1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Sinjale të dyfishta të Brukselit drejt Beogradit: Fillimi i dialogut për heqjen e regjimit të vizave

Komisioni i BE-së po përgatit shfuqizimin e regjimit të vizave për të gjithë banorët e Serbisë. Por Brukseli këmbëngul në bashkëpunimin e Beogradit me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës si kusht për nënshkrimin e MSA- së.

default

Komisioni i BE-së bëri të ditur të premten (18.01) se ai po përgatitet që të heqë së shpejti regjimin e vizave për të gjithë banorët e Serbisë. Ky lajm bëhet i ditur 48 orë para se në Serbi të mbahen zgjedhjet e reja presidenciale dhe konsiderohet në Bruksel si një ftesë që BE-ja i drejton serbëve për të votuar pro Europës. Zyrtarët e Komisionit të BE-së e bënë të qartë se bëhet fjalë për fillimin e një dialogu me Beogradin, i cili duhet të përfundojë së shpejti me heqjen e regjimit të vizave edhe për banorët serbë, siç është praktikuar deri më tani me Kroacinë. Duket se vendimi i fundit është një sinjal inkurajues që Brukseli i drejton zgjedhësit të thjeshtë serb, ndërsa përsa i takon politikës në Beograd, toni është disi më i ndryshëm. Në fakt në Bruksel ka qëndrime të ndryshme përsa i takon nënshkrimit apo jo të marrëveshjes së asocim stabilitetit me Serbinë. Disa vende si Hollanda dhe Belgjika ngulin këmbë të mos ndërmerret asnjë hap i mëtejshëm pa dorëzimin në Hagë të të pandehurve Karaxhiç dhe Mlladiç. Por disa vende të tjera mendojnë se Beogradi duhet mikluar dhe afruar tani që po afrohet shpallja dhe njohja e pavarësisë së Kosovës. Kjo çështje ishte edhe në krye të agjendës së bisedimeve që u zhvilluan të premten ndërmjet shefit të diplomacisë europiane, Havier Solanës dhe zëvendësuesit të Karla del Pontes në postin e kryeprokurorit të përgjithshëm të Gjykatës ndërkombëtare të Hagës, belgut Serzh Bramertz. Në Bruksel bëhet e ditur se edhe kryeprokurori i ri i Hagës është një vazhdues i denjë i qëndrimit konsekuent të Karla del Pontes, se Beogradi nuk po bashkëpunon si duhet me drejtësinë ndërkombëtare. Por tani për tani BE-ja po pret rezultatin e zgjedhjeve të së dielës në Serbi, para se të hedhë çdo hap tjetër. Njëkohësisht qëndrimi që do të mbahet ndaj Serbisë do të jetë njëra nga çështjet kryesore që do të diskutohet të hënën e fundit të këtij muaji gjatë takimit të ministrave të jashtëm të Bashkimit Europian në Bruksel. Paraprakisht në Bruksel pritet të vijë edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Bashkërendimi i hapave drejt shpalljes së njënashme të pavarësisë së Kosovës do të jetë në qëndër të bisedimeve që ai do të zhvillojë më 24 janar në Bruksel me Havier Solanën.
  • Data 18.01.2008
  • Autor Viron Gjymshana / Bruksel
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/CuPZ
  • Data 18.01.2008
  • Autor Viron Gjymshana / Bruksel
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/CuPZ