1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Sinjali i kthesës - Eksodi i shqiptarëve më 2 korrik 1990

25 vjet më parë, 2 korrik 1990 mijëra vetë guxuan të hyjnë në ambasadat e huaja në Tiranë, duke shënuar fillimin e ndryshimit politik në Shqipërinë komuniste. Dëshmitarët e kohës e kujtuan këtë ngjarje në Bonn.

25 vjetori i eksodit në ambasada: Diskutim në podium: nga e majta në të djathtë: Adelheid Feilcke, Fred Abrahams, Werner Daum, Gëzim Peshkëpia, Ervis Gega, Vilma Filaj-Ballvora

25 vjetori i eksodit në ambasada: Diskutim në podium: nga e majta në të djathtë: Adelheid Feilcke, Fred Abrahams, Werner Daum, Gëzim Peshkëpia, Ervis Gega, Vilma Filaj-Ballvora

Më 2 korrik 1990 mijëra shqiptarë duke mposhtur frikën e një diktature gjysmëshekullore mësynë ambasadat e huaja, - ndër to edhe Ambasadën e RFGJ në Tiranë, - pa e ditur në ato momente tronditëse se me këtë hap ata shenjuan edhe kthesën e madhe të Shqipërisë. Ai që u quajt si eksodi i madh i shqiptarëve i dha goditjen e fundit regjimit të Byrosë Politike në Shqipëri, duke u hapur mijëra vetëve portën e lirisë. Për të kujtuar një ditë të tillë kthese u mblodhën të enjten (25.06) shqiptarë e gjermanë me ftesë të Deutsche Welles, Qarkut Kulturor Shqiptaro-Gjerman në ambientet e Institutit Gustav Stresemann në Bonn në një diskutim në podium të moderuar nga Adelheid Feilcke, e cila i shoqëroi shqiptarët në rrugën e tyre drejt Gjermanisë.

Ambasadori Artur Kuko:2 korriku 1990 - eveniment kryesor për rrjedhën e ngjarjeve të mëvonshme në Shqipëri”

Ambasadori Artur Kuko:"2 korriku 1990 - eveniment kryesor për rrjedhën e ngjarjeve të mëvonshme në Shqipëri”

“2 korriku 1990 nuk është thjesht një eveniment, por ai eveniment kryesor, që ndikoi në rrjedhën e ngjarjeve të mëvonshme në Shqipëri në atë vit”, vlerësoi në përshëndetjen e tij, ambasadori i Shqipërisë në Berlin, Artur Kuko. Ata që u futën në ambasadën gjermane janë sot qyterarë të nderuar të Gjermanisë, por që nuk i kanë harruar rrënjët e tyre shqiptare, theksoi ai.

Shërbimet e huaja: Shqipëria do të mbetet komuniste

Një tjetër diplomat, ish-ambasadori gjerman në Tiranë, Werner Daum, njeriu që u hapi derën dhe i ndihmoi shqiptarët e futur në ambasadën gjermane në korrik 1990, kujton rolin e ambasadave perëndimore në këtë ngjarje, sidomos atë Gjermane.

Ish-ambasadori gjerman në Tiranë, Werner Daum: U thashë punonjësve të mi që të linin dritat ndezur

Ish-ambasadori Werner Daum: "U thashë punonjësve të mi që të linin dritat ndezur"

Në Bonn ai përmendi momente të panjohura për publikun më parë. Ambasadori gjerman Werner Daum ishte ndër të parët që besonte se regjimi komunist shqiptar po shkonte drejt fundit, përkundër vlerësimeve të shërbimeve sekrete të huaja, përkundër qëndrimit të BE-së e NATO-s, madje edhe qeverisë së atëhershme gjermane, që i jepte një jetë të gjatë regjimit komunist, kjo për shkak se Shqipëria nuk kishte ura lidhëse me vendet e tjera lindore e ishte e paprekur nga zhvillimet reformuese të atjeshme. Shqipëria dukej për shërbimet e huaja se do të mbetej kalaja e socializmit në Adriatik e do të ishte një Kubë në Ballkan.

Megjithatë ambasadori gjerman pranon se fillimisht nuk ishte e lehtë të kuptoje se çfarë regjimi represiv ishte ai komunist. Një shqiptar i madh, më ndihmoi ta kuptoja këtë, kujton Werner Daum, Martin Camaj. Besimi se shqiptarët do ta thyenin murin e izolimit nuk u zhgënjye në korrik 1990. Daum kujton se si i hapi dyert e ambasadës. “U thashë punonjësve të mi që pas pune para se të largoheshin të linin dritat ndezur, e derën e ambasadës pakëz të hapur... Isha i bindur se ky regjim që nuk mban dot mijëra vetë të hyjnë në ambasada, nuk e ka të gjatë.”

Aktivisti e autori Gëzim Peshkëpia:2 korriku 1990 ndryshoi jetën tonë deri në dy breza

Gëzim Peshkëpia:"2 korriku 1990 ndryshoi jetën tonë deri në dy breza"

I pyetur nëse ai ishte i bindur se ky aksion do të merrte një përfundim pozitiv, Daum thotë se ato 14 ditë ishin ditë, ku nuk kishe kohë të mendoje për frikën, një tendencë që të përthithte të tërin. Por ai pranon se situata u bë shumë e vështirë, sidomos kur u prenë ujin në ditë të nxehta dhe u duhej ta merrnin me kova nga ndërtesat përballë

Perspektivë me rreziqe

Ndër më shumë se 3000 vetët që zunë vend në ambasadën gjermane, në kushte të vështira pas ndërprerjes së ujit dhe furnizimeve me ushqime në pritje të lejes së lëvizjes nga regjimi komunist, ishte edhe Gëzim Peshkëpia, sot anëtar i bordit të Institutit të Studimit të Krimeve të Komunizmit në Tiranë, ish-i përndjekur politik. Ai kujton se perspektiva e vetme për të ishte të përfundonte si i ati, poet i ekzekutuar me grupin e 22 vetëve me akuzën e vënies së bombës në ambasadën sovjetike. Me këtë perspektivë përpara ishte vetëm një hap larg guximi për t'u futur në ambasadën gjermane me gruan, djalin gjashtë vjeçar e një tjetër 18 muajsh e të sëmurë me diarre.

Violinistja Prof. Ervis Gega- Dodi: E dua Shqipërinë, i dua shumë shqiptarët, por shtëpia ime sot është Gjermania”

Violinistja Prof. Ervis Gega-Dodi: " E dua Shqipërinë, i dua shumë shqiptarët, por shtëpia ime sot është Gjermania”

“2 korriku 1990 ndryshoi jetën tonë, të familjeve tona deri në dy breza” vlerëson arkivisti e studiuesi që sot jeton mes Gjermanisë dhe Shqipërisë. Fëmijët tanë, kujton ai, sot janë të integruar plotësisht në Gjermani, ndërsa tek nipërit tanë rreh një zemër shqiptare dhe një gjermane.

“Tani ose kurrë!”

Por çfarë e shtyn një vajzë të re, spikere e njohur e lajmeve në televizionin e vetëm shqiptar të guxojë të thyejë izolimin duke marrë rrugën drejt së panjohurës? Drejtuesja e sotme e redaksisë shqipe të Deutsche Welle-s, Vilma Filaj-Ballvora ishte vetëm 25 vjeç kur hyri në ambasadën gjermane në Tiranë në korrik 1990 dhe e kujton mjaft mirë momentin e mundjes së frikës. “Tani ose kurrë”, ky ishte vendimi i saj pas një nate pa gjumë, e vetëdijshme se ky hap do të mund kishte edhe pasoja të rënda. Puna në televizion, aty ku gatuhej lajmi sipas përbërsve të ideologjisë e bëri spikeren e re të shohë vetë se si manipulohej e vërteta.

Vilma Filaj-Ballvora: “Fillimisht nuk u raportua në lajme për futjen në ambasada, por pastaj ata që ishin brenda ambasadave u quajtën kriminelë.”

Vilma Filaj-Ballvora: "“Fillimisht nuk u raportua në lajme për futjen në ambasada, por pastaj ata që ishin brenda ambasadave u quajtën kriminelë.”

“Fillimisht nuk u raportua në lajme për futjen në ambasada, vetëm kur numri i shqiptarëve u rrit në qindra vetë, nuk mbetej rrugë tjetër, e duhej të raportohej, por ata që ishin brenda ambasadave u quajtën kriminelë.”

Për sistemin komunist ata njerëz që kërkonin lirinë damkoseshin si kriminelë, por ky kërcënim nuk e pengoi familjen e 16-vjeçares, Ervis Gega të nisej nga Fieri për të hyrë në ambasada. Atmosfera e ndezur e atyre ditëve ishte e mbushur me emocione të forta, kujton sot violinistja e njohur, Prof. Ervis Gega - Dodi, që nuk e harron guximin e prindërve që i hynë një rreziku shumë të madh bashkë me fëmijët, vetëm në emër të lirisë.

Fred Abrahams: Elita e atëhershme e kuptoi se nuk donte të përfundonte si Çaushesku, prandaj duhej të bënte diçka

Fred Abrahams:" Elita e atëhershme e kuptoi se nuk donte të përfundonte si Çaushesku, prandaj duhej të bënte diçka"

E është pikërisht kjo liri që i hapi violinistes së re shanse të mëdha në Gjermani. Fillimisht studimet, pastaj pjesëmarrja në konkurse, e në fund ngjitja në skenat e mëdha gjermane dhe titulli i lartë "Profesor" në Universitet. Për Ervis Gegën Gjermania shënoi ndryshimin e fatit të saj. “Unë e dua Shqipërinë, i dua shumë shqiptarët, por mund të them se shtëpia ime sot është Gjermania”, kështu e përmbyll violinistja plot gjallëri kujtimin e saj të 2 korrikut 1990.

“Qetësi para stuhisë”

Deri para 2 korrikut dukej se gjendja në Shqipëri kishte e mbetur e paprekur nga ndryshimet në lindje. Por drejtuesja e redaksisë shqipe të Deutsche Welle-s, Vilma Filaj-Ballvora e vlerëson atmosferën e para korrikut 1990 si një lloj qetësie para stuhisë.

Adelheid-Feilcke, moderatore e organizatore e takimit të Bonnit, e shoqëroi grupin e shqiptarëve nga Tirana, Brindisi deri në Gjermani

Adelheid-Feilcke, moderatore e takimit të Bonnit, e shoqëroi grupin e shqiptarëve nga Tirana, Brindisi deri në Gjermani

“Një lloj revolucioni po ndodhte ndërkohë në heshtje në kokat e njerëzve”, kujton ajo, “njerëzit duhej të përballonin dyzimin - jashtë të flisnin me besnikëri për partinë, ndërsa brenda rrethit më të ngushtë guxonin të ishin edhe kritikë.”

Eksperti për Shqipërinë e konsulenti i “Human Rights Watch”, Fred Abrahams beson po ashtu se ndryshimi që nga fillimi i vitit 1990 kishte filluar, por ky ishte një ndryshim i ngadalshëm, revolucion të vërtetë në Shqipëri nuk pati, theksoi ai.

Pjesëmarrës e kontribues në takimin në Bonn

Pjesëmarrës e kontribues në takimin në Bonn

“Kam biseduar me njerëz të elitës së atëhershme e me Ramiz Alinë, ata më thanë se e kishin kuptuar që Shqipëria duhej të demokratizohej, por unë mendoj se pas dhjetorit 1989 dhe ngjarjeve në Rumani, elita e atëhershme e kuptoi se nuk donte të përfundonte si Çaushesku, prandaj duhej të bënte diçka.”

A është vërtet 2 korriku 1990 vërtet fillimi i kthesës së madhe? Për Fred Abraham kjo datë është një moment shumë i rëndësishëm i një procesi që zgjati deri në dhjetor 1990, kur filluan demonstratat e studentëve që shënuan edhe ardhjen e pluralizmit në Shqipëri.