1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fronti Nacional - Tërmet për Europën?

Christoph Hasselbach25 Mars 2014

Pas suksesit të Frontit Nacional në zgjedhjet lockle në Francë, është rritur frika e një kthese djathtiste në zgjedhjet e Majit. Christoph Hasselbach megjithatë është i mendimit se nuk ka asnjë arsye për fatalizëm.

https://p.dw.com/p/1BVHQ
Marine Le Pen e Frontit Nacional
Marine Le Pen e Frontit NacionalFotografi: picture-alliance/dpa

Rezultati i suksesshëm i Frontit Nacional në zgjedhjet lokale në Francë nuk është i habitshëm. Po ashtu edhe pjesëmarrja e ulët në zgjedhje. Të djathtët gjithmonë marrin shumë vota në komunat me papunësi të lartë. Dhe numri i këtyre komunave në Francë nuk është i pakët. Franca ndodhet në rrugën e të tatëpjetës – e kështu perceptohet gjendja. Fajtorë për këtë, kështu thotë Fronti Nacional, janë gjithmonë të tjerët: Emigrantët, globalizmi, politika “gjermane” e kursimit në Europë. Presidenti socialist francez, François Hollande vetëm sa e ka shtuar frikën për këtë të tatëpjetë. Fillimisht ai u premtoi francezëve, se politika sociale do të vazhdojë të ekzistojë, e kur punët shkuan keq, ai paralajmëroi reformat, po deri më tani ka vënë në jetë shumë pak prej tyre.

Hollande paraqitet jo vetëm i pafuqishëm dhe pa guxim përballë krizës franceze aktuale, ai madje është kthyer në simbol të saj. Edhe në zgjedhjet europiane në fund të Majit nuk ka për të ndryshuar diçka. Kështu për shumë francezë Fronti Nacional po paraqitet si alternativë. Dhe kryetarja e partisë, Marine le Pen ka bërë punë shumë të madhe për ndryshimin e imazhit. Nga një turmë rrëmujaxhinjsh, siç paraqitej Fronti Nacional në kohën e babait të saj, Jean-Marie, ajo ka bërë një parti të pranueshme në skenën politike. Votuesi nuk turpërohet pse voton për këtë parti.

Një fenomen mbarëeuropian

E gjitha kjo sinjalizon se kjo parti në Maj ka shumë arsye të shpresojë për më shumë vota, kjo edhe për faktin se shumë zgjedhës mendojnë, se zgjedhjet europiane nuk janë si ato kombëtare, prandaj zgjedhësit mendojnë t'ia lejojnë vetes një votë protestuese. Ndërkohë që në Parlamentin Europian praktikisht merren të gjitha vendimet e rëndësishme, që i prekin direkt votuesit europianë. Ndoshta edhe për këtë arsye të djathtët dhe euroskeptikët janë kthyer tanimë në një fenomen mbarëeuropian. Pavarësisht nëse bëhet fjalë për Partinë britanike të Pavarur (UKIP), apo Lega Nord në Itali, Partia për Lirinë (PVV) në Holandë, Partia e Finlandezëe të Vërtetë, apo Alternativa për Gjermaninë – deputetët e këtyre partive kanë shumë gjasa të ulen në Parlamentin Europian.

Christoph Hasselbach
Christoph HasselbachFotografi: DW/P. Henriksen

Pushteti destruktiv

Se çfarë ndikimi do të kenë ata në politikën europiane, nuk mund të parashihet me siguri. Edhe po qe se ata janë të shumtë në numër dhe futen në Parlament nga vende të ndryshme, ata do të ishin të fuqishëm, vetëm në rast bashkimi. Kjo nuk është aspak e sigurtë. Sepse shumë nga këto parti dallojnë shumë nga njëra-tjetra, ato janë thjesht shumë “nacionale”. Vërtet që tek zgjedhësit e tyre dhe brenda këtyre partive ekziston një tendencë bazë, si për shembull protesta kundër integrimit të mëtejshëm europian dhe emigracionit, por dallimet mes tyre janë shumë më të mëdha.

Kështu për shembull nëse Fronti Nacional do të mbrojë francezët nga globalizimi, Partia e Pavarur, UKIP përkundrazi është për tregtinë e lirë botërore; Nëse Geert Wilders i Partisë për Lirinë në Holandë është dukshëm proizraelit, parti të tjera të djathta kanë tendenca antisemitiste, kush më shumë e kush më pak. Megjithatë, qofshin të bashkuara apo më vete, këto parit kanë një potencial të madh turbullimi në Europë. Pushteti i tyre është në radhë të parë destruktiv.

Europa duhet të mbrohet

Këto parti do t'ia vështirësojnë punën partive të njohura në Parlamentin Europian. E një çështje tjetër po kaq e rëndësishme do të jetë reagimi i partive klasike ndaj kësja sfide. Afrohen ato më shumë me njëra-tjetrën apo futen në një garë politike me ekstremistët, një garë të cilën ato vetëm mund ta humbin, sepse “ta djathtët shihen si “autentike”, ndërsa partitë e njohura si “të dobtat”? Kjo do të thoshte që të djathtët përcaktojnë agjendën.

Megjithatë një kthesë e pritshme djathtas nuk duhet të shihet me fatalizëm. Europianët e bindur kanë edhe dy muaj kohë për të bërë që të zënë vend argumentet e tyre. Për shembull, që politika europiane e konsolidimit ka fillaur të tregojë frytet e saj, apo – aktualisht- që një Zotëri Putin, nuk ia vë veshin politikës së një vend të veçuar europiane, por sigurisht një politike të koordinuar të të gjithë kontinentit. Një Europë e bashkuar nuk është më kaq e vetëkuptueshme. Kësaj i besuan për një kohë shumë të gjatë elitat politike. Europa ka argumente shumë të fortë në anën e saj. Tani duhet mundimi që ato të mbrohen.