Asadit konsiderohet e sigurt. Sipas ekspertes, Barnes me këtë renditje Asad do të thotë: "Shikoni, ne kemi disa kandidatë, ky është një votim legjitim. Nuk është faji ynë pse opozita refuzon të marrë pjesë."

Sipas aktivistit për të drejtat e njeriut nga organiazat Dawlaty, Mustafa Haid kandidatët e tjerë kanë vetëm rolin e statistit. "Të paktën njëri prej tyre ka thënë që Asadi është lideri ynë dhe se do të bëjë atë që bën Asadi tani." Dawlaty me qendër në Bejrut angazhohet për lirinë dhe të drejtat e njeriut. Edhe përfaqësuesit e opozitës në mërgim nuk mund të kandidonin, sepse sipas kodit zgjedhor, kandidatët duhet së paku të kenë jetuar dhjetë vitet e fundit në Siri.

Ku votohet

Postera elektoralë të Assadit, prill 2014, Damask.

Postera elektoralë të Assadit, prill 2014, Damask.

Për shkak se grupet kundërshtare të Asadit i refuzojnë zgjedhjet, votën mund ta japin vetëm njerëzit në rajonet që ndodhen në kontrollin e regjimit. Miliona refugjatë jashtë dhe brenda Sirisë nuk mund të votojnë. Shumë pyesin veten pse duhet të votojnë, kur rizgjedhja e Asadit është e sigurtë.

Ndërsa sirianët jashtë mund të votonin që në 28 Maj, po qe se regjistroheshin në ambasadat e vendeve ku qëndrojnë. Në Brazil apo Liban kjo u bë e mundur, por Gjermania dhe Franca nuk lejuan votimin në ambasadat në të dy vendet.

Rëndësia e votimeve për zhvillimet e mëtejshme

Sipas aktivistit për të drejtat e njeriut, Haid pas votimeve do të bëhen më të vështira negociatat për gjetjen e një zgjidhjeje politike. Asad e mbyll derën e dialogut, po qe se ai pretendon të rrijë në pushtet edhe për një mandat të ri. Me këtë lufta e armatosur mbetet si mundësia e vetme. Ndërsa ekspertja Barney-Dacey mendon se zgjedhjet edhe po qe mbahen janë të rangut të dytë para luftimeve që zhvillohen dhe përçarjen e thellë të shoqërisë. Ndikim në rrjedhën e zhvillimeve do të kenë vetëm luftimet.